Institucionet kërcënohen sërish me bomba, rasti i dytë që nga muaji gusht

Disa institucione shtetërore morën më 9 tetor mesazhe elektronike që pretendonin vendosjen e lëndëve shpërthyese në godinat e tyre, përfshirë Gjykatën e Beratit. Policia njoftoi se kontrollet e deritanishme nuk kishin evidentuar lëndë shpërthyese, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e dërguesit.

Policia e Shtetit nisi më 9 tetor 2026 verifikimet në disa institucione shtetërore në Shqipëri, pasi në adresat e tyre zyrtare elektronike mbërriti një mesazh kërcënues që pretendonte vendosjen e lëndëve shpërthyese.

“Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese”, njoftoi Policia e Shtetit.  

Mes institucioneve që morën kërcënimin ishte edhe Gjykata e Beratit. Në përgjigjen zyrtare për mediat, gjykata konfirmoi marrjen e mesazhit dhe njoftimin e autoriteteve për të kontrolluar situatën.

“Po, edhe në Gjykatën tonë ka ardhur e-mail për bombë apo mjet shpërthyes. Nga ana jonë është njoftuar policia dhe organet e tjera kompetente”, sqaroi institucioni.

Gjykata bëri të ditur se verifikimet po kryheshin sipas protokollit të sigurisë. Në përgjigje nuk u sqarua nëse situata kishte sjellë evakuimin e godinës apo ndërprerjen e seancave gjyqësore.

Njoftimi i Policisë së Shtetit nuk përcakton numrin dhe emrat e institucioneve që morën mesazhin. Ai konfirmon nisjen e kontrolleve dhe hetimin për burimin e kërcënimit, por nuk identifikon dërguesin apo prejardhjen e tij.  

Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë, me përfshirjen e strukturave të specializuara të policisë.  Edhe më 27 gusht 2026, disa institucione në qytete të ndryshme të vendit morën kërcënime për vendosje bombash përmes postës elektronike, por kontrollet e policisë nuk zbuluan lëndë shpërthyese.