Turistët e huaj po paguajnë për herë të parë shërbimet në qendrat shëndetësore verore
Në qendrat shëndetësore verore ka nisur zbatimi i sistemit të tarifimit për turistët e huaj jo rezidentë, ndërsa qytetarët shqiptarë vijojnë të marrin shërbim falas. Të ardhurat e mbledhura do të mbeten në dispozicion të vetë qendrave shëndetësore për të përmirësuar shërbimet dhe kushtet e punës.
Qendra Shëndetësore Verore në Qeparo, Bashkia Himarë. Foto: Media Amfora.
Turistët e huaj jo rezidentë që marrin shërbim në qendrat shëndetësore verore publike në Shqipëri po paguajnë për herë të parë tarifa për disa shërbime mjekësore, në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për këtë sezon turistik.
Më 13 korrik, gjatë një vizite në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se pagesa e disa shërbimeve nga turistët e huaj përbën një risi të këtij sezoni turistik.
“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas”, u shpreh ministrja.
Në qendrat shëndetësore verore tarifat janë afishuar për publikun, ndërsa pagesat kryhen me kartë përmes terminaleve “POS“. Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të punës në vetë qendrat.
Sala tha nga Tale se të ardhurat e krijuara nga tarifimi nuk do të kalojnë në buxhetin e përgjithshëm, por do të mbeten në dispozicion të vetë qendrave shëndetësore verore.
Fondet do të përdoren për përmirësimin e kushteve të punës, blerjen e pajisjeve mjekësore dhe plotësimin e nevojave të qendrave, me synimin për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.
Ndërsa më 17 qershor, në prezantimin e sezonit veror shëndetësor në Pogradec, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala bëri të ditur se kishte nisur zbatimi i një urdhri që vendos për herë të parë një kuadër të unifikuar për regjistrimin, trajtimin, tarifimin dhe dokumentimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara për shtetasit e huaj në institucionet shëndetësore publike.
Për sezonin veror 2026 janë vënë në funksion 36 qendra shëndetësore verore, të cilat ofrojnë shërbim 24 orë në ditë në zonat me fluks të lartë pushuesish.
Në Durrës, një prej destinacioneve me numrin më të madh të turistëve gjatë verës, zbatimi i sistemit të ri ka nisur edhe në qendrën shëndetësore verore në lagjen nr. 13, e njohur si zona e Plazhit të Madh, ku pagesat për turistët e huaj kryhen me kartë.
Qendrat shëndetësore verore ofrojnë vizita mjekësore, ndihmën e parë, elektrokardiogramë (EKG), analiza laboratorike dhe ndërhyrje të vogla ambulatore. Sipas listës së tarifave të zbatuara këtë sezon, ndihma e parë bazë dhe testet e shpejta kushtojnë 250 lekë, ndërsa vizitat e përgjithshme, analizat laboratorike dhe EKG-ja tarifohen nga 500 deri në 1.000 lekë.
Konsultat e specializuara dhe ndërhyrjet e vogla, si qepja e plagëve, kushtojnë 1.500 lekë për turistët e huaj jo rezidentë.