BE dënon dhunën në protestat e studentëve

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi përshkallëzimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronave gjatë protestave studentore. Ai kërkoi vetëpërmbajtje dhe dialog, duke theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes duhet të respektohen.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri reagoi më 15 tetor ndaj dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke u kërkuar pjesëmarrësve të shmangnin aktet e dhunshme dhe palëve të trajtonin përmes dialogut shqetësimet e ngritura.

“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”, deklaroi përfaqësia e BE-së.  

Në qëndrimin e saj, Delegacioni u bëri thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje. Krahas dënimit të dhunës, ai rikujtoi se tubimi dhe shprehja e lirë janë të drejta themelore dhe vlera evropiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar paqësisht. Sipas përfaqësisë, dialogu mes të gjitha palëve është rruga për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime.  

Reagimi pasoi protestën e nisur më 13 tetor përpara Ministrisë së Arsimit. Kërkesat për kushte më të mira studimi u shoqëruan me përplasje mes pjesëmarrësve dhe policisë, dëmtime pronash dhe denoncime për dhunë ndaj protestuesve e gazetarëve.

Një ditë përpara kësaj deklarate, më 14 tetor, Delegacioni kishte ngritur edhe çështjen e përdorimit të forcës nga policia. Ai kishte kërkuar që pretendimet për dhunë të tepruar ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetoheshin me përparësi dhe që policia të respektonte të drejtat themelore.