Aktivistët nuk gjejnë zgjidhje për problemet e menaxhimit të mbetjeve në Tiranë
Aktivistët në Tiranë nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete për kërkesën e tyre për shtimin e koshave në zonat ku zhvillohen protestat, ndërsa mbetjet vijojnë të grumbullohen rreth pikave ekzistuese. Ndryshimet në tarifën e pastrimit për familjet në kryeqytet dhe problematikat me menaxhimin e mbetjeve në qytete të tjera tregojnë sfidat e vazhdueshme të këtij shërbimi.
Aktivistë gjatë pastrimit të mbetjeve pas protestave në Tiranë. Foto: Media Amfora
Problemet me grumbullimin e mbetjeve në zonat ku prej më shumë se dy muaj zhvillohen protesta në Tiranë kanë nxitur një grup aktivistësh t’i drejtohen Bashkisë Tiranë, duke kërkuar shtimin e përkohshëm të koshave.
Vullnetarët e “FlamingoRevolution.eu” i kanë shkruar bashkisë se koshat ekzistues mbushen shpejt për shkak të numrit të lartë të njerëzve që frekuentojnë zonat e protestave dhe se mbetjet përfundojnë në trotuare.
“Ju kërkojmë që Bashkia e Tiranës të marrë masa për vendosjen e koshave provizorë shtesë në zonat ku mbahen protesta, në përputhje me vëllimin aktual të njerëzve që frekuentojnë këto hapësira”, shkruan aktivistët në kërkesën zyrtare.
Aktivistët ngritën shqetësimin se kapacitetet për grumbullimin e mbetjeve në zonat ku zhvillohet protesta e përditshme janë të pamjaftueshme. Pas përfundimit të protestës, aktivistët mbledhin mbetjet e krijuara gjatë mbrëmjes, por koshat ekzistues mbushen dhe një pjesë e tyre përfundojnë në trotuar.
Në kërkesën zyrtare, grupi argumenton se fluksi i njerëzve gjatë protestave ka rritur sasinë e mbetjeve në zonë dhe kërkon vendosjen e koshave provizorë shtesë.
Shërbimi i pastrimit financohet edhe përmes tarifës që paguajnë familjet dhe bizneset. Për familjet në qytetin e Tiranës, tarifa e pastrimit u rrit në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, nga 5,000 lekë në 5,750 lekë në vit, me një shtesë prej 750 lekësh.
Edhe bizneset në Tiranë i nënshtrohen tarifës vjetore të pastrimit, niveli i së cilës ndryshon sipas kategorisë së aktivitetit. Gjatë vitit 2025, Bashkia Tiranë arkëtoi rreth 1.86 miliardë lekë nga tarifa e pastrimit për bizneset, rreth 100.5 milionë lekë ose 6% më shumë se në vitin 2024.
Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit iu përgjigj aktivistëve se kërkesa nuk ishte në kompetencën e saj.
“Zona në fjalë mbulohet me shërbim pastrimi nga operatori ‘ECO Tirana’ Sh.a.”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë.
ECO Tirana e ka shtrirë shërbimin në të gjithë territorin e Tiranës pas vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2023. Bashkia ka nisur së fundmi edhe pilotimin e kontejnerëve nëntokësorë, të cilët i paraqet si një mënyrë për të shmangur mbetjet dhe papastërtinë përreth pikave të grumbullimit.
Protestat e “Revolucionit të Flamingove”, të nisura kundër ndërhyrjeve dhe projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, vijojnë prej më shumë se dy muajsh në Tiranë, ku qytetarët marshojnë çdo mbrëmje drejt kryeministrisë.
Problematikat me grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve nuk kufizohen vetëm në kryeqytet. Edhe në Durrës, ku situata është dokumentuar në disa zona të qytetit, cilësia e shërbimit është ngritur si shqetësim nga qytetarët.
Në Durrës, familjet paguajnë prej të paktën vitit 2021 një tarifë prej 3,500 lekësh në vit për pastrimin dhe largimin e mbetjeve, nivel që ruhet edhe në paketën fiskale të vitit 2026. Ndërkohë, problematikat me shërbimin vijojnë të dokumentohen në disa zona të qytetit, ku kontejnerët gjenden të tejmbushur, mbetjet përfundojnë në rrugë dhe hapësirat përreth pikave të grumbullimit mbeten të papastra.