Kuvendi miraton shkrirjen e 15 bashkive mes protestave dhe kundërshtimeve vendore

Kuvendi miratoi kalimin nga 61 në 46 bashki, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve të banorëve e këshillave vendorë të disa prej njësive të prekura. Kryeministri Edi Rama e cilësoi votimin si një hap modernizues, ndërsa kundërshtarët ngritën shqetësime për largimin e shërbimeve dhe dobësimin e përfaqësimit të komuniteteve.

Kuvendi miratoi në orët e para të 9 tetorit 2026 ndarjen e re territoriale të Shqipërisë, me 85 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim, pas seancës së nisur të enjten dhe protestave kundër shkrirjes së bashkive. Nisma e mbështetur nga mazhoranca e ul numrin e tyre nga 61 në 46.

“Votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkroi kryeministri Edi Rama mëngjesin e së premtes në një postim në X.

Rama iu referua debateve të brendshme dhe kundërshtimeve ndaj reformës, duke shtuar se nuk duhet të bëhen “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.

Miratimi i hartës së re erdhi pas protestave dhe një procesi të shoqëruar me kundërshtime edhe nga institucionet vendore. Mazhoranca e ka paraqitur bashkimin e njësive si mënyrë për të forcuar financat dhe përmirësuar shërbimet, ndërsa në disa nga bashkitë e prekura banorët dhe përfaqësuesit e tyre kanë kërkuar ruajtjen e njësive ekzistuese.

Në Poliçan, të 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan kundër bashkimit me Beratin dhe paralajmëruan dorëheqjen nëse Kuvendi miratonte shkrirjen. Kryebashkiaku Adriatik Zotkaj kërkoi që të merrej parasysh qëndrimi i komunitetit.

“Do të jetë një turp për parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, deklaroi ai gjatë mbledhjes së gushtit.  

Banorët gjatë një proteste kundër shkrirjes së Bashkisë Poliçan, përpara miratimit të reformës. Foto: Bashkëpunëtori i Medias Amfora në Qarkun e Beratit

Gjatë seancës së 8 tetorit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi që qytetarët të vendosnin për reformën përmes referendumit. Ai argumentoi se ndryshimet prekin shërbimet publike dhe të ardhmen e komuniteteve.

“Të shkojmë në referendum me dy variantet, cilin variant të votojnë qytetarët, atë variant të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu”, deklaroi Berisha. 

Jashtë Kuvendit, protesta kundër reformës u shoqërua me përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Punonjësit e policisë përdorën spraj lotsjellës, ndërsa disa protestues patën nevojë për ndihmë mjekësore.

Kundërshtime pati edhe brenda mazhorancës, por ato nuk u përkthyen të gjitha në vota kundër. Deputeti socialist Erion Braçe votoi pro reformës, ndonëse e kishte kundërshtuar gjatë debatit.

“Jam kundër kësaj harte”, deklaroi ai para gazetarëve edhe pas votimit.  

Në votim ishte e pranishme edhe Belinda Balluku, pas mungesës në disa seanca të mëparshme. Ish-zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. 

Pas miratimit reagoi edhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili e kundërshtoi reformën duke pretenduar se ajo nxit shpopullimin. Ai kritikoi gjithashtu drejtimin e opozitës për mënyrën se si e kishte përballuar procesin dhe kërkoi dorëheqjen e Berishës.

“Një opozitë që nuk mobilizon, nuk bashkon dhe nuk ofron alternativë, nuk mund ta mundë atë”, shkroi Salianji, duke iu referuar Ramës.  

Me votimin përfundimtar, mazhoranca miratoi hartën e re pavarësisht kërkesave për ruajtjen e disa prej bashkive. Kundërshtimet e këshillave vendorë dhe protestat nuk e ndalën miratimin e ndarjes me 46 njësi. 

Sipas ndarjes së re, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani me Beratin, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, ndërsa Prrenjasi me Librazhdin.