Tensionet në protestën e 1 shtatorit para Kryeministrisë, 14 protestues të arrestuar

14 protestues u arrestuan pas tensioneve të shënuara mbrëmjen e 1 shtatorit para Kryeministrisë. Ata akuzohen se bllokuan hyrje-daljet e institucionit dhe kundërshtuan efektivët gjatë ndërhyrjes, ndërsa përfaqësues të protestës i cilësuan të arrestuarit si paqësorë dhe reaguan kundër asaj që e quajtën “dhunë të shtetit”.

Tensionet mes protestuesve dhe policisë mbrëmjen e 1 shtatorit para Kryeministrisë u pasuan nga arrestimi i 14 personave dhe procedimi penal në gjendje të lirë i 3 të tjerëve, ndërsa protesta kundër qeverisë parashikohet të vijojë këtë të mërkurë në ditën e 95-të të saj.

Mes të arrestuarve mësohet se janë Arvina Lleshi, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, të identifikuar si organizatorë të protestës. Policia e Tiranës njoftoi më 2 shtator se arrestimet u kryen pas veprimeve hetimore për tubimin e një dite më parë, ndërsa materialet ndaj 3 personave të tjerë u referuan në prokurori për procedim në gjendje të lirë.

Protesta e së martës nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë, duke vijuar një ritual që prej muajsh shoqëron lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove”. Por ndryshe nga tubimet e mëparshme, një grup protestuesish u pozicionua pranë hyrje-daljeve në anën jugore të Kryeministrisë dhe refuzoi të largohej.

Sipas policisë, rreth orës 20:00 protestuesit u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, duke bllokuar hyrje-daljet e institucionit, ndërkohë që brenda tij ndodheshin, sipas njoftimit, “personalitete të larta shtetërore”.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë krijuan një kordon sigurie, ndërsa për rreth 30 minuta iu kërkuan protestuesve nëpërmjet megafonit që të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.

Përplasja nisi kur policia ndërhyri për zhvendosjen e tyre dhe lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë. Sipas versionit zyrtar, protestuesit bënë rezistencë, u ulën në rrugë dhe vijuan bllokimin, ndërsa disa prej tyre shtynë dhe goditën punonjësit e policisë.

“Pavarësisht thirrjeve të Policisë, tubuesit vijuan me thirrje dhe veprime aktive për kundërshtimin me forcë të punonjësve të Policisë të planëzuar në kordonin e sigurisë”, njoftoi Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Gjatë tensioneve u shtuan forcat policore pranë Kryeministrisë, ndërsa në zonë mbërritën edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe një autobot uji. Pas ndërhyrjes nisën shoqërimet e protestuesve, ndërsa tubimi u zhvendos më pas pranë komisariateve ku ishin dërguar disa prej tyre.

Përfaqësues të protestës e kundërshtuan mënyrën se si policia i trajtoi pjesëmarrësit dhe i cilësuan të arrestuarit si protestues paqësorë. Sidorela Vatnikaj, një prej zërave të protestës, bëri thirrje që tubimi të vijojë edhe mbrëmjen e 2 shtatorit, këtë herë edhe në solidaritet me personat e arrestuar.

“14 protestues paqësorë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen të burgosur në bllokun e sigurisë, ndërkohë që protesta shënon sot ditën e saj të 95-të”, shkroi Vatnikaj.

Ajo e cilësoi tubimin e radhës edhe si reagim “kundër dhunës së shtetit dhe shtetit të dhunës”, duke bërë thirrje për t’u mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej” dhe për të marshuar drejt Kryeministrisë.

Për ndërhyrjen e policisë reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili akuzoi efektivët për ushtrim dhune ndaj protestuesve dhe kërkoi ndalimin e saj.

Materialet procedurale për të arrestuarit dhe të proceduarit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Veprat penale të referuara nga policia janë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Protesta që parashikohet të vijojë e ka zanafillën më 30 maj, kur banorë dhe aktivistë kundërshtuan rrethimin e një pjese të zonës së Zvërnecit në kuadër të projekti turistik që prek zonën e mbrojtur. Përplasja e protestuesve me punonjës të një kompanie private sigurie dhe pamjet e dhunës ndaj tyre u bënë pikënisja e një lëvizjeje që më pas u zhvendos në Tiranë.

E pagëzuar nga protestuesit si “Revolucioni i Flamingove”, lëvizja mori emrin e shpendit simbol të Lagunës së Nartës. Me kalimin e javëve, protesta doli përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec dhe përfshiu kërkesa që lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, pronësinë, zhvillimin urban, transparencën dhe mënyrën e vendimmarrjes së qeverisë. Protestës iu bashkuan edhe qytetarë me kauza të tjera, mes tyre banorët e Durrësit që kundërshtojnë projektin TID.

Përplasjet me policinë nuk janë të parat gjatë kësaj lëvizjeje. Në protestën e 2 korrikut para Kuvendit, policia arrestoi 19 protestues dhe procedoi penalisht 12 të tjerë, ndërsa dy ditë më vonë Gjykata e Tiranës liroi nga qelia të arrestuarit, duke caktuar për një pjesë masa më të lehta sigurie. Pavarësisht arrestimeve dhe tensioneve, protestuesit vijuan tubimet e përditshme gjatë verës.

Më 1 shtator protesta hyri në ditën e 94-t të saj, ndërsa bllokimi i hyrje-daljeve të Kryeministrisë shënoi një përshkallëzim të aksionit të deritanishëm. Protestuesit e kanë cilësuar këtë fazë si “mosbindje civile” dhe vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.