Komisioni Evropian ngre shqetësime për korrupsionin dhe lirinë e medias në Shqipëri

Korrupsioni, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe problemet me lirinë e medias mbeten shqetësime për Shqipërinë, sipas raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026. Dokumenti ndalet edhe te protestat e studentëve, përplasjet me policinë dhe mungesa e dialogut, ndërsa vlerësoi përparimin e vendit në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian publikoi më 4 nëntor raportin vjetor për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime për korrupsionin, ndërhyrjet e politikës në drejtësi, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve. Dokumenti ndalet edhe te protestat e studentëve dhe përplasjet me policinë, ndërsa vlerëson përparimin e vendit në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Korrupsioni mbetet një sfidë reale”, shkruhet në raport, pavarësisht vlerësimit pozitiv për hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj zyrtarëve të lartë.

Në raportin prej 116 faqesh, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në reforma, por se disa probleme vazhdojnë të ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit.

Komisioni kërkoi më shumë vendime përfundimtare të gjykatave për rastet e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi se politikanë dhe zyrtarë publikë kanë vijuar përpjekjet për të ndikuar në institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë në shënjestër të sulmeve personale.

Një vend të rëndësishëm në raport zënë edhe protestat qytetare që nisën në maj, fillimisht kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. Sipas Komisionit, ato u kthyen në protestat më të mëdha qytetare në Shqipëri që prej ndryshimit të sistemit politik.

Në tetor, protestave iu bashkuan edhe studentët dhe të rinjtë, ndërsa gjatë tubimeve pati përplasje me Policinë e Shtetit, persona të lënduar dhe arrestime.

“Deri tani nuk ka pasur dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv”, shkruhet në raport.

Komisioni ngre shqetësime edhe për Kuvendin, duke vlerësuar se përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës, mungesa e konsultimeve me qytetarët dhe refuzimi i kërkesave për komisione hetimore kanë dobësuar kontrollin e Parlamentit mbi qeverinë.

Probleme të vazhdueshme evidentohen edhe për lirinë e medias. Sipas Komisionit Evropian, lidhjet e pronarëve të mediave me politikën dhe biznesin ndikojnë në pavarësinë e gazetarëve, të cilët përballen me kërcënime, presione dhe kushte të pasigurta pune.

“Vetëcensura mbetet e përhapur, e nxitur nga presioni politik, kërcënimet ligjore dhe varësia ekonomike”, shkruhet në raport.

Komisioni thekson se gazetarët vazhdojnë të përballen me paga të papaguara dhe ngarkesë të lartë pune, veçanërisht në mediat lokale dhe ato në internet. Ai kërkon mbrojtje më të fortë për gazetarët dhe më shumë transparencë për pronësinë dhe financimin e mediave.

Pavarësisht këtyre problematikave, Shqipëria vlerësohet si një prej katër vendeve që kanë avancuar më shumë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.

Në njoftimin që shoqëroi publikimin e Paketës së Zgjerimit 2026, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përparimin e vendeve kandidate dhe paraqitjen e planeve me objektiva për vitin e ardhshëm.

“Përparimi i konsiderueshëm i arritur nga disa vende kandidate gjatë vitit të kaluar na mundëson ta kthejmë premtimin e zgjerimit në realitet”, deklaroi von der Leyen.

Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se rruga drejt anëtarësimit varet nga vazhdimi i reformave, sidomos në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.