Nga Kanadaja në Durrës, rreth 188 kg kanabis kapen brenda 18 ditësh
Dy ngarkesa me rreth 188 kilogramë kanabis nga Kanadaja u zbuluan në Portin e Durrësit brenda 18 ditësh. Droga ishte fshehur në hapësira të modifikuara të automjeteve, ndërsa policia nuk ka bërë të ditur nëse rastet lidhen me të njëjtin rrjet.
Pakot me kanabis të sekuestruara në Portin e Durrësit. “Screenshot” nga videoja e Policisë së Shtetit.
Një kontejner i ardhur nga Kanadaja, me dy automjete dhe një kamper brenda tij, u kontrollua më 9 shtator në Portin e Durrësit. Kur kontrolli u përqendrua te kamperi, në hapësira të modifikuara dhe të mbuluara me veshje druri u gjetën 190 pako me kanabis.
Pesha e tyre arriti në 107.7 kilogramë dhe lënda narkotike, sipas Policisë së Shtetit, ishte e llojit të njohur si “Gelato”. Autoritetet e vlerësuan ngarkesën në rreth 1.2 milionë euro. Në mjet u gjetën edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave kishin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë të (THC)-së, substancës së kanabisit që shkakton efektin psikoaktiv.
Sipas policisë, hetimet paraprake tregojnë se kanabisi sigurohej në Kanada dhe më pas fshihej në hapësira të krijuara posaçërisht në automjete të porositura për blerje, për t’u transportuar drejt Shqipërisë. Për rastin e fundit janë shpallur në kërkim dy persona, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike për shkak të hetimeve.
Por rasti i shtatorit nuk ishte i pari këtë verë me kanabis të fshehur në një automjet të ardhur nga Kanadaja.
Vetëm 18 ditë më herët, më 22 gusht, një automjet tjetër rezultoi i modifikuar për transportimin e 127 pakove me rreth 80 kilogramë kanabis “Gelato”. Në këtë rast, hetimet e policisë e çuan origjinën e lëndës narkotike në Ontario të Kanadasë.
Automjeti ishte porositur për blerje në Kanada dhe kishte një hapësirë të posaçme ku ishte fshehur droga. Sipas policisë, pas mbërritjes në Shqipëri, kanabisi dyshohet se shpërndahej më tej në territorin shqiptar dhe në Kosovë.
Tre shtetas kosovarë u arrestuan në kuadër të këtij hetimi, ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim. Njëri prej tyre rezultonte banues në Kukës dhe tjetri në Ontario. Sipas policisë, personat e përfshirë dyshohet se kishin role të ndara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e drogës.
Në njoftimet publike të Policisë së Shtetit të verifikuara nga Amfora për vitin 2026, këto janë dy rastet e identifikuara me itinerarin Kanada-Porti i Durrësit dhe me kanabis të fshehur në hapësira të modifikuara të automjeteve.
Të dyja ngarkesat kanë disa elemente të përbashkëta: vinin nga Kanadaja, përmbanin kanabis të cilësuar nga policia si “Gelato” dhe droga ishte fshehur në mjete të modifikuara për transportimin e saj.
Në total, në dy rastet u sekuestruan 317 pako me rreth 187.7 kilogramë kanabis. Sipas vlerësimeve të bëra publike nga policia për secilën ngarkesë, droga kapte një vlerë të përbashkët prej rreth 2.2 milionë eurosh.
Rasti i gushtit u hetua në kuadër të operacionit të quajtur “Anchor”, ndërsa policia e emërtoi operacionin e shtatorit “Anchor 2”. Megjithatë, në informacionet publike deri më tani nuk është sqaruar nëse dy operacionet janë pjesë e të njëjtit procedim penal dhe nëse dy ngarkesat lidhen me të njëjtin rrjet trafikimi.
Për rastin e fundit, hetimet vijojnë për të përcaktuar destinacionin e kanabisit dhe personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në transportimin e tij.