Vargjet nga kujtimi i diktaturës u paraqitën si “glorifikim i Enver Hoxhës” në Lushnjë

Një fragment videoje nga një aktivitet letrar në Bibliotekën e Lushnjës u shpërnda në rrjetet sociale dhe në media si një rast ku pretendohej se po glorifikohej diktatori Enver Hoxha. Por vargjet ishin pjesë e rrëfimit të vajzës së një familjeje të persekutuar, e cila kujtonte se si ishte detyruar gjatë komunizmit të recitonte një poezi për diktatorin.

Një fragment videoje nga një aktivitet letrar në Bibliotekën e Lushnjës u shpërnda në rrjetet sociale dhe në media si “glorifikim” i diktatorit Enver Hoxha, ndërsa vargjet e recituara ishin pjesë e rrëfimit të vajzës së një familjeje të persekutuar, e cila kujtonte se si ishte detyruar gjatë komunizmit të recitonte një poezi për të.  

“Në ambientet e Bibliotekës, brenda godinës së Muzeut të qytetit, i cili administrohet nga Bashkia Lushnjë – glorifikohet diktatori, i këndohet dhe duartrokitet”, shkroi Korreshi.

Ai e cilësoi ngjarjen “skandal bashkiak” dhe kërkoi që kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e cila ishte e pranishme në aktivitet, të kërkonte ndjesë publike.

Pas publikimit të postimit, pretendimi u përhap edhe në mediat në internet, të cilat e raportuan aktivitetin si “glorifikim të diktatorit”, duke u mbështetur te fragmenti dhe reagimi i deputetit, pa përfshirë kontekstin e plotë të videos. Disa prej shkrimeve riprodhuan edhe formulimin se në ambientet e Bibliotekës ishte “kënduar dhe duartrokitur për diktatorin”.

Fragmenti i shpërndarë përmbante momentin e recitimit, por jo rrëfimin që i paraprinte atij.

Në videon e plotë, Florika Ngucaj, vajza e Neki Ngucajt, shpjegon se po rikthente një kujtim nga fëmijëria e saj gjatë regjimit komunist. Ajo tregoi se kur vdiq Enver Hoxha ishte nxënëse dhe ishte detyruar të përgatitej për të recituar një poezi për të.

Ngucaj tregoi gjithashtu se familja e saj ishte e persekutuar nga regjimi dhe se gjyshi i saj ishte vrarë gjatë diktaturës. Frika që një paraqitje jo e mirë mund të sillte pasoja për të atin ishte pjesë e kujtimit që ajo po përcillte përpara të pranishmëve.

Pas këtij shpjegimi ajo recitoi vargjet që, të shkëputura nga pjesa paraprake e videos, u shpërndanë më pas si lavdërim për Enver Hoxhën.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Lushnjë, organizatore e aktivitetit, reagoi duke thënë se materiali ishte nxjerrë nga konteksti.

Sipas sqarimit të saj, familja Ngucaj ishte persekutuar dhe internuar gjatë regjimit komunist, ndërsa rrëfimi synonte të tregonte indoktrinimin dhe presionin që diktatura ushtronte edhe mbi fëmijët e familjeve të persekutuara.

“Vajza e tij Flora shprehet me ironi të thellë sesi komunizmi jo vetëm i vrau gjyshin, i persekutoi si familje, por i përdhosi ndjenjat deri sa u detyrua të recitojë një poezi për Enverin, se në të kundërt i burgosej babai”, shkruhej në reagimin e organizatorëve.

Për çështjen reagoi edhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa. Ajo sqaroi se aktiviteti nuk ishte organizuar nga Bashkia Lushnjë apo Biblioteka, por nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe se kishte marrë pjesë me ftesë të familjarëve të autorit.

Sefa e cilësoi publikimin e fragmentit si nxjerrje nga konteksti të një pjese të rrëfimit.

“Poezia e recituar, sikurse tha vetë vajza e autorit z. Neki Ngucaj, rikthehej në vëmendje për të dëshmuar sa e rëndë ishte në atë periudhë të recitoje vargje për diktatorin, në një kohë që diktatura kishte persekutuar dhe kishte vrarë anëtarë të familjes”, shkroi kryebashkiakja.

Pas sqarimeve, Korreshi reagoi sërish duke mos ndryshuar qëndrimin e tij. Ai argumentoi se, pavarësisht kontekstit në të cilin ishte bërë recitimi, vargje të tilla nuk duhet të recitoheshin në një institucion publik.

“Qëndrimi im është i palëkundur, të jesh i përndjekur nuk të jep të drejtën të recitosh në institucionet shtetërore”, shkroi ai, duke pretenduar gjithashtu se ekzistojnë rezoluta që ndalojnë veprime të tilla.

Konteksti i plotë i videos, megjithatë, tregon se recitimi nuk u prezantua nga folësja si lavdërim për Enver Hoxhën. Vargjet ishin pjesë e një dëshmie personale për indoktrinimin, frikën dhe persekutimin e përjetuar nga familja e saj gjatë regjimit komunist.

Materiali i shkurtuar dhe shpërndarja e tij pa pjesën shpjeguese krijuan një kuptim të ndryshëm nga ai që përcillte ndërhyrja e plotë gjatë aktivitetit të zhvilluar më 19 shtator.