Albin Kurti në protestat e Tiranës: Imazhe të rreme shënjestruan kryeministrin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u paraqit si pjesëmarrës dhe drejtues i protestave të të rinjve në Shqipëri përmes publikimeve në media dhe rrjetet sociale. Ndërsa një imazh e vendoste në protestën e Tiranës, Qeveria e Kosovës publikoi njoftime për aktivitetet e tij në Prishtinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mohoi të kishte bërë thirrje për pjesëmarrje në tubime.

Gjatë protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, emri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u lidh me tubimet në Tiranë përmes publikimeve në media dhe rrjetet sociale, ku pretendohej se ai kishte marrë pjesë në protestë apo kishte marrë drejtimin e saj.

“Albin Kurti i bashkohet protestës me të rinjtë në Shqipëri”, shkruhej në një publikim të profilit “apollon.tv_” në Instagram, që mban emrin e televizionit lokal Apollon.

Sipas një njoftimi zyrtar të Qeverisë së Kosovës, më 24 tetor Kurti priti në Prishtinë një delegacion të klubit të futbollit FC Dardania Basel, të themeluar nga diaspora shqiptare në Zvicër.

Në fotografinë që shoqëronte publikimin, Albin Kurti shfaqej mes një grupi të rinjsh me flamuj shqiptarë dhe pankarta proteste. Imazhi mbante logon e televizionit Klan, mbishkrimet “Direkt-Tiranë” dhe “Lajmi i fundit”, si dhe një deklaratë të atribuuar Kurtit, duke u paraqitur si një transmetim televiziv nga protesta. Megjithatë, nga verifikimi i Media Amfora nuk u identifikua një transmetim origjinal i TV Klan që të konfirmonte lajmin e paraqitur në fotografi.

Po atë ditë, kryeministri Kurti publikoi edhe një adresim për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në lidhje me zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e tyre në votim. Njoftimet zyrtare mohojnë pjesëmarrjen e Kurtit në protestën e Tiranës.

Pretendime për një lidhje të kryeministrit të Kosovës me protestat në Shqipëri u shfaqën edhe në publikime të tjera në rrjetet sociale.

Në një video në Instagram, profili “media60.al” shfaqi pamje nga një protestë, të shoqëruara me pyetjen: “A ka lidhje Albin Kurti me protestat në Tiranë?”. Në pjesën e publikuar nuk paraqitej ndonjë dokument apo deklaratë e Kurtit që të konfirmonte përfshirjen e tij në organizimin e tubimeve.

Pretendimet për lidhjen e Albin Kurtit me protestat në Shqipëri kishin nisur të përhapeshin edhe më herët. Përpara protestës kombëtare të 24 tetorit, emri i kryeministrit të Kosovës ishte përmendur në publikime që i atribuonin atij një rol në drejtimin e protestave.

Më 19 tetor, “Gazeta Tema” publikoi një artikull me titullin “Albin Kurti merr komandën e revoltave në Shqipëri, flet në emër të studentëve”.

Artikulli i referohej deklaratave të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kishte kërkuar që institucionet shqiptare të dëgjonin kërkesat e protestuesve.

“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet”, deklaroi Haxhiu më 19 tetor, duke kërkuar që institucionet shqiptare të trajtonin kërkesat e studentëve.

Ajo kërkoi gjithashtu ndalimin e dhunës nga protestuesit dhe policia.

E pyetur për përfshirjen e mundshme të mbështetësve të Vetëvendosjes në protesta, Haxhiu mohoi që partia të kishte organizuar pjesëmarrjen.

“Sa i përket pjesëmarrjes, duhet të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Vetëvendosja që të mbështeten protestat. Kjo nuk i takon Vetëvendosjes”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se partia nuk mund të mbante përgjegjësi nëse mbështetës të saj vendosnin të merrnin pjesë individualisht në tubime.

Ndryshe nga titulli, ku thuhet se Albin Kurti kishte marrë drejtimin e protestave në Shqipëri dhe fliste në emër të studentëve, në përmbajtjen e artikullit nuk paraqitet asnjë deklaratë e tij apo provë që mbështet këtë pretendim. Artikulli i referohet vetëm deklaratave të Albulena Haxhiut, e cila kërkoi që institucionet shqiptare të dëgjonin protestuesit.

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri nisën më 13 tetor, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit. Gjatë ditëve pasuese, ato u përhapën në disa qytete dhe u shoqëruan me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Publikimet e shqyrtuara e lidhën emrin e Albin Kurtit me këto protesta në mënyra të ndryshme, por nuk paraqitën prova që ai të kishte marrë pjesë personalisht, të kishte organizuar apo të kishte drejtuar tubimet në Shqipëri.