Kriza institucionale në Poloni u shtrembërua si “grusht shteti”

Përplasja për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese në Poloni u paraqit si përpjekje për “grusht shteti” në mediat në internet dhe rrjetet sociale. Në Shqipëri u përhapën pretendime për hyrjen e policisë në gjykatë dhe përpjekjen e kryeministrit për të kryer një grusht shteti, ndërsa në publikimet ndërkombëtare u akuzua pa prova edhe Bashkimi Evropian se synonte të merrte kontrollin e gjykatave polake.

Grafikë ilustruese nga potimet në media në internet dhe rrjetet sociale. Përgatiti: Media Amfora

Një krizë politike në Poloni, këtë fund tetori, u shoqërua me protesta dhe përplasje për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese. Pamjet e policëve pranë institucionit u shpërndanë në rrjetet sociale, ku disa publikime ngritën pretendime për grusht shteti, ndërsa në Shqipëri ngjarja u pasqyrua me tituj që flisnin për bastisjen e gjykatës dhe përshkallëzimin e tensioneve.

“Grusht shteti në Poloni? Policia bastis zyrat e Gjykatës Kushtetuese! Tensionet në rritje”, shkruante faqja informative “Prime Web” në Instagram, duke e shoqëruar publikimin me pamje të efektivëve në rrugë.

Por Policia e Varshavës, në një komunikatë zyrtare të 30 tetorit, mohoi se kishte hyrë brenda godinës së gjykatës.

“Theksojmë në mënyrë të prerë se Policia nuk ndodhet brenda selisë së Gjykatës Kushtetuese”, shkruhet në komunikatën e institucionit, postuar në faqet e saj zyrtare në internet. 

Sipas autoriteteve polake, policia ishte thirrur për të garantuar sigurinë pas kërkesave të Prokurorit të Përgjithshëm dhe një gjyqtareje të institucionit. Efektivët, sipas njoftimit, vepruan vetëm jashtë godinës, ku ishin mbledhur protestues. Policia raportoi gjithashtu ndalimin e tre personave që kishin kapërcyer rrethimin e gjykatës.

Dhjetëra publikime në mediat në internet dhe në rrjetet sociale, nisën të shpërndanin lajme që prej mbrëmjes së të premtes, duke vendosur theksin tek grushti i shtetit, megjithëse mungonin rrethanat për një rast të tillë. Grushti i shtetit përfaqëson marrjen e papritur dhe të paligjshme të pushtetit, e zakonisht organizohet nga një grup i kufizuar individësh brenda strukturave politike ose ushtarake, përmes përdorimit ose kërcënimit të forcës, me synimin për të rrëzuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e institucioneve shtetërore.

Polonia aktualisht po përballet me një mosmarrëveshje mbi drejtimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Qeveria e kryeministrit Donald Tusk i paraqet ndryshimet në drejtësi si përpjekje për të rikthyer respektimin e ligjit, ndërsa kundërshtarët e saj vënë në dyshim ligjshmërinë e veprimeve.

Në Facebook, faqja “IDEALISTI-al” e paraqiti krizën institucionale në Poloni si një përpjekje për “puç shteti”, duke e shoqëruar publikimin me pretendime për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimet politike të vendit. Në postim shkruhej se, “USA po largon Tusk”, ndërsa pretendohej se kryeministri Donald Tusk nuk pranohej më nga polakët dhe se presidenti Karol Nawrocki, i cilësuar si mik i afërt i Donald Trump, do të ndikonte në largimin e tij. 

Publikimi përfundonte me pohimin se, “Duhet larguar Tusk dhe do të largohet”, duke ndërthurur raportimin e një ngjarjeje reale me qëndrime politike dhe pretendime të pambështetura për ndryshimin e qeverisë polake.

Teksa pretendimi për përfshirjen e SHBA-së në largimin e kryeministrit Tusk nuk mbështetet në prova, nga ana tjetër ambasadori amerikan në Poloni, Tom Rose, në deklaratën e tij të 30 tetorit, e përshkroi situatën si një përballje të paprecedentë institucionale dhe bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të gjykojnë apo të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Polonisë. Megjithatë publikimi i faqes “IDEALISTI-al” e zhvendosi vëmendjen nga përplasja për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese drejt një narrative për ndërhyrje amerikane dhe largimin e mundshëm të qeverisë, pa paraqitur burime që ta mbështesnin këtë pretendim.

Ndërkohë, faqja “Xmedia.al” në Instagram, e paraqiti ngjarjen me titullin: “Krizë e thellë në Poloni, policia ‘bastis’ zyrat e Gjykatës Kushtetuese! Akuza për një ‘grusht shteti’”. Përdorimi i termit “bastis” krijonte përshtypjen se forcat e policisë kishin hyrë në ambientet e brendshme të institucionit për të kryer një operacion, por sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Varshavës, efektivët ishin vendosur në hapësirat e jashtme të gjykatës për garantimin e sigurisë dhe rendit publik.

Po ashtu media “Newsmax Balkans Albania” publikoi një video me mbishkrimin, “Uzurpim pushteti”, duke e lidhur këtë cilësim me kthimin urgjent të presidentit polak në Varshavë dhe praninë e policisë pranë Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse përshkrimi i publikimit i referohej krizës institucionale, protestave dhe përplasjes mes qeverisë dhe opozitës, përdorimi i shprehjes “uzurpim pushteti” në titull, pa identifikuar qartë autorin e akuzës, rrezikonte ta paraqiste një interpretim politik të kontestuar si një zhvillim faktik të konfirmuar.

Në një tjetër publikim nga faqja “Bota në fokus” në Instagram, u përdor titulli, “Kriza shpërthen në Poloni: Policia rrethon Gjykatën Kushtetuese, presidenti ndërpret udhëtimin”, ndërsa në përshkrim theksonte se gjykata kishte folur për “grusht shteti”. Ndryshe nga publikimet që sugjeronin ndërhyrje ndërkombëtare apo bastisje të institucionit, ky raportim përfshinte edhe qëndrimin e kryeministrit Donald Tusk, sipas të cilit veprimet e qeverisë synonin rikthimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, përdorimi i përgjithshëm i termit “Gjykata” për akuzat e ngritura nga drejtuesit e saj të kontestuar nuk e bënte mjaftueshëm të qartë se bëhej fjalë për një konflikt mbi legjitimitetin e drejtimit të institucionit.

Analiza e këtyre publikimeve nga “Observatori i Reziliencës” në Median Amfora, evidentoi mënyra të ndryshme të paraqitjes së së njëjtës ngjarje, nga titujt që mbivlerësonin veprimet e policisë, te akuzat e kontestuara për uzurpim pushteti dhe pretendimet e pambështetura për ndërhyrje amerikane. 

Akuza për grusht shteti nuk lindi me protestat, pasi drejtuesi i Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkowski, kishte folur për një “grusht shteti kushtetues” që më 15 tetor sipas “Radios Polake”. Megjithatë kjo ishte një akuzë e ngritur gjatë përplasjes institucionale dhe jo një fakt i provuar.

Në një video tjetër, faqja informative “Prime” e paraqiti Presidentin Karol Nawrocki si personin që kishte ndaluar grushtin e shtetit të kryeministrit Tusk. Ndërkohë, jashtë Shqipërisë, disa llogari në gjuhën angleze i lidhën ngjarjet edhe me Bashkimin Evropian.

Në Instagram, llogaria “The Chronicler Files“, që publikon përmbajtje politike, e paraqiti ngjarjen si përpjekje për grusht shteti dhe kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë. Ndërsa platforma australiane “The Adelaide Set” pretendoi se BE-ja kërkonte të kontrollonte gjykatat polake për ta detyruar vendin të pranonte emigrantë dhe për ta kthyer Evropën në një “kalifat”.

Por dokumentet zyrtare të BE-së për financimin dhe migracionin nuk e mbështesin këtë pretendim. Ato nuk tregojnë se BE-ja kërkon të marrë kontrollin e gjykatave polake për ta detyruar vendin të pranojë emigrantë.

Kjo narrativë u pasqyrua edhe nga Russia Today, një media që njihet për kontrollin nga shteti rus, e cila përcolli akuzën për “grusht shteti të paligjshëm”, duke ia atribuuar atë palës politike të Presidentit Nawrocki.

Protestat dhe mosmarrëveshja për Gjykatën Kushtetuese në Poloni kanë dominuar kohët e fundit zhvillmet në Poloni, por narrativat fabrikuan një grusht shteti pa u bazuar në fakte dhe prova. Prania e policisë pranë gjykatës nuk provon se është kryer një grusht shteti, ndërsa pretendimet për një plan të Bashkimit Evropian për të kontrolluar institucionin dhe për të imponuar politikat e migracionit nuk mbështeten nga provat e shqyrtuara.