Protesta kundër reformës territoriale, përplasje dhe spraj lotsjellës para Kuvendit
Qytetarë që kundërshtojnë reformën territoriale u përplasën me policinë para Kuvendit, ndërsa brenda zhvillohej seanca parlamentare. Efektivët përdorën spraj lotsjellës dhe disa protestues shfaqën shqetësime, ndërsa një qytetar u transportua me ambulancë drejt spitalit.
Policia duke hedhur sprajt lotsjellës gjatl protestës para Kuvendit. Foto: Pjesë nga vieo Sidorela Vatnikaj
Protesta kundër reformës territoriale u shoqërua me përplasje mes qytetarëve dhe policisë të enjten e 8 tetorit në Tiranë, ku banorë të bashkive të prekura nga ndryshimet e propozuara u mblodhën para Kuvendit për të kundërshtuar bashkimin e tyre me bashki të tjera.
“Shkrini qeverinë, jo bashkitë”, ishte një prej mesazheve të protestës, e cila u zhvillua paralelisht me shqyrtimin e projektligjit në sallën e Parlamentit.
Përreth godinës ishin vendosur barriera metalike dhe forca policie. Tensionet u shtuan kur efektivët u kërkuan protestuesve të lironin rrugën. Në përplasjet me policinë u përfshi edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj.
Gjatë tubimit, policia përdori spraj lotsjellës. Disa qytetarë shfaqën shqetësime dhe u larguan nga zona ku ishte hedhur spraji, ndërsa një prej tyre u transportua me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Raportimet nga protesta përshkruan edhe hedhje uji dhe vezësh në drejtim të efektivëve.
Mes protestuesve ishte edhe kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hil Curri, i cili kundërshtoi ndryshimet e propozuara dhe e cilësoi reformën si të diktuar nga interesa klienteliste.
“Nuk është hartë për qytetarët”, deklaroi Curri gjatë protestës. Ai argumentoi se bashkitë e prekura kanë historinë dhe identitetin e tyre dhe u kërkoi deputetëve të mos e miratonin projektin.
Kundërshtimi jashtë Kuvendit lidhet me ndryshimin e organizimit të pushtetit vendor dhe mënyrën se si komunitetet do të marrin shërbimet. Protestuesit kërkuan ruajtjen e bashkive të tyre, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan projektin edhe brenda sallës.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, kërkoi që vendimi për hartën territoriale t’u lihet qytetarëve përmes një referendumi.
“Të shkojmë në referendum me dy variantet, cilin variant të votojnë qytetarët, atë variant të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu”, tha Berisha.
Nga mazhoranca, bashkëkryetari i komisionit për reformën territoriale, Arbjan Mazniku, e mbrojti nismën me argumentin se synon forcimin e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve. Ai i ftoi deputetët e opozitës të bashkëpunojnë për kompetencat dhe financat vendore. Reforma propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, me argumentin e forcimit të financave dhe përmirësimit të shërbimeve, ndërsa banorë dhe drejtues vendorë e kundërshtojnë nga shqetësimi se shërbimet do të largohen dhe kostot për qytetarët do të rriten.