Zjarri i përmasave të mëdha në Shkozet, dyshime për praninë e fishekzjarreve në magazinë

Një 38-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se zjarri që ndezi për djegien e barishteve doli jashtë kontrollit dhe përfshiu një magazinë private në zonën e Shkozetit. Dyshohet se në godinë ruheshin fishekzjarre, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa prania e mundshme e materialeve piroteknike ngre pikëpyetje për shkak të kufizimeve ligjore që zbatohen në Shqipëri.

Policia e Durrësit arrestoi një 38-vjeçar të dyshuar se zjarri që ndezi për djegien e barishteve pranë një magazine private në Shkozet doli jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme materiale, bllokim të qarkullimit dhe ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të Durrësit.

Veprimet hetimore orientuan dyshimet drejt zjarrvënies nga pakujdesia, pasi sipas Policisë, zjarri nisi gjatë djegies së barishteve dhe mbetjeve bimore pranë magazinës.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A.N. ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve pranë magazinës së një subjekti privat. Si pasojë e daljes së flakëve jashtë kontrollit, zjarri ka përfshirë magazinën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, njoftoi Policia.

Zjarri, i rënë pasditen e së enjtes, solli pasoja të shumta në zonën e Shkozetit. Për shkak të flakëve u bllokua qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj” në drejtim të Plepave, si dhe në aksin Durrës–Kavajë, ndërsa drejtuesit e mjeteve u orientuan të përdornin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan pesë mjete zjarrfikëse, katër autobotë, një autoshkallë dhe 24 efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me mbështetjen e forcave të Portit të Durrësit dhe të Stacionit të MZSH-së Shijak.

Gjatë ndërhyrjes, pesë zjarrfikës u transportuan në Spitalin Rajonal të Durrësit për shkak të asfiksimit nga tymi. Katër prej tyre u larguan pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa një efektiv vijon të trajtohet në reanimacion.

Në vendngjarje u raportuan edhe shpërthime të forta, ndërsa, sipas raportimeve nga terreni, magazina dyshohet se shërbente për ruajtjen e lodrave dhe fishekzjarreve, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet. Prania e mundshme e materialeve piroteknike mbetet ende e paqartë, ndërsa tregtimi dhe përdorimi i fishekzjarreve në Shqipëri i nënshtrohen kufizimeve ligjore.

Menjëherë pas ngjarjes, një nga pistat paraprake të hetimit ishte këputja e kabllove të tensionit të lartë për shkak të temperaturave të larta. Megjithatë, veprimet e mëvonshme hetimore të Policisë orientuan dyshimet drejt zjarrvënies nga pakujdesia.

Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zjarri preku edhe rrjetin 110 kV pranë Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të Durrësit.

“Në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit”, shkroi Karakaçi në një reagim publik.

Ministri bëri të ditur se njëra prej linjave u mbajt jashtë funksionit me kërkesë të shërbimit zjarrfikës për arsye sigurie, ndërsa ekipet e OST dhe OSSH punuan për rikthimin gradual të furnizimit me energji elektrike deri në normalizimin e situatës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.