U lidh me protestat e Tiranës, Kurti: “Kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshtoi pretendimet që e lidhnin me protestat në Shqipëri dhe shprehu shqetësim për dhunën dhe personat e lënduar gjatë tubimeve. Kurti ishte paraqitur si pjesëmarrës dhe drejtues i protestave përmes imazheve të rreme dhe publikimeve në media e rrjetet sociale, pa prova për përfshirjen e tij apo Vetëvendosjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshtoi pretendimet që lidhnin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me organizimin e protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, duke mohuar përfshirjen e partisë së tij në këto tubime.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Kurti gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, më 31 tetor, në Prishtinë.

Gjatë protestave në Shqipëri, në media dhe rrjetet sociale u përhapën pretendime se Albin Kurti kishte marrë pjesë në tubimet e Tiranës, madje se kishte marrë drejtimin e tyre. Këto pretendime u shoqëruan me tituj çorientues dhe një imazh të rremë që e paraqiste kryeministrin e Kosovës mes protestuesve, ndonëse nuk kishte prova që ai ishte përfshirë në organizimin apo drejtimin e protestave.

Nga verifikimi i “Observatorit të Reziliencës” në Median Amfora rezultoi se imazhi ishte krijuar me inteligjencë artificiale. Ndërkohë, njoftimet zyrtare të Qeverisë së Kosovës dokumentonin aktivitetet e Kurtit në Prishtinë më 24 tetor.

Edhe Albulena Haxhiu, kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar se partia nuk kishte bërë thirrje për pjesëmarrje në protesta. Publikimet e shqyrtuara nuk paraqitnin prova se Kurti kishte marrë pjesë, kishte organizuar apo kishte drejtuar tubimet në Shqipëri.

Duke folur për këto pretendime gjatë takimit të partisë së tij, Kurti theksoi se Vetëvendosje është sot forcë qeverisëse në Kosovë, ndërsa në të kaluarën, kur ka organizuar protesta, e ka bërë këtë hapur.

“Ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se partia e tij nuk i ka përdorur të tjerët për qëllime të fshehta politike dhe as ka pranuar të përdoret prej tyre.

“Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë ndokush tjetër, por as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Duke folur për dhunën gjatë protestave, Kurti shprehu shqetësim për personat e lënduar, duke theksuar se krahas përcaktimit të përgjegjësive, duhen kuptuar edhe shkaqet që çuan në përplasje.

“Dhuna e lëndimet ndaj njerëzve, ballafaqimet direkte në rrugë, janë brengë e shqetësim për të gjithë ne”, u shpreh ai.

Protestat e studentëve dhe të rinjve, të zhvilluara në Tiranë gjatë tetorit, janë shoqëruar me përplasje me policinë, persona të lënduar dhe arrestime, ndërsa protestuesit kanë kërkuar përmirësimin e kushteve në arsim, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës Kurti shprehu gjithashtu mbështetjen për përparimin demokratik të Shqipërisë dhe afrimin e saj me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë.

Deklaratat e Kurtit u bënë gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u diskutuan zhvillimet politike në rajon dhe çështje të organizimit të partisë.