Zgjerohet harta e zjarreve, vatër edhe në Skrapar

Katër vatra zjarri mbetën aktive mbrëmjen e 1 shtatorit në vend, ndërsa harta e zonave të prekura u zgjerua edhe në Skrapar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga 17 vatra të raportuara, 11 u shuan dhe 2 të tjera mbetën nën mbikëqyrje.

Zjarret vijuan gjatë së martës në Dajt, Vajkal të Bulqizës dhe Lundre të Matit, ndërsa në përditësimin e mbrëmjes Ministria e Mbrojtjes raportoi si aktive edhe një vatër në Therepel të Skraparit.

Sipas informacionit operacional të orës 20:00, në të gjithë vendin ishin raportuar 17 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeteshin aktive, 2 nën mbikëqyrje dhe 11 ishin shuar plotësisht.

Në Lundre, në bashkinë Mat, situata favorizohej nga era. Për përballimin e flakëve ishin angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijonte në terren shkëmbor dhe kishte përshkuar mbi 13 hektarë. Ministria raportoi 48 forca të angazhuara në operacion dhe bëri të ditur se nuk kishte rrezik për banesat.

Një tjetër vatër vijonte në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, ku në terren ishin angazhuar 68 forca. Edhe në këtë zonë nuk raportohej rrezik për zonat e banuara.

Harta e vatrave aktive përfshiu ndërkohë edhe Therepelin në Skrapar. Në operacion u angazhuan forcat zjarrfikëse të Skraparit, Beratit dhe Poliçanit, vullnetarë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Berat bëri të ditur se ndërhyrja kishte nisur pas sinjalizimit të marrë në orën 15:10 dhe se, për shkak të përmasave të zjarrit dhe pranisë së infrastrukturës së rëndësishme pranë zonës, në operacion ishin përfshirë disa struktura.

“Zjarri u vu nën kontroll dhe u shua, ndërsa sipërfaqja e prekur vlerësohet paraprakisht rreth 15 hektarë. Për garantimin e sigurisë dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave, vijon monitorimi i zonës”, njoftoi Institucioni i Prefektit të Qarkut Berat.

Dy vatra të tjera, në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit–Prrenjas, mbetën nën mbikëqyrje dhe nuk paraqisnin rrezik për zonat e banuara.

Në total, për përballimin e zjarreve u angazhuan 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura mbështetën operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se vijon monitorimin e situatës në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.