Të tjera arrestime pas protestave, 2 në pranga pas tubimit te Ministria e Arsimit

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Tiranë janë shoqëruar me dy arrestime të tjera pas tubimit të 27 tetorit përpara Ministrisë së Arsimit. Ndërhyrjet e policisë gjatë protestave të fundit kanë shkaktuar të lënduar dhe kanë nxitur reagime të organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë kërkuar hetimin e rasteve të dyshuara të dhunës ndaj protestuesve.

Dy persona u arrestuan pas protestës së zhvilluar të martën, më 27 tetor, përpara Ministrisë së Arsimit. Tubimi ishte pjesë e protestave të nisura më 13 tetor nga studentë dhe të rinj, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, kundërshtimin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë shtetasit me inicialet V. C., 49 vjeçe, dhe B. P., 27 vjeç, të cilët dyshohet se gjatë tubimit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit.

Policia pretendon gjithashtu se dy personat kanë djegur kazanë mbeturinash, duke shkaktuar dëmtimin e pronës publike dhe bllokimin e qarkullimit në Rrugën e Durrësit.

Arrestimet e 27 tetorit vijnë pas protestës kombëtare të 24 tetorit, gjatë së cilës u regjistruan përplasje, persona të lënduar dhe arrestime. Pas atij tubimi, Policia njoftoi 23 persona të arrestuar, 13 të proceduar penalisht dhe 30 të shpallur në kërkim, ndërsa 23 persona morën trajtim mjekësor, mes tyre protestues, policë, gazetarë dhe një deputet.

Ndërhyrjet e policisë gjatë protestave janë bërë gjithashtu objekt denoncimesh. Më 27 tetor, organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe studentë kallëzuan në SPAK drejtues të Policisë së Shtetit, duke kërkuar hetimin e rasteve të pretenduara të përdorimit të paligjshëm të forcës ndaj protestuesve.

Ndërkohë, dhuna gjatë protestave ka nxitur edhe reagimin e shoqërisë civile. Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” i ka drejtuar një letër të hapur Akademisë së Shkencave, duke kërkuar vlerësimin e pasojave të mundshme të dhunës te fëmijët dhe të rinjtë, si dhe marrjen e masave për mbështetje psikologjike dhe parandalimin e saj.

Materialet për dy të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Mes veprave penale të përmendura nga Policia janë kundërshtimi i punonjësve të rendit, shkatërrimi i pronës me zjarr, pengimi i qarkullimit dhe prishja e rendit e qetësisë publike.