Nisin dëgjesat për shkrirjen e Klosit, banorët e Xibrit kundërshtojnë bashkimin me Matin

Bashkia Klos ka nisur dëgjesat publike për Reformën Administrativo-Territoriale, ndërsa propozimi për bashkimin e saj me Bashkinë Mat është përballur me kundërshtimin e banorëve të Xibrit. Largimi i shërbimeve dhe kostot shtesë për qytetarët ishin mes shqetësimeve të ngritura gjatë konsultimit.

Bashkia Klos nisi më 24 gusht në Njësinë Administrative Xibër dëgjesat publike për Reformën Administrativo-Territoriale, duke u prezantuar banorëve propozimin për bashkimin e Klosit me Matin, i cili u kundërshtua për shkak të largimit të shërbimeve dhe kostove që, sipas tyre, do t’u shtoheshin komuniteteve.

Gjatë takimit, banorët argumentuan se në rast të bashkimit, qytetarëve të Ketës dhe fshatrave të tjerë të zonës do t’u duhej të udhëtonin drejt Burrelit për marrjen e shërbimeve, duke rritur kohën e udhëtimit dhe kostot ekonomike.

“Ne do jemi siç ishte Mati dikur”, tha një prej qytetarëve gjatë dëgjesës, duke kundërshtuar bashkimin e Klosit me Matin.

Të tjerë banorë e lidhën kundërshtimin me mundësitë për zhvillimin e Klosit pas hapjes së Rrugës së Arbrit. Sipas tyre, infrastruktura e re i ka krijuar zonës potencial më të madh ekonomik, ndaj Bashkia Klos duhet të vazhdojë të funksionojë si njësi më vete e qeverisjes vendore.

Dëgjesa në Xibër është e para e konsultimeve që do të zhvillohen në katër njësitë administrative të Bashkisë Klos: Klos, Xibër, Suç dhe Gurrë. Pas përfundimit të tyre, Bashkia pritet të mbajë një qëndrim zyrtar mbi propozimin për reformën territoriale.

Kundërshtimet ndaj hartës së propozuar janë formalizuar ndërkohë edhe në bashki të tjera. Në Dimal, Këshilli Bashkiak votoi kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin me Beratin, me 20 vota kundër nga 21 këshilltarë të pranishëm.

Edhe Këshilli Bashkiak i Poliçanit votoi unanimisht kundër bashkimit me Beratin, pasi procesi i dëgjesave publike u pasua nga shqyrtimi i propozimit në këshill.

Propozimi për shkrirjen e Klosit ishte përballur me kundërshtime edhe përpara nisjes së dëgjesave. Amfora raportoi më herët se Klosi ishte mes bashkive të propozuara për t’u bashkuar me një njësi tjetër në kuadër të diskutimeve për hartën e re administrativo-territoriale.

Dëgjesat e nisura nga Bashkia do të përcaktojnë edhe qëndrimin që institucioni vendor do të mbajë për propozimin e bashkimit me Matin.