Dy shpërthime brenda natës në Durrës, 5 raste me eksploziv në rreth një vit e gjysmë

Dy shpërthime me lëndë plasëse u regjistruan brenda 40 minutave në Durrës, njëri në një lokal dhe tjetri në një garazh. Ngjarjet e çojnë në 5 numrin e rasteve të lidhura me eksploziv në qytet në rreth një vit e gjysmë, ndërsa asnjë prej tyre nuk është zbardhur.

Pranë bordurës, në krah të një vazoje me lule, ishte vendosur sasia e lëndës plasëse që shpërtheu në orët e para të së enjtes në derën e jashtme të një lokali në lagjen nr. 11 të Durrësit.

Zona ku ndodhi shpërthimi është një hapësirë e frekuentuar e qytetit, me lokale dhe biznese në të dyja anët. Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, ndërsa sipas policisë u shkaktuan vetëm dëme të lehta materiale.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:50 të 3 shtatorit në zonën e njohur si lulishtja pranë Mauzoleumit. ndërsa policia nuk dha të dhëna për rrethanat apo motivet e mundshme.

“Në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse”, njoftoi policia.

Shpërthimi në lokalin e identifikuar nga policia me emrin “Lords”, nuk ishte rasti i vetëm gjatë natës në Durrës.

Policia gjatë hetimeve në zonën pranë Mauzoleumit pas shpërthimit me lëndë plasëse. Foto: Media Amfora

Rreth 40 minuta më vonë, në orën 04:30, një tjetër sasi lënde plasëse u hodh në derën e garazhit të një automjeti në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës automobilistike. Edhe në këtë rast u shkaktuan vetëm dëme materiale.

“Në anë të rrugës Plepa-Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale”, njoftoi komunikata për shtyp. 

Policia nuk ka bërë të ditur nëse dy shpërthimet mund të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledhin dhe administrojnë provat për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Dy ngjarjet vijnë vetëm pak ditë pas një tjetër rasti me lëndë plasëse në Durrës. Më 28 gusht, një sasi lënde plasëse lidhur me një aparat celular u gjet në lagjen nr. 3 dhe u çaktivizua nga specialistët xhenierë të RENEA-s.

Ai ishte rasti i tretë i lidhur me eksploziv në qytet në rreth një vit e gjysmë. Dy rastet e tjera janë regjistruar më 20 maj dhe 14 shtator 2025, ndërsa deri në fund të gushtit nuk është njoftuar zyrtarisht zbardhja e tyre.

Edhe për rastin e 28 gushtit policia njoftoi se hetimet vijonin për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Me dy shpërthimet e regjistruara më 3 shtator, numri i ngjarjeve të lidhura me eksploziv në Durrës arrin në 5 në rreth një vit e gjysmë.