Policia Bashkiake gjobit për mbetjet, Durrësi mes papastërtisë dhe plehrave në rrugë
Ndërsa në Durrës kanë nisur gjobat për depozitimin e parregullt të mbetjeve, në disa zona të qytetit kontejnerët vijojnë të jenë të tejmbushur dhe mbetjet përfundojnë në rrugë. Për menaxhimin e mbetjeve bashkia ka në buxhet mbi 950 milionë lekë për vitin 2026, ndërsa problematika nxiti së fundmi edhe protestën e banorëve të Spitallës për grumbullimin e tyre pranë banesave.
Mbetje në Rrugën “Adria”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, Durrës. Foto: Media Amfora
Problematika e menaxhimit të mbetjeve në Durrës vijon edhe pas nisjes së masave ndëshkuese ndaj qytetarëve dhe bizneseve që nuk respektojnë rregullat e depozitimit.
Policia Bashkiake njoftoi më 19 gusht se, përmes kamerave të vendosura pranë pikave të grumbullimit, janë identifikuar individë dhe subjekte që kanë depozituar mbetje në kundërshtim me rregullat.
“Për shkelësit janë marrë masa administrative, ndërsa në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë nisur disa procedime penale ndaj subjekteve dhe individëve përgjegjës”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë Bashkiake, pikat e grumbullimit monitorohen me kamera 24 orë në ditë, ndërsa subjektet tregtare duhet t’i depozitojnë mbetjet urbane në vendet e përcaktuara dhe brenda orarit 23:00–04:00.
Por vëzhgimet në terren tregojnë edhe anën tjetër të problemit. Në disa pika grumbullimi, kontejnerët gjenden të tejmbushur, mbetjet qëndrojnë edhe jashtë tyre dhe hapësirat përreth janë të papastra. Gjendja ngre pikëpyetje për frekuencën e tërheqjes dhe mirëmbajtjen e pikave të grumbullimit, ndërsa pranë tyre ndihet edhe aroma e rëndë.
Edhe në reagimet ndaj njoftimit të Policisë Bashkiake, qytetarët kërkuan që krahas kontrolleve të pastrohen dhe lahen vendet e grumbullimit të mbetjeve, duke ngritur shqetësimin për erën e rëndë gjatë muajve të verës.
Pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre pikave janë pjesë e vetë shërbimit të menaxhimit të mbetjeve. Plani i mëparshëm vendor parashikonte pastrimin e hapësirës përreth kontejnerëve pas tërheqjes së mbetjeve, si dhe larjen dhe dezinfektimin e tyre një herë në javë. Edhe dokumentet buxhetore për periudhën 2026-2028 përfshijnë mirëmbajtjen dhe dezinfektimin e kontejnerëve në shërbimet e menaxhimit të mbetjeve.
Monitorimi në terren, megjithatë, dokumenton problematika në disa pika të qytetit. Në lagjen nr. 18, kontejnerët gjenden shpesh të tejmbushur dhe mbetjet përfundojnë në rrugë. Edhe pas evadimit të mbetjeve, hapësira përreth kontejnerëve mbetet e papastër, ndërsa gjatë ditëve me temperatura të larta në zonë ndihet aroma e rëndë.
Situatë e ngjashme është konstatuar pranë Spitalit Rajonal të Durrësit dhe në Rrugën “Adria“, pak metra larg Mauzoleumit të Dëshmorëve. Kontejnerë të tejmbushur dhe mbetje të depozituara jashtë tyre janë konstatuar gjithashtu pranë shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza”, e njohur në qytet si shkolla e “Dy Gjelave”.
Menaxhimi i mbetjeve ka një peshë të konsiderueshme në buxhetin vendor. Për vitin 2026, Bashkia Durrës ka në buxhet 950.9 milionë lekë për programin “Menaxhimi i mbetjeve”, prej të cilave 425.8 milionë lekë për personelin, 506.9 milionë për shpenzime të tjera korrente dhe 18.09 milionë për shpenzime kapitale.
Çështja e menaxhimit të mbetjeve u ngrit së fundmi edhe nga banorët e Spitallës, të cilët protestuan kundër grumbullimit të mbetjeve pranë banesave. Pas protestës, bashkia ndërhyri për pastrimin e zonës, ndërsa shqetësimi për menaxhimin e mbetjeve vijon në pika të tjera të qytetit.