Drejtuesit e Policisë kallëzohen në SPAK për dhunë gjatë protestave studentore
Drejtuesit e Policisë së Shtetit janë kallëzuar në SPAK për përdorimin e dyshuar të paligjshëm të forcës gjatë protestave studentore. Organizata dhe qytetarët që depozituan kallëzimin kërkojnë hetimin e mbi 180 rasteve të dokumentuara prej tyre, si dhe të rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo.
Gjatë protestave të të rinjëve në Tiranë. Foto: Media Amfora
Qendra “Res Publica”, organizata të tjera të shoqërisë civile, avokatë, studentë dhe qytetarë kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve të tjerë policorë, lidhur me ndërhyrjet gjatë protestave të nisura më 13 tetor në Shqipëri.
Në deklaratën për shtyp, kallëzuesit kërkojnë që SPAK të hetojë edhe rolin e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për urdhrat, orientimet dhe komunikimet e mundshme me drejtuesit e Policisë gjatë protestave.
Sipas tyre, kallëzimi mbështetet në mbi 180 episode të pretenduara të paligjshmërisë, të dokumentuara gjatë disa ditëve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
“Nxjerrja në terren e efektivëve të paidentifikueshëm dhe tolerimi i personave civilë që ushtronin kompetenca policore krijuan imunitet faktik për autorët e dhunës”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë përmediat pas kallzimit.
Organizatat pretendojnë se në terren janë angazhuar efektivë të maskuar, pa numra apo shenja identifikimi, të cilët kanë ushtruar forcë ndaj protestuesve. Ato denoncojnë gjithashtu praninë e personave civilë të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kanë ndaluar dhe dhunuar qytetarë në prani ose në bashkëveprim me Policinë.
Kallëzuesit kërkojnë hetimin e përgjegjësisë së Skënder Hitës, Oliger Torbës dhe drejtuesve të tjerë policorë për planifikimin, urdhërimin dhe kontrollin e ndërhyrjeve.
Në deklaratë përmenden raste të pretenduara të goditjes së protestuesve, përdorimit joproporcional të gazit dhe substancave të tjera, si dhe përdorimit të plumbave të gomës në drejtim të pjesës së sipërme të trupit.
Organizatat përmendin edhe rastin e një studenti të drejtësisë, i cili, sipas tyre, u lidh pas kangjellave të Ministrisë së Arsimit gjatë ditës së parë të protestave.
Kallëzuesit shkruajnë se policia nuk ka ndërhyrë siç duhet për të parandaluar djegien e godinave të gjykatave dhe dëmtimin e pronës publike, ndërsa pretendojnë se ka përdorur forcë ndaj qytetarëve që nuk paraqisnin rrezik.
“SPAK-ut i kërkohet të hetojë të gjithë zinxhirin komandues dhe të përcaktojë nëse dhuna ka qenë devijim nga operacioni policor apo instrument i organizuar, i urdhëruar ose i lejuar për frikësimin e qytetarëve dhe shtypjen e protestës”, shkruhet më tej në deklaratë.
Protestat e studentëve dhe të rinjve nisën më 13 tetor në Tiranë, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit. Tubimet u përhapën më pas në qytete të tjera, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestave janë regjistruar përplasje, arrestime dhe denoncime për dhunë policore. Media Amfora raportoi se pas tubimit kombëtar të 24 tetorit, 23 persona kërkuan trajtim mjekësor dhe 23 të tjerë u arrestuan.
Policia e Shtetit kishte njoftuar gjithashtu pezullimin nga detyra të një efektivi të forcës “Shqiponja”, për dyshime për tejkalim të detyrës, ndërsa nisi hetimet për dëmtimin në sy të një protestuesi 28-vjeçar.
Në njoftimin e saj për protestën e 24 tetorit, policia deklaroi se efektivët ishin sulmuar me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke raportuar pesë punonjës të plagosur.
Kallëzimi i depozituar në SPAK kërkon hetimin e përgjegjësisë së drejtuesve policorë dhe të rolit të zyrtarëve të lartë në organizimin e ndërhyrjeve.