Durrësi përmbytet sërish, bashkia deklaroi 48 kilometra kanale të pastruara
Reshjet e para të vjeshtës shkaktuan përmbytje dhe kaos në Durrës, me rrugë të pakalueshme, automjete të bllokuara në trafik dhe mungesë energjie elektrike në disa zona. Rrugët u mbushën me ujë dhe pusetat u gjetën të bllokuara, ndonëse bashkia kishte deklaruar pastrimin e kanale kulluese.
Rrugë e përmbytur pranë Spitalit Rajonal të Durrësit. Foto: Media Amfora
Reshjet e shiut përmbytën mëngjesin e 9 tetorit 2026 rrugë pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, stadiumit, Vollgën dhe në lagjen nr. 18 të Durrësit, ndonëse bashkia kishte njoftuar ndërhyrje në rrjetin kullues për të ulur rrezikun nga përmbytjet.
“Punimet për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrjetit kullues do të vijojnë në zonën Shkozet–Plazh”, deklaronte kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, më 9 korrik. Sipas saj, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit ishin kryer ndërhyrje në 24 segmente kanalesh, me gjatësi të përgjithshme prej 48 kilometrash.
Mëngjesin e së premtes, këmbësorët e kishin të pamundur të kalonin nga njëra anë e rrugës në tjetrën në disa prej zonave të përmbytura. Automjetet lëviznin mes ujit dhe krijonin radhë, ndërsa punonjës të policisë drejtonin qarkullimin në kryqëzime.
Nga vëzhgimi në terren u konstatuan puseta të bllokuara dhe të tjera të hapura. Një pusetë e hapur ndodhej pranë KMY-së, në rrugën “Aleksandër Goga”, në drejtim të policisë, duke shtuar rrezikun për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.
Fotografitë e mëngjesit tregojnë automjete me rrotat të mbuluara nga uji. Edhe në praninë e policisë, trafiku mbetej i rënduar në rrugët e prekura.
Në disa lagje u vu re mungesë energjie elektrike. Ndriçimi publik në rrugët e vëzhguara ishte i fikur që rreth orës 06:00, kur ende ishte errësirë. Arsyeja e ndërprerjeve nuk është konfirmuar.

Kontakti me energjinë elektrike gjatë përmbytjeve ka shkaktuar më parë humbje jete në qytet. Më 11 shtator 2025, një 43-vjeçar humbi jetën në lagjen nr. 6, pasi, sipas policisë, dyshohej se kishte rënë në kontakt me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi gjatë reshjeve që kishin mbushur rrugët me ujë.
Përmbytjet e së premtes pasojnë ato të fillimit të janarit 2026, kur uji përfshiu banesa, biznese dhe rrugë në Durrës, duke detyruar qindra banorë të largoheshin nga shtëpitë. Pas tyre, bashkia njoftoi punime për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve.
Por shqetësime për ndërhyrjet mbetën edhe gjatë verës. Në rrugën “Princesha Etleva”, mes Shkozetit dhe Plazhit, banorët kërkonin në shtator sistemimin e një kanali që bashkia e kishte hapur në prill, duke prishur tubacionin e ndërtuar me kontributet e tyre.
Kanali mbetej i zbuluar pranë banesave dhe pjesë të rrugës ishin dëmtuar. Rreth 50 familje shkarkonin ujërat e zeza në të, ndërsa banorët kërkonin përfundimin e punimeve përpara nisjes së shirave.

Edhe në fund të shtatorit, Sako njoftonte pastrimin e Kanalit Kullues të Parë, në zonën e Durrësit të Ri, si ndërhyrje për përmirësimin e shkarkimit të ujërave.
Pas këtyre njoftimeve, reshjet e 9 tetorit sollën sërish rrugë të përmbytura dhe vështirësi në lëvizje. Vetëm katër ditë pasi nisi parkimi me pagesë, drejtuesit e mjeteve në Durrës u përballën me rrugë të përmbytura dhe trafik të bllokuar.