Aksidentet rrugore rriten me 58% në Durrës, qarku i treti në vend për numrin e rasteve

Në Durrës u regjistruan 98 aksidente rrugore gjatë tetë muajve të parë të vitit, nga 62 në të njëjtën periudhë të 2025-s. Vetëm në gusht rastet u trefishuan, duke e renditur qarkun të dytin në vend pas Tiranës për numrin e aksidenteve të muajit.

Qarku i Durrësit regjistroi 98 aksidente rrugore nga janari në gusht 2026, 36 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u renditur i treti në vend pas Tiranës dhe Lezhës, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT). 

Vetëm gjatë gushtit në Durrës u regjistruan 24 aksidente, kundrejt tetë rasteve në gusht 2025, duke e trefishuar numrin brenda një viti. Në këto ngjarje mbetën të vrarë ose të plagosur 36 persona, nga 19 që ishin regjistruar në të njëjtin muaj të një viti më parë. 

Me 24 aksidente gjatë gushtit, Durrësi ishte qarku i dytë me numrin më të lartë të rasteve në Shqipëri, pas Tiranës me 33 aksidente. Pas tij renditej Lezha me 21 raste, ndërsa Gjirokastra, Korça dhe Vlora regjistruan nga 13 aksidente secila. 

Rritja në Durrës bëhet më e dukshme kur krahasohen tetë muajt e parë të dy viteve. Nga 62 aksidente në janar-gusht 2025, numri arriti në 98 këtë vit, ose rreth 58% më shumë. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur së bashku u rrit nga 93 në 139. 

Në renditjen kombëtare për periudhën janar-gusht, Tirana mban numrin më të lartë me 369 aksidente, e ndjekur nga Lezha me 115 dhe Durrësi me 98. Vlora regjistroi 92 raste, ndërsa Fieri 75. Kjo do të thotë se rreth një në dhjetë aksidente të regjistruara në vend gjatë tetëmujorit ka ndodhur në qarkun e Durrësit. 

Të dhënat tregojnë se rritja në Durrës është përqendruar veçanërisht gjatë muajve të verës. Në qershor u regjistruan 21 aksidente, në korrik 15 dhe në gusht 24, ose 60 raste vetëm gjatë këtyre tre muajve. Kjo përbën mbi 60% të të gjitha aksidenteve të regjistruara në qark gjatë tetë muajve të parë të vitit. 

Në rang vendi, gjatë periudhës janar-gusht u regjistruan 983 aksidente rrugore, nga 926 në të njëjtën periudhë të 2025-s, një rritje prej 6,2%. Vetëm në gusht u shënuan 139 aksidente, me 191 persona të vrarë ose të plagosur. 

Sipas INSTAT-it, 86,3% e aksidenteve të regjistruara në Shqipëri gjatë gushtit lidhen me sjelljen e drejtuesve të mjeteve, ku përfshihen shkelje si mosrespektimi i shpejtësisë apo i sinjalistikës. Grupmosha 25-34 vjeç përbënte 31,7% të aksidenteve të muajit, ndërsa intervali 19:00-24:00 kishte numrin më të lartë të rasteve.