Raporti amerikan, krimi dhe korrupsioni mbeten sfidat kryesore në Shqipëri
Raporti i fundit amerikan për sigurinë në Shqipëri vlerësoi se kriminaliteti, korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe sulmet kibernetike mbeten ndër sfidat kryesore për vendin. Ai është hartuar për të informuar qytetarët, bizneset dhe institucionet amerikane mbi mjedisin e sigurisë në Shqipëri.
Foto ilustruese nga Washington D.C./ Media Amfora
Raporti për Sigurinë në Shqipëri (Albania Country Security Report), i publikuar më 27 korrik nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (Overseas Security Advisory Council – OSAC), evidentoi problematika që lidhen me kriminalitetin drejtësinë dhe rendin publik.
Raporti vlerësoi se vendi mbetet një destinacion ku udhëtarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
“Kriminaliteti është i zakonshëm në Shqipëri dhe në disa zona janë të pranishme krimet e dhunshme dhe rrjetet e krimit të organizuar”, shkruhet në raport.
Dokumenti analizoi jo vetëm nivelin e krimit, por edhe zhvillimet që lidhen me rendin publik, terrorizmin, korrupsionin, transportin, shërbimet shëndetësore dhe sigurinë kibernetike.
Sipas dokumentit, numri i veprave penale u rrit gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të shtimit të rasteve të lidhura me drogën, mashtrimin dhe armët.
Megjithatë, raporti vuri në dukje se grabitjet dhe krimet e dhunshme kanë nisur të bien, ndërsa autoritetet shqiptare kanë shtuar përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit. Dokumenti theksoi gjithashtu se grupet e krimit të organizuar vijojnë të kenë ndikim në vend, duke operuar në fusha si trafiku i drogës, pastrimi i parave, ryshfeti dhe trafikimi i qenieve njerëzore.
“Kriminaliteti u rrit me rreth 17 për qind nga viti 2024 në vitin 2025, i nxitur kryesisht nga rritja e veprave penale të lidhura me drogën, mashtrimin dhe armët”, theksoi raporti.
Raporti u ndal edhe te rendi publik dhe zhvillimet politike, duke vlerësuar se protestat janë pjesë e zakonshme e jetës publike në Shqipëri dhe se zhvillohen kryesisht në mënyrë paqësore.
Dokumenti përmendi protestat pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, si edhe demonstratat e vitit 2026 kundër projektit turistik në Ishullin e Sazanit, të cilat u zgjeruan në protesta kundër korrupsionit.
“Demonstratat dhe protestat politike janë të zakonshme në Shqipëri. Ato janë përgjithësisht paqësore, por në të kaluarën kanë rezultuar në dhunë”, vijoi raporti.
Raporti edhe tek zgjedhjet e fundit, sipas të cilit u zhvilluan përgjithësisht në qetësi, por vëzhguesit ndërkombëtarë evidentuan nevojën për reformë zgjedhore, duke ngritur shqetësime për përdorimin e burimeve publike, transparencën e financimit të fushatave dhe mbulimin mediatik.
Në analizën mbi institucionet e drejtësisë, raporti vlerësoi se Shqipëria ka ndërmarrë hapa për forcimin e luftës kundër korrupsionit, ndërsa evidentoi rolin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, dokumenti theksoi se korrupsioni, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe një sistem gjyqësor ende në zhvillim vazhdojnë të pengojnë efektivitetin e zbatimit të ligjit, ndërsa shumë zyrtarë dhe persona me ndikim ekonomik vijojnë t’i shmangeshin ndjekjes penale.
“Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz”, shkruhet në raport.
Raporti trajtoi edhe çështje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, duke analizuar transportin, shërbimet shëndetësore, fatkeqësitë natyrore dhe sigurinë kibernetike. Dokumenti vuri në dukje se drejtimi i automjeteve në Shqipëri mbetet sfidues për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit dhe aksidenteve të shpeshta, ndërsa transporti publik është i kufizuar.
Po ashtu, raporti theksoi se shërbimet e urgjencës dhe kujdesit shëndetësor janë të pamjaftueshme në disa zona të vendit. Shqipëria konsiderohet gjithashtu e ekspozuar ndaj tërmeteve, përmbytjeve, thatësirave, zjarreve dhe ndotjes së ajrit.
(Albania Country Security Report) publikohet periodikisht nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit” (Overseas Security Advisory Council – OSAC), një program i Byrosë së Sigurisë Diplomatike pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Dokumenti është pjesë e raporteve që OSAC përgatit rregullisht për vende të ndryshme të botës, me qëllim informimin e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve amerikane mbi kushtet e sigurisë dhe rreziqet që mund të hasin jashtë Shteteve të Bashkuara.