Arsyet “logjistike dhe operacionale” çuan mbetjet e rrezikshme në Shënavlash, banorët pa informacion
Fati i 102 kontejnerëve me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme mbetet i pazgjidhur. Pas kthimit në Portin e Durrësit, ato u zhvendosën në Porto-Romano dhe më pas në Shënavlash, pranë banesave, bizneseve dhe universitetit. Institucionet e argumentuan zgjedhjen e zonës me arsye logjistike dhe operacionale, ndërsa banorët thanë se nuk janë informuar për praninë e tyre.
Kontejnerët me mbetje të rrezikshme të vendosur në Shënavlash. Foto: Media Amfora
Vapa e gushtit rëndon mbi Shënavlash, rreth 7 kilometra nga qendra e Durrësit, ku përgjatë rrugës kryesore ndërthuren banesat me aktivitetet e shumta ekonomike. Në njërin krah shtrihen kryesisht biznese të pjesëve të këmbimit dhe shërbimeve për automjetet, ndërsa në krahun tjetër ngrihen pallatet e reja, të ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në zonë ndodhet edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”.
Mes këtij territori të banuar dhe të mbushur me aktivitet të përditshëm, pas një rrethimi metalik, qëndrojnë të stivuar në disa radhë 102 kontejnerët me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme.
Automjetet kalojnë përgjatë rrugës, bizneset vijojnë aktivitetin dhe banorët lëvizin mes vapës së mesditës. Prania e kontejnerëve është bërë pjesë e peizazhit të tyre të përditshëm, por jo e informacionit që kanë marrë nga institucionet.
“Kemi dëgjuar nga TV që janë me rrezik, por nuk dimë asgjë. Kush na pyet ne?”, tha për Amforën një burrë i moshuar, teksa kalonte me biçikletë pranë zonës.
Edhe banorë të tjerë të kontaktuar nga Amfora ngritën shqetësimin për praninë e mbetjeve pranë zonës ku jetojnë. Ata thanë se nuk janë informuar zyrtarisht se çfarë përmbajnë kontejnerët, përse janë vendosur aty dhe për sa kohë do të qëndrojnë. Në anën tjetër të rrugës, përfaqësuesit e bizneseve të kontaktuar shmangën pyetjet dhe vijuan punën e përditshme.
Por Shënavlashi është vetëm ndalesa më e fundit e një ngarkese që prej më shumë se dy vitesh ka lëvizur nga një vend në tjetrin. 102 kontejnerët që sot qëndrojnë pranë banesave dhe bizneseve u kthyen fillimisht në Portin e Durrësit, u zhvendosën më pas në Porto-Romano dhe, në mars 2026, përfunduan në Shënavlash.
Përballë rrezikut, institucionet justifikojnë zhvendosjen
Më 7 gusht, deputeti i Durrësit, Igli Cara, shkoi pranë 102 kontejnerëve në Shënavlash, duke ngritur shqetësimin për praninë e mbetje të rrezikshme në një zonë të banuar dhe duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare për trajtimin e tyre.
“Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigja ndaj një situate që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Cara.
Nga zhvendosja e kontejnerëve në Shënavlash në muajin mars deri në gusht, asnjë institucion apo përfaqësues publik nuk ngriti publikisht shqetësimin për praninë e mbetjeve në këtë zonë, duke e bërë Carën zërin e vetëm publik që kërkoi ndërhyrje dhe zgjidhje përfundimtare për to.
Kontejnerët, të sekuestruar si prova materiale në kuadër të hetimit penal, i janë lënë në ruajtje Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Prokuroria e Durrësit sqaroi se përzgjedhja e vendit, zhvendosja, ruajtja dhe siguria e tyre nuk janë kryer prej saj, por nga agjencia që i ka në administrim.
“Procedurat për përzgjedhjen e vendit, zhvendosjen, ruajtjen dhe sigurinë e kontejnerëve janë kryer dhe kryhen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, bëri të ditur Prokuroria e Durrësit në një përgjigje zyrtare për Amforën.
Për zhvendosjen e kontejnerëve, agjencia iu referua një shkrese të Autoritetit Portual Durrës të 26 shkurtit 2026, përmes së cilës kërkohej bashkëpunimi për “lirimin e hapësirës”.
“Vendimi për zhvendosjen e kontejnerëve është mbështetur në aktin e Autoritetit Portual Durrës, datë 26.02.2026, nëpërmjet të cilit është kërkuar bashkëpunimi i agjencisë për lirimin e hapësirës”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Përzgjedhjen e Shënavlashit si vendndodhjen e re, institucioni e argumentoi me arsye logjistike dhe operacionale, duke renditur afërsinë, aksesin për transport dhe kushtet për administrimin dhe sigurinë e kontejnerëve.
“Zona e Shënavlashit është përzgjedhur duke marrë në konsideratë arsye logjistike dhe operacionale, përfshirë afërsinë, aksesin për transport, si dhe mundësinë për të garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë dhe administrimit”, argumentoi agjencia.
Prokuroria e Durrësit konfirmoi se për zhvendosjen e kontejnerëve është njoftuar nga agjencia më 27 mars 2026, ndërsa një oficer i grupit hetimor ka qenë i pranishëm gjatë procesit.
“Në datë 27.03.2026 AAPSK ka njoftuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në lidhje me zhvendosjen e kontenierëve dhe një oficer nga grupi hetimor ka qenë i pranishëm gjatë kryerjes së procesit të zhvendosjes”, sqaroi Prokuroria.
I gjithë procesi i zhvendosjes u zhvillua pa u bërë i ditur publikisht për komunitetin që do t’i kishte kontejnerët pranë. Banorët e kontaktuar nga Amfora thanë se nuk ishin njoftuar dhe as konsultuar për vendosjen e rreth 2,800 tonëve mbetje të rrezikshme në zonën ku jetojnë, ndërsa informacionin për praninë dhe rrezikshmërinë e tyre e kishin marrë nga mediat.
“Ne nga televizori e morëm vesh për këto mbetje. Askush nuk na ka thënë gjë”, tha një tjetër banor i zonës, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Ruajtja që nuk shihet në terren
Ndërsa vendosjen e kontejnerëve në Shënavlash e argumentoi me arsye logjistike dhe operacionale, AAPSK bëri të ditur se në zonë janë marrë masa të vazhdueshme për ruajtjen dhe monitorimin e tyre.
“Gjatë qëndrimit në këtë zonë, kontenierët janë objekt i masave të vazhdueshme të sigurisë
dhe monitorimit, duke përfshirë ruajtjen nga Policia e Shtetit“, bëri të ditur agjencia.
Edhe Prokuroria e Durrësit konfirmoi se ka kërkuar që kontejnerët, të cilët janë sekuestruar si prova materiale, të ruhen gjatë gjithë kohës nga strukturat vendore të Policisë së Shtetit.
“Prokuroria ka kërkuar dhe siguruar ruajtjen me shërbim 24 orë nga shërbimet e Policisë së Shtetit (DVP) Durrës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Por pamja që Amfora dokumentoi në Shënavlash nuk e bënte të dukshme këtë prani të deklaruar institucionale. Gjatë vëzhgimit në terren, pranë rrethimit ku ndodhen kontejnerët nuk u konstatuan efektivë policie apo struktura të tjera sigurie të pozicionuara fizikisht për ruajtjen e tyre. Zona kufizohej nga rrethimi metalik, ndërsa aktiviteti në rrugën përreth vijonte normalisht.
Çfarë përmbajnë 102 kontejnerët?
Prania e 102 kontejnerëve në Shënavlash merr një tjetër peshë për shkak të përmbajtjes së tyre. Rreth 2,800 tonët e vendosur sot pranë zonës së banuar, bizneseve dhe në afërsi të Universitetit “Aleksandër Moisiu” janë mbetje të gjeneruara nga aktiviteti industrial i kompanisë “Kurum International” në Elbasan. Në korrik 2024, ato u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, ndërsa në dokumentacion u paraqitën si material tregtar jo i rrezikshëm.
Por ngarkesa nuk mbërriti në destinacion. Dyshimet e ngritura për përmbajtjen e saj dhe ndërhyrja e organizatave mjedisore ndërkombëtare çuan në kthimin e 102 kontejnerëve në Shqipëri. Në tetor 2024, ngarkesa u rikthye në Portin e Durrësit dhe Prokuroria e Durrësit kërkoi sekuestrimin e saj në kuadër të procedimit penal. Më 8 nëntor 2024, 102 kontejnerët u sekuestruan si prova materiale dhe iu lanë në ruajtje Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Në atë fazë, rrezikshmëria e përmbajtjes së kontejnerëve ishte ende objekt verifikimi. Prokuroria kërkoi që ngarkesa të mos hapej dhe të vendosej në një territor që garantonte sigurinë fizike dhe mjedisore, me monitorim 24 orë. Kontejnerët u zhvendosën më pas nga Porti i Durrësit në Porto-Romano, ku qëndruan për rreth një vit.
Vetëm më 9 tetor 2025 nisi marrja e mostrave. Nën një perimetër sigurie të ngritur nga Policia, ekspertët hapën kontejnerët të pajisur me kostume, maska, doreza dhe pajisje hermetike. Mostrat e marra prej ngarkesës u dërguan për analiza në Itali, për të përcaktuar përbërjen dhe rrezikshmërinë e materialit.
Rezultatet e analizave ndryshuan edhe mënyrën se si mund të flitej për ngarkesën. Nga mbetje “të dyshuara si të rrezikshme”, analizat laboratorike të administruara në kuadër të hetimit konfirmuan praninë e elementëve dhe përbërësve që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Hetimi i Prokurorisë së Durrësit shkoi më tej, duke rindërtuar mënyrën se si 2,800 tonët kishin dalë nga Shqipëria. Sipas hetimit, mbetjet ishin paraqitur në dokumentacion herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku, pa kodet përkatëse të mbetjeve, duke kaluar nëpër hallkat institucionale dhe private si mall tregtar.
Dosja hetimore ngriti dyshime se ky klasifikim u kishte mundësuar mbetjeve të kalonin drejt eksportit pa verifikimet teknike që do të përcaktonin natyrën dhe rrezikshmërinë e tyre. Hetimi përfshiu kompaninë prodhuese “Kurum International”, kompani të përfshira në tregtimin dhe eksportimin e ngarkesës, si edhe punonjës e drejtues të Doganës së Durrësit, Autoritetit Portual Durrës dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Në shkurt 2026, hetimi mori një tjetër përmasë. Prokuroria kërkoi 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar si pjesë e këtij zinxhiri, 26 prej të cilave “arrest me burg” dhe shtatë “arrest shtëpie”. Policia ekzekutoi fillimisht 20 prej masave, ndërsa 13 persona u shpallën në kërkim.

Akuzat e hetuara nuk lidhen vetëm me menaxhimin e mbetjeve. Procedimi përfshin dyshime për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të paligjshëm të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Kështu, kontejnerët që ndodhen në Shënavlash nuk mbajnë më vetëm statusin e një ngarkese për të cilën dikur kishte dyshime. Përmbajtja e tyre është analizuar, rrezikshmëria është konfirmuar në kuadër të hetimit dhe vetë mënyra se si mbetjet u klasifikuan dhe u nxorën jashtë Shqipërisë është bërë objekt i një procedimi penal që ka përfshirë kompani private dhe institucione shtetërore.
Çështja vijon të jetë nën hetim, ndërsa 102 kontejnerët me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme vazhdojnë të qëndrojnë në Shënavlash, pa një afat të bërë publik për largimin apo trajtimin përfundimtar të tyre, edhe pse analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e elementëve dhe përbërësve që paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
Ndërkohë, zona përreth po popullohet edhe më shumë. Përballë vendit ku qëndrojnë kontejnerët ngrihen pallatet e reja, të ndërtuara për familjet që humbën banesat nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ndërsa rreth 1 kilometër larg ndodhet Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës. Më 5 tetor nis viti i ri akademik 2026-2027, duke rikthyer studentët në një zonë ku fati përfundimtar i mbetjeve të rrezikshme vijon të mbetet i pazgjidhur