Vizita e ministrit izraelit u paraqit si “dorëzim” i Shqipërisë dhe u shoqërua me thirrje për reagim qytetar

Vizita e ministrit të jashtëm izraelit Gideon Sa’ar, në Tiranë, u shoqërua me pretendime të pabazuara për “dorëzimin” e Shqipërisë dhe thirrje për reagim qytetar në media dhe rrjetet sociale. Gjatë vizitës dy vendet nënshkruan një marrëveshje për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, teknologji, energji, siguri dhe fusha të tjera.

“Ditë e rëndë për Shqipërinë: Gati dorëzimi zyrtar te sionistët!”, ishte titulli i një artikulli të publikuar më 12 tetor nga portali “Te Sheshi”, ditën e vizitës zyrtare të ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, në Shqipëri.

Shkrimi e paraqiste vizitën e ministrit izraelit si një afrim politik që i shërbente kryeministrit Edi Rama për të siguruar mbështetje ndërkombëtare dhe për të mbajtur pushtetin. Shkrimi pretendonte gjithashtu se ky afrim mund ta ekspozonte Shqipërinë ndaj përplasjeve ndërkombëtare dhe të rrezikonte sigurinë e vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sa’ar u prit në Tiranë nga homologu Ferit Hoxha për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çështjet e sigurisë rajonale e ndërkombëtare.

Gjatë takimit, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, që synon zhvillimin e partneriteteve në ekonomi, tregti, teknologji, bujqësi, menaxhimin e ujërave, energji, shëndetësi, arsim, siguri, turizëm dhe kulturë.

Në deklaratën për mediat, Hoxha përmendi edhe bashkëpunimin për sigurinë kibernetike dhe interesin e bizneseve izraelite për investime në Shqipëri.

Megjithatë, prej të hënës dhe deri në publikimin e këtij lajmi, në mediat në internet dhe rrjetet sociale qarkulluan një sërë publikimesh që e paraqitën vizitën e ministrit izraelit dhe marrëveshjen e nënshkruar si pjesë të një plani për pushtimin e Shqipërisë dhe kalimin e sektorëve strategjikë nën kontrollin e Izraelit.

“Gazeta Impakt” në një atikull të saj ngriti pyetjen se ku përfundonte interesi i Shqipërisë dhe ku fillonte “nënshtrimi politik”, duke e lidhur zgjerimin e bashkëpunimit me Izraelin me luftën në Gaza. Ndërkohë, portali “Koha Islame” e paraqiti marrëveshjen si një akt “tradhtie kombëtare”, duke përdorur krahasime historike me bashkëpunimin me regjimin nazist.

Në një tjetër artikull, portali “Te Sheshi” pretendoi se “sektorët kryesorë e më jetikë të Shqipërisë, janë tashmë dhe në duar izraelitësh”. I njëjti shkrim u ripublikua edhe nga portali në internet “Koha Islame”, duke përsëritur pretendimin se sektorët kryesorë të Shqipërisë kishin kaluar në duart e izraelitëve.

Media në internet “Mexhlis”, publikoi më 13 tetor një artikull që ngrinte pyetjen nëse Shqipëria po bëhej një “atdhe i dytë” për izreaelitët. Media në internet  “Realiteti Post”, në një artikull, ngriti pyetjen nëse Shqipëria ishte një shtet i pavarur apo një “koloni e Izraelit”. Shkrimi ngrinte shqetësime për rrezikun e varësisë strategjike nga Izraeli, duke e lidhur marrëveshjen me kontrollin e mundshëm mbi teknologjinë, infrastrukturën dhe sektorët jetikë të vendit.

Megjithatë, vetë artikulli pranonte se marrëveshjet e nënshkruara nuk provonin kontrollin izraelit mbi institucionet shqiptare, duke e paraqitur humbjen e sovranitetit si një rrezik të mundshëm dhe jo si fakt të dokumentuar.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, marrëveshja e nënshkruar më 12 tetor mes Shqipërisë dhe Izraelit krijon një kuadër të përgjithshëm bashkëpunimi ndërqeveritar në fusha si ekonomia, tregtia, teknologjia, energjia, bujqësia, shëndetësia, arsimi dhe siguria. Marrëveshje të këtij karakteri janë pjesë e praktikës së marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë edhe me shtete të tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë. Njoftimi zyrtar nuk përmend kalimin e pronësisë apo kontrollit të sektorëve strategjikë tek Izraeli.

Në rrjetet sociale, pretendimet për pushtimin e Shqipërisë u shoqëruan edhe me thirrje drejtuar qytetarëve për t’u zgjuar dhe reaguar, teksa lajmet për vizitën e ministrit izraelit u përdorën për të përhapur mesazhe alarmuese mbi të ardhmen e vendit.

Profili “Shqipëria Proteston”, publikoi në “Facebook” foto nga takimi për marrëveshjen, me mbishkrimin” “Çdo sektor = Izraelit” – të shoqëruar me thirrjen: “Çohuni o dele se s’do keni as bar për të kullot nesër”. “Shqipëria po shitet”, ishte postimi i ndarë nga disa profile aktive në protestat e muajve të fundit në vend, duke ngritur dyshime për qëllimet e këtyre marrëveshjeve.

Vizita e ministrit izraelit u lidh në publikime të tjera edhe me hetimet e SPAK për industrinë e mbrojtjes. Faqja “Hosteni.al”, përmes një postimi në Instagram, pretendoi se Gideon Sa’ar kishte lidhje familjare me biznesmenin izraelito-amerikan Ron Yeffet, në banesën e të cilit BKH kishte ushtruar kontrolle më 2 tetor.

Duke vendosur përkrah njëra-tjetrës vizitën diplomatike, lidhjen e pretenduar familjare dhe hetimet për industrinë e mbrojtjes, publikimi krijonte dyshime mbi qëllimin e vizitës. Megjithatë, nuk u paraqitën prova që e lidhnin ministrin izraelit me hetimet apo me ndonjë ndërhyrje në to.

Narrativa që lidhte izraelitët me përvetësimin e tokave shqiptare kishte qarkulluar edhe përpara vizitës së ministrit izraelit. Media online “JOQ Albania”, në një artikull të publikuar më 8 shtator, ngriti pretendime se biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet dhe kompania shtetërore “KAYO” po përfitonin nga marrja e pronave në Shqipëri.

Duke iu referuar deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, publikimi ngrinte gjithashtu dyshime se zjarret po përdoreshin për të mundësuar kalimin e tokave te investitorët izraelitë, përmes nismës “Paketa e Maleve”. Artikulli nuk paraqiste prova që lidhnin shtetasit izraelitë apo kompaninë “KAYO” me zjarrvëniet.

Kjo narrativë e gjerë ka qarkulluar edhe më parë në mediat në internet dhe rrjetet sociale, ku shtetasit izraelitë janë lidhur me ngjarje të ndryshme pa prova. Gjatë verës, ata u fajësuan për zjarret në Shqipëri, përmes pretendimeve se tokat po digjeshin që më pas të bliheshin nga investitorë izraelitë, pa u paraqitur prova që i lidhnin me zjarrvëniet.

Pretendimet për ndikimin e izraelitëve në Shqipëri ishin shfaqur më herët edhe në debatin për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë. Një investigim i Amfora.al dokumentoi se si godina ku po ndërtohej muzeu ishte paraqitur gabimisht si ish-selia e Klubit Patriotik “Labëria”.

Vizita e 12 tetorit u përdor kështu për të rikthyer pretendime për ndikimin izraelit në vend. Marrëveshja e bashkëpunimit është konfirmuar nga autoritetet, por nuk ka prova se ajo përbën pushtim të Shqipërisë apo dorëzim të sektorëve strategjikë.