Djegia e makinës së gazetarit Sami Curri, gjashtë muaj hetime pa rezultate
Organizata ndërkombëtare dhe rajonale të medias kërkuan nga autoritetet shqiptare zbardhjen e ngjarjes së 26 prillit në Bulqizë, kur u dogj automjeti i gazetarit Sami Curri. Gjashtë muaj më vonë, organizatat shprehën shqetësimin për mungesën e rezultateve nga hetimet dhe paralajmëruan për pasojat që pandëshkueshmëria e sulmeve ndaj gazetarëve ka për lirinë e medias.
Automjeti i djegur i gazetarit Sami Curri në Bulqizë. Foto: Media Amfora.
Dhjetë organizata për lirinë e medias u kërkuan të premten autoriteteve shqiptare të zbardhin djegien e automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, një ngjarje që mbetet pa autorë edhe pas më shumë se gjashtë muajsh.
“Më shumë se gjashtë muaj më vonë, pyetjet thelbësore lidhur me gjetjet e ekspertizës, ecurinë e hetimeve dhe llogaridhënien mbeten pa përgjigje”, theksohet në deklaratën e organizatave më 13 nëntor.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” (SafeJournalists), Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe gjashtë organizata të tjera të medias shprehën shqetësimin për mungesën e rezultateve të prekshme nga hetimet.
Automjeti i gazetarit u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 26 prillit, ndërsa ishte i parkuar pranë banesës së tij në “Lagjen e Re” në Bulqizë. Policia e Dibrës njoftoi paraprakisht se dyshohej për djegie të qëllimshme, ndërsa vetë gazetari e lidhi ngjarjen me punën e tij profesionale.
“Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejtë me punën time si gazetar”, tha Curri menjëherë pas ngjarjes, duke treguar se javët e fundit ishte përballur me presione për shkak të çështjeve që raportonte media e drejtuar prej tij.
Një javë pas ngjarjes, më 4 maj, përfaqësues të organizatave të medias, mes tyre edhe Media Amfora, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Holandës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë zhvilluan një vizitë në Bulqizë.
Pas takimit me gazetarin në redaksinë e medias “Bulqiza Ime”, ata u takuan me përfaqësues të Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës, të cilëve u kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve.
Siç raportoi në atë kohë Media Amfora, autoritetet bënë me dije gjatë takimit se kishin analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe kishin marrë në pyetje persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen, ndërsa prisnin ekspertizën për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Por në mesin e qershorit, Prokuroria e Dibrës i konfirmoi Medias Amfora se hetimet vijonin ende në fazën paraprake dhe se autorët e ngjarjes nuk ishin identifikuar.
“Hetimet janë shtrirë edhe në lidhje me ushtrimin e profesionit të gazetarit që kryen Sami Curri”, shkruhej në përgjigjen zyrtare të Prokurorisë për Median Amfora.
Në atë kohë, gazetari shprehej skeptik për mundësinë e zbardhjes së ngjarjes, duke treguar se pas dëshmisë së dhënë menjëherë pas djegies së automjetit nuk ishte kontaktuar më nga organet hetimore.
“Përpos deklarimit të dhënë pas ngjarjes nuk jam ftuar herë tjetër për të dhënë sqarime apo diçka që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes”, tha Curri për Median Amfora më 15 qershor.
Edhe në fund të korrikut, ekspertiza për përcaktimin e shkakut të zjarrit nuk kishte përfunduar ende.
Sipas deklaratës së sotme të organizatave të medias, më 28 korrik Prokuroria e Dibrës konfirmoi se kishte regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe se mes pistave të hetimit ishte edhe lidhja e mundshme e ngjarjes me punën e gazetarit.
Më 5 nëntor, Curri iu drejtua sërish autoriteteve me një kërkesë me shkrim, përmes së cilës kërkoi të njihej me rezultatet e ekspertizës, të informohej mbi ecurinë e hetimeve dhe t’i kthehej automjeti, që vijon të mbahet i sekuestruar.
Sipas organizatave, deri më 13 nëntor gazetari nuk kishte marrë informacion mbi rezultatet e ekspertizës apo përparimin e hetimeve.
Organizatat kërkuan që Prokuroria e Dibrës dhe Policia e Shtetit të sqarojnë se në çfarë faze ndodhet ekspertiza, të informojnë gazetarin për hetimet dhe të trajtojnë çështjen e mbajtjes së automjetit të tij nën sekuestro.
Ato kërkuan gjithashtu që lidhja e mundshme e ngjarjes me raportimet e gazetarit të hetohet plotësisht dhe që përpara drejtësisë të vendosen jo vetëm autorët e djegies së automjetit, por edhe personat që mund ta kenë porositur aktin.
Sipas organizatave, mungesa e rezultateve në hetimin e rasteve të tilla rrezikon të nxisë pandëshkueshmërinë dhe të krijojë një klimë frike për gazetarët e pavarur, veçanërisht për ata që punojnë në nivel lokal.
Sami Curri ushtron prej rreth një dekade profesionin e gazetarit dhe në mars të vitit 2017 themeloi median lokale “Bulqiza Ime”, ku ka raportuar për përdorimin e fondeve publike, veprimtarinë e pushtetit vendor, industrinë minerare dhe problemet mjedisore që prekin komunitetet e Qarkut Dibër.
Pas djegies së automjetit, gazetari deklaroi se ngjarja nuk do ta pengonte të vijonte punën e tij në shërbim të interesit publik.