Stërvitja e NATO-s dhe lëvizjet ushtarake u paraqitën si ndërhyrje gjatë protestave

Pamjet e anijeve në Vlorë dhe të mjeteve ushtarake në Tiranë u paraqitën si të lidhura me protestat dhe si dëshmi të ndërhyrjes së Izraelit dhe SHBA-së. Ministria e Mbrojtjes sqaroi se anijet ishin turke dhe merrnin pjesë në një stërvitje të planifikuar të NATO-s, pa pjesëmarrje amerikane.

Gjatë protestave të të rinjve në Shqipëri, një video e publikuar nga “JOQ Albania” e përshkroi një anije ushtarake pranë Orikumit si amerikane, pa paraqitur të dhëna që të konfirmonin përkatësinë e saj.

“Një anije luftarake amerikane ka mbërritur sot në ujërat pranë Orikumit, në Gjirin e Vlorës”, shkruhej në përshkrimin e videos.

Publikimi përmendte një helikopter ushtarak në pjesën e pasme të anijes dhe e paraqiste si të paqartë arsyen e pranisë së saj. Pretendimi u përsërit në anglisht nga llogaria “Kruja Chronicles”, në rrjetin social “X”, pa të dhëna të tjera për identifikimin e mjetit.

Prania e anijeve rezultoi të ishte reale, por përkatësia amerikane dhe lidhja e tyre me protestat nuk mbështeteshin në prova dhe rezultojnë të pavërteta. Përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes për Amforën dhe dokumentimi i aktivitetit në Pashaliman dëshmojnë për zhvillimin e një stërvitjeje të NATO-s.

Në përgjigjen e dërguar, ministria konfirmoi se në Gjirin e Vlorës ishte zhvilluar stërvitja “NEPTUNE STRIKE 26-4”, nga 17 deri më 19 tetor.

“Nuk ka marrë pjesë asnjë anije amerikane”, sqaroi Ministria e Mbrojtjes për Amforën.

Sipas institucionit, anijet e pranishme ishin turke dhe aktiviteti ishte planifikuar më herët. Ministria konfirmoi gjithashtu përdorimin e dy mjeteve ajrore pa pilot në rajonin e stërvitjes pas Karaburunit.

Ndërkohë, pjesëmarrja turke në stërvitje ishte bërë publike përpara aktivitetit në Vlorë. Në një njoftim të 15 tetorit, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë kishte njoftuar angazhimin e “TCG Anadolu”, fregatës “TCG Gaziantep” dhe nëndetëses “TCG Gür” në stërvitjen e NATO-s, në disa zona detare, përfshirë Adriatikun dhe Jonin.

Më 19 tetor, agjencia e lajmeve Anadolu dokumentoi pjesëmarrjen e TCG Anadolu në stërvitje në Bazën Detare të Pashalimanit. Gjatë aktivitetit u zhvilluan demonstrime me helikopterë dhe dronë Bayraktar TB3. 

Ndërsa në publikimet e tjera, pretendimet shkuan përtej përkatësisë së anijes. Llogaria në “X” e njohur si Dunav Intel, përmendi ngjashmërinë e saj me TCG Anadolu, një fluturim të mundshëm të një droni Bayraktar dhe pretendime të mëparshme për interesat amerikane dhe izraelite në Sazan.

Publikimi i vendoste këto elemente në të njëjtin rrëfim, por nuk paraqiste prova që tregonin një lidhje operative mes tyre. 

Narrativat targetuan edhe ushtrinë dhe ambasadorin e ri amerikan

Pretendimet për anijet në Vlorë u shfaqën në një kontekst ku edhe lëvizjet e mjeteve të cilësuara si ushtarake në Tiranë ishin interpretuar si përgatitje për ndërhyrje ndaj protestuesve.

Më 15 tetor, Amfora verifikoi publikime të Syri.net dhe Lajmifundit.al, të cilat i paraqisnin pamjet e kamionëve si dëshmi se ushtria po dërgohej kundër studentëve.

Këto pretendime qarkulluan edhe jashtë mediave shqiptare, duke përdor pamje që nuk i përkasin automjeteve dhe uniformave të Ushtrisë Shqiptare.

Në Instagram, Al Arabiya publikoi pamje të një tjetër kolone automjetesh, duke i përshkruar në arabisht si nisje të dislokimit të Forcave të Armatosura në rrugët e Tiranës, mes përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve me policinë.

Llogaria powerfulcountries shkonte më tej, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama kishte urdhëruar dislokimin e njësive taktike të militarizuara dhe të armatosura rëndë për të frenuar protestuesit.

Publikimi e lidhte pakënaqësinë edhe me projektin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan, duke e paraqitur lejimin e resortit si pjesë të kritikave ndaj qeverisë. 

Ndërkohë, trendingalb raportonte se videot që qarkullonin dukej se tregonin personel ushtarak në qendër të Tiranës. Llogaria përmendte edhe pretendime për helikopterë amerikanë pranë Beratit, por i cilësonte shprehimisht si të paverifikuara. Kështu, në të njëjtin publikim ndërthureshin pamjet e protestave, prania e pretenduar ushtarake dhe dyshimet për mjete amerikane, pa konfirmuar një lidhje mes tyre.

Raportimet u shfaqën edhe në media turke. Në një artikull të publikuar në anglisht më 19 tetor, Haberler i vendoste pamjet e kolonës në kontekstin e protestave në Shqipëri.

Megjithatë, artikulli sqaronte se mungonte konfirmimi zyrtar për lidhjen e saj me protestat dhe se nuk kishte informacion të verifikuar për ndërhyrjen e ushtarëve ndaj demonstruesve apo për ngarkimin e ushtrisë me shtypjen e protestave.

Pamjet qarkulluan edhe në rusisht. Në një video të llogarisë “SPART NEWS”, kolona e kamionëve shoqërohej me mbishkrimin: “Tirana në flakë: Kolonat ushtarake hynë në kryeqytet, Rama kapet pas pushtetit”. Përshkrimi i dukshëm shtonte se Tirana ishte shndërruar natën në një “fushëbetejë”.

Nga ana tjetër petendimet për praninë e një anijeje amerikane pranë Vlorës qarkulluan edhe në llogari të huaja.

Sipas monitorimit paraprak të “Observatorit të Reziliencës” të Qendrës Amfora, llogaria DD Geopolitics shpërndau materiale mbi praninë ushtarake në zonë, në kuadrin e publikimeve që e lidhnin atë me protestat. 

Materiale me këtë tematikë u publikuan edhe nga Srbin.info, duke e çuar diskutimin edhe te audiencat serbishtfolëse.

Në një narrativë paralele, Albania News-Pravda e zhvendosi vëmendjen te interesat ekonomike të familjes Trump në Shqipëri. Duke ripublikuar një material të PolitNavigator, me titull, “Si dhëndri i Trump u bë detonatori i revolucionit shqiptar”.

Faqja e paraqiste projektin e Jared Kushner si simbol të përfitimit të elitave të huaja përballë vështirësive ekonomike të të rinjve shqiptarë.

News-Pravda është pjesë e ekosistemit të faqeve “Pravda”, të dokumentuar nga agjencia franceze “VIGINUM” në hetimin “Portal Kombat” si një rrjet që përhap përmbajtje proruse. Raporti i VIGINUM përshkruan zgjerimin e këtij ekosistemi drejt audiencave në vende të ndryshme.

Ndërsa për Srbin.info, një studim i botuar në vitin 2020 nga Qendra e Ekselencës për Komunikimet Strategjike të NATO-s, dokumentonte ripublikimin e shpeshtë të përmbajtjeve të Sputnik Srbija dhe një orientim editorial kryesisht prorus.

DD Geopolitics nga ana tjetër është përshkruar nga një analizë e Intel Focus, e publikuar në shtator 2026, si një rrjet llogarish që përhap propagandë proruse.

Narrativa për anijet u zhvillua paralelisht me pretendime për rolin e ambasadorit amerikan dhe përdorimin e mundshëm të ushtrisë gjatë protestave.

Më 16 tetor, ambasadori amerikan Eric Wendt u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji.

 Newsbomb u referohej burimeve të paidentifikuara për një mesazh të pretenduar të ambasadorit lidhur me përdorimin e ushtrisë.

Njoftimi publik i takimit, i riprodhuar në të njëjtin artikull, përmendte bashkëpunimin në mbrojtje, modernizimin e kapaciteteve dhe sigurinë kombëtare e kolektive, pa përmendur udhëzime për dislokimin e trupave.

Një artikull i “Tempull News” ngrinte gjithashtu pyetjen nëse takimi lidhej me një mesazh të pretenduar për gatishmërinë e ushtrisë, megjithëse ajo pranonte se nuk dispononte konfirmim të pavarur për ekzistencën, përmbajtjen dhe arsyen e urdhrit të pretenduar.

Në rrjetet sociale, pretendimi mori një formë më të prerë.

Publikimi nga “diaspora.news.shqip” pretendonte se ambasadori kishte urdhëruar ushtrinë shqiptare të mos ndërhynte gjatë protestave dhe i referohej disa fotove të mesazheve nga një komunikim në “WhatsApp”.

Prania reale e anijeve, pamjet e kolonave të automjeteve dhe takimi i ambasadorit amerikan me drejtuesin e ushtrisë u ndërthurën kështu në rrëfime për ndërhyrje gjatë protestave, megjithëse pa prova që t’i lidhnin këto zhvillime mes tyre, duke u përhapur gjerësisht brenda dhe jashtë vendit në kulmin e valës së protestave.

Kontributor - Amfora.al

Amfora.al është një media online kushtuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në Shqipëri, me fokus në qytetin e Durrësit. Ne synojmë të nxisim gazetarët dhe jo vetëm, të kontribuojnë me shkrime dhe mendime mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës, duke krijuar vlerë në informimin e publikut. Kjo përmbajtje është përgjegjësi e autorit të cituar në shkrim dhe jo e redaksisë sonë. Artikulli po publikohet me mbështetjen editoriale dhe në përputhje me standardet profesionale të “Amfora.al”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Certifikuar në perputhje me standarded JTI

 

 

 

The Media Outlet has benn independently certified according to the JTI Programme and CWA 17493:2019