SPAK dërgon për gjykim 16 persona për trafikimin e mbi 60 tonëve kokainë
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të akuzuar për trafikim droge nga Amerika e Jugut drejt Europës. Sipas Prokurorisë, grupi me në krye Ervis Çelën dhe Franc Gergelyn, i njohur edhe si Franc Çopja, akuzohet se ka trafikuar mbi 60 tonë kokainë, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.2 milionë euro.
Godina e SPAK. Foto ilustrative Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi më 5 nëntor gjykimin e 16 personave, të akuzuar për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Sipas hetimeve, grupi ka vepruar gjatë viteve 2019-2021 dhe dyshohet se ka trafikuar mbi 60 tonë kokainë.
“Organizata përfshin të paktën 16 persona të identifikuar dhe shumë të tjerë, të paidentifikuar”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.
Në krye të grupit, sipas SPAK-ut, qëndronin Ervis Çela dhe Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja. Çela është arrestuar në Shqipëri, ndërsa Gergely në Belgjikë.
Hetuesit dyshojnë se Ervis Çela siguronte kokainën në Amerikën e Jugut dhe organizonte transportin e saj drejt Paraguait. Franc Gergely merrej kryesisht me financimin, dërgimin e drogës drejt Europës dhe shpërndarjen e saj.
Sipas Prokurorisë, kokaina transportohej nga Bolivia drejt Paraguait, në disa raste edhe me avionë të vegjël. Atje fshihej mes mallrave të zakonshme, si bojëra dhe stuko, për t’u dërguar me anije drejt Europës.
Ngarkesat kalonin përmes porteve të Amerikës së Jugut dhe mbërrinin në Gjermani, Belgjikë, Spanjë e Holandë. SPAK dyshon se grupi kishte kontakte me persona të lidhur me sigurinë dhe kontrollet në porte, të cilët ndihmonin në nxjerrjen e kokainës.
Hetimet kanë zbuluar edhe mënyrën se si grupi paguante për transportin. Sipas komunikimeve të gjetura, blerja dhe dërgimi i një kilogrami kokainë deri në portin e nisjes kushtonte rreth 4,100-4,200 dollarë. Për ngarkimin e saj në anije paguheshin edhe 1,300 dollarë për kilogram, që sipas SPAK-ut përdoreshin si ryshfet.
Nga hetimet janë identifikuar pesë raste të sekuestrimit të kokainës në Holandë, Spanjë dhe Gjermani, nga dhjetori 2019 deri në shkurt 2021. Rasti më i madh ishte në Hamburg të Gjermanisë, ku u sekuestruan rreth 17 tonë kokainë.
SPAK thotë se nga bisedat e zbuluara në aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”, si dhe nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja, rezulton se grupi ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë.
“Vëllimi i aktivitetit kriminal është shoqëruar me realizimin e përfitimeve financiare jashtëzakonisht të mëdha, potencialisht në vlera që arrijnë në miliarda euro”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Hetimet janë shtrirë edhe te pasuritë që dyshohet se janë krijuar me paratë e trafikut të drogës. Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e përkohshëm të disa bizneseve, tokave, ndërtesave, automjeteve dhe shumave të parave.
Mes pasurive të sekuestruara janë agroturizmi “Solis Farm” në Baldushk të Tiranës, resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit dhe një vilë në Dhërmi, e vlerësuar rreth 1 milion euro.
Në total, vlera e pasurive dhe parave të sekuestruara arrin në rreth 9.2 milionë euro.
Përveç trafikut të kokainës, disa nga të pandehurit akuzohen edhe për pastrim parash, ndërsa dy prej tyre për ndërtim të paligjshëm.
SPAK njoftoi se hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë kërkesën për gjykimin e 16 të pandehurve.