Pretendime çorientuese e paraqitën si të anuluar samitin e NATO-s në Tiranë

Moszhvillimi i samitit të NATO-s në vitin 2027 u paraqit nga disa media në internet dhe në rrjetet sociale si refuzim i Tiranës nga Aleanca Euroatlantike. Përmes publikimeve çorientuese u përhapën pretendime për anulimin e samitit dhe humbjen e besimit të aleatëve ndaj Shqipërisë. Megjithatë, NATO ka konfirmuar se Shqipëria mbetet vendi pritës i samitit të ardhshëm, ndërsa data e organizimit të tij ende nuk është përcaktuar.

Në gusht të vitit 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi se Shqipëria do të organizonte samitin e NATO-s në vitin 2027, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që vendi do të kishte mundësinë të mirëpriste, por herë pas here zhvillimi i saj është shënjestuar nga lajme dezinformuese.

Hera e fundit u shënua më 12 nëntor në Dublin, ku po zhvillohej samiti i nëntë i Komunitetit Politik Evropian, ku Rama konfirmoi se samiti i NATO-s nuk do të zhvillohej vitin e ardhshëm, një deklaratë që u pasqyrua në mediat në internet dhe në rrjetet sociale si anulim i samitit dhe refuzim i Tiranës.

“Reuters: NATO i thotë ‘JO’ Tiranës, zbulohet arsyeja!”, citohej në disa artikuj të mediave në internet në Shqipëri, duke orfruar tituj çorientues mbi të ardhmen e samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.  

Por agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, në raportimin e saj të 12 nëntorit, citonte kryeministrin Edi Rama, që kishte deklaruar se nuk ishte arritur një qëndrim i përbashkët për datën e samitit dhe se ai nuk do të zhvillohej në vitin 2027. Më tej Rama shtoi se nëse do të kishte një samit në vitin 2028, ai do të zhvillohej në Tiranë.

Gjithashtu në prononcimin e Ramës për mediat nga Dublini, të publikuar në faqen e Kryeministrisë, konfirmohet se Shqipëria mbetet mikpritësja e samitit të ardhshëm të NATO-s.

“Sigurisht, Shqipëria projektohet si mikpritësja e ardhshme e samitit të NATO-s. Çështja është që nuk është arritur një qëndrim i përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Është e sigurtë jo në 2027-ën. Në 2028-ën nëse do të ketë një samit, do të zhvillohet në Tiranë dhe kjo s’ka asnjë dyshim”, deklaroi Rama.

Përtej deklaratës së kryeministrit shqiptar edhe vetë NATO ka konfirmuar se Shqipëria mbetet vendi pritës i samitit të ardhshëm, në një përgjigje që ka dhënë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri. Vendimi për datën ende nuk është marrë”, deklaroi një zyrtar i NATO-s.

Organizimi i samitit të NATO-s në Shqipëri ishte përcaktuar në qershor të vitit 2025, gjatë takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare në Hagë. Në deklaratën e përbashkët të miratuar në përfundim të samitit, vendet anëtare njoftuan se takimi i radhës do të zhvillohej në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri, por pa përcaktuar vitin e organizimit të tij.

Por në Shqipëri, diskutimet për datën e organizimit të samitit u shoqëruan me përhapjen e artikujve që flisnin për refuzimin e Tiranës, anulimin e samitit dhe heqjen e organizimit të tij nga Shqipëria. Edhe në publikime të tjera, deklarata e Ramës nga Dublini u paraqit si njoftim për anulimin e samitit.

Në disa publikime, moszhvillimi i samitit në vitin 2027-ën u paraqit si pasojë e një përplasjeje me presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa në të tjera si rezultat i humbjes së besimit ndaj Shqipërisë për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisë me krimin.

Një pjesë e raportimeve në mediat shqiptare u përqendrua vetëm te lajmi se samiti nuk do të zhvillohej vitin e ardhshëm. Jashtë vëmendjes mbeti pjesa tjetër e deklaratës së Ramës, që kishte të bënte me organizimin e takimit në Shqipëri në një tjetër vit.

Diskutimet mes vendeve anëtare të NATO-s për samitin e ardhshëm kishin nisur prej muajsh. Në diskutim ishte nëse samiti do të zhvillohej në vitin 2027 apo në një vit tjetër, ndërkohë që Shqipëria ishte përcaktuar si vendi pritës.

Gjithashtu në korrik të vitit 2026, në përfundim të samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, konfirmoi se samiti i ardhshëm do të zhvillohej në Shqipëri, por sqaroi se ende nuk ishte përcaktuar data e organizimit të tij.

Më 3 nëntor, vetëm nëntë ditë përpara deklaratës së Ramës nga Dublini, kryeministri shqiptar u takua me Rutte në Bruksel. Pas takimit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ishte rikonfirmuar organizimi i samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, por pa përcaktuar datën.

Samitet që organizon Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, të njohura si samitet e NATO-s, mbledhin krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe për të marrë vendime për drejtimin e ardhshëm të aleancës.

Organizimi i një takimi të tillë në Shqipëri do të shënonte një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet e vendit me aleatët, që prej anëtarësimit në NATO në vitin 2009.

Ndërsa më herët, në qershor të vitit 2026, agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se planet për organizimin e samitit në Shqipëri në vitin 2027 ishin vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve të administratës amerikane dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare për shpenzimet e ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen.

Në nëntor, media ndërkombëtare “Politico” raportoi se mes arsyeve të hezitimit të aleatëve për organizimin e samitit në vitin 2027 ishin edhe kostot e larta të një takimi të tillë dhe shqetësimi se ai mund t’i jepte presidentit amerikan një tjetër mundësi për të kritikuar aleancën.

Megjithatë, asnjë prej këtyre raportimeve nuk njoftonte për një vendim të NATO-s për t’ia hequr Shqipërisë organizimin e samitit apo për një vendim të presidentit amerikan Donald Trump për të bllokuar mbajtjen e tij në Tiranë.

Lajmi se samiti i NATO-s nuk do të organizohet në Tiranë vitin e ardhshëm solli reagime edhe në politikën shqiptare, ku opozita i kujtoi Ramës premtimin e bërë dy vite më parë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, pretendoi se anulimi i samitit lidhej me humbjen e besimit ndaj Shqipërisë për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisë me krimin. Por këto ishin akuza të deputetit të opozitës dhe jo arsye të bëra publike nga NATO për moszhvillimin e samitit në vitin 2027.

Ngjashëm veproi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili publikoi në Instagram një video ku vendoste përballë deklaratën e mëparshme të Ramës për organizimin e samitit në vitin 2027 me atë të fundit nga Dublini.

“Tani i ngelet të premtojë Samitin e Surrelit”, shkruante Noka, duke ironizuar “premtimin e pambajtur” të kryeministrit.

Nga monitorimi i “Observatorit të Reziliencës” në Median Amfora, rezulton se përveç pretendimeve për anulimin e samitit të NATO-s në Shqipëri, në mediat në internet u përhapën edhe interpretime të ndryshme për arsyet e moszhvillimit të tij në vitin 2027. Kundërshtimet e raportuara të administratës amerikane u paraqitën si një vendim i presidentit Donald Trump për të bllokuar samitin, ndërsa akuzat politike për korrupsionin dhe humbjen e besimit ndaj qeverisë shqiptare u përcollën si shpjegime për këtë zhvillim.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, dokumentet zyrtare të NATO-s bien në kundërshtim me këto publikime dhe deri më tani deklaratat e përfaqësuesve të saj konfirmojnë se Shqipëria mbetet vendi pritës i samitit të ardhshëm. Ajo që nuk është përcaktuar ende është se kur do të zhvillohet ky takim.