Policia identifikon kanale komunikimi me thirrje për akte terroriste gjatë protestave
Policia e Shtetit ka identifikuar grupe komunikimi ku janë shpërndarë thirrje për akte terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të policisë. Për rastin ka nisur një procedim penal, ndërsa autoritetet po bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare për identifikimin e personave përgjegjës.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu. Foto: Pamje nga video e Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit njoftoi të premten, më 16 tetor, se gjatë protestave studentore në Tiranë janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi në internet, ku sipas saj janë shpërndarë thirrje për kryerjen e akteve terroriste dhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të policisë.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një deklaratë publike bëri të ditur se strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë monitoruar komunikimet në hapësirën virtuale, krahas veprimeve të kryera në terren gjatë protestave.
“Janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, deklaroi Ziu.
Sipas tij, për këto veprime është regjistruar një procedim penal, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me agjenci partnere ndërkombëtare, për të identifikuar adresat IP, administratorët e kanaleve dhe përdoruesit që dyshohet se kanë shpërndarë mesazhet.
Ziu paralajmëroi se përdorimi i llogarive anonime në rrjetet sociale nuk mund të shërbejë për nxitjen e dhunës dhe të akteve terroriste, duke deklaruar se persona brenda dhe jashtë Shqipërisë janë objekt i një hetimi të detajuar.
“Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh ai.
Drejtori i Rendit nuk bëri publikë emrat e kanaleve të komunikimit, platformat ku ato funksiononin apo identitetet e personave që dyshohet se kanë shpërndarë mesazhet. Në deklaratë nuk u paraqitën as përmbajtjet konkrete të komunikimeve që policia i ka cilësuar si thirrje për akte terroriste.
Gjatë deklaratës, Ziu reagoi edhe ndaj përhapjes së informacioneve të pavërteta në rrjetet sociale, të cilat, sipas Policisë së Shtetit, synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste dhe të krijojnë një klimë konfliktuale.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit”, deklaroi ai.
Reagimi vjen pas përhapjes së pretendimeve në rrjetet sociale për praninë e policëve dhe mercenarëve serbë gjatë protestave në Tiranë, të cilat u përgënjeshtruan nga Policia e Shtetit dhe nuk u mbështetën nga provat e paraqitura në publikimet e shqyrtuara nga Amfora.
Megjithatë, në deklaratën e 16 tetorit, policia nuk sqaroi nëse kanalet e komunikimit të përfshira në hetimin për thirrje terroriste kanë lidhje me llogaritë që shpërndanë pretendimet për policët serbë