Shpërthim me lëndë plasëse në Fllakë, rasti i katërt në Qarkun e Durrësit brenda shtatorit
Një sasi lënde plasëse shpërtheu në derën e një lokali në Fllakë të Durrësit, duke shkaktuar dëme materiale. Ngjarja është rasti i katërt me shpërthim eksplozivi i regjistruar gjatë shtatorit në qark, ndërsa autorët dhe motivet e episodeve të fundit mbeten të paqarta.
Drejtoria Vendore e Policisë Qarku Durrës. Foto ilustruese Media Amfora
Një sasi lënde plasëse, e vendosur në derën e një lokali në Sektorin Fllakë të Durrësit, shpërtheu mëngjesin e së mërkurës, kur biznesi ishte i mbyllur, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa policia ende nuk ka identifikuar autorët.
“Rreth orës 05:00, në Sektor Fllakë, në derën e lokalit në përdorim të shtetasve R. B. dhe E. B., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse”, njoftoi Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar. Policia nuk ka bërë të ditur motivin e mundshëm të ngjarjes apo llojin e lëndës plasëse të përdorur.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ndërsa sipas informacionit paraprak po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit ose personave që vendosën lëndën plasëse.
Ngjarja në Fllakë vjen pas dy shpërthimeve të regjistruara brenda 40 minutave në Durrës. Më 3 shtator, një sasi eksplozivi shpërtheu pranë derës së lokalit “Lords”, në lagjen nr. 11, ndërsa pak më vonë një tjetër shpërthim dëmtoi derën e një garazhi në zonën e Shkallnurit. Në të dyja rastet pati vetëm dëme materiale.
Më 15 shtator, një tjetër sasi lënde plasëse dyshohet se shpërtheu në oborrin e një banese të pabanuar në fshatin Ardhishtë të Shijakut, duke dëmtuar portën e saj. Edhe në atë ngjarje policia nuk bëri publik ndonjë motiv apo person të dyshuar.
Vetëm pak javë më parë, më 28 gusht, specialistët xhenierë ndërhynë në lagjen nr. 3 të Durrësit, pasi një aparat celular u gjet i lidhur me një objekt të dyshimtë. Objekti u largua nga specialistët, ndërsa hetimet për eksplozivin vijojnë.
Duke përfshirë ngjarjen e së mërkurës në Fllakë, gjatë shtatorit në qarkun e Durrësit janë regjistruar katër shpërthime ku policia ka raportuar përdorimin ose dyshimin për përdorimin e lëndëve plasëse: dy më 3 shtator në Durrës dhe Shkallnur, një më 15 shtator në Shijak dhe rasti i fundit në Fllakë.
Në një hark kohor prej rreth një viti e gjysmë, Amfora ka dokumentuar edhe episode të tjera me eksploziv në Durrës, përfshirë lëndë të gjetura dhe neutralizuara pa shpërthyer. Deri në njoftimin paraprak për rastin e Fllakës, policia nuk kishte bërë publik ndonjë lidhje mes ngjarjeve të fundit.