Eksploziv në banesën e vëllait të Julian Ballës në Shijak, në kërkim prej një viti nga SPAK-u
Një sasi lënde plasëse shpërtheu në portën hyrëse të banesës së Altin Ballës në fshatin Rreth të Shijakut, duke shkaktuar dëme materiale. Banesa e tij gjendet pranë asaj të vëllait, Julian (Fadil) Balla, i shpallur në kërkim policor prej një viti, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut ndaj organizatës kriminale “Çopja”.
Një sasi lënde plasëse shpërtheu në portën hyrëse të banesës së vëllait të Julian Ballës në fshatin Rreth të Shijakut, pranë mesnatës të së shtunës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Objekt i sulmit ishte banesa e 47-vjeçarit Altin Balla, në të cilën ai jeton aktualisht, ndërsa pranë saj gjendet edhe banesa e vëllait, i cili është prej muajsh në kërkim policor si pjesë e grupit kriminal nga Elbasani, i njohur si “Klani Çopja”.
“…rreth orës 23:00, një sasi lënde plasëse shpërtheu në portën hyrëse të oborrit të banesës së shtetasit me inicialet A.B., 47 vjeç, banues në fshatin Rreth”, njoftoi zyrtarisht Policia e Shtetit ditën e dielë, duke e përfshirë ngjarjen tek raportimet rutinë për ngjarjet kriminale në vend.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, shtoi Policia në komunikatën e saj.
I njohur më së shumti si Julian Balla, ai u shpall në kërkim nga SPAK-u në gusht të vitit 2025, pasi dyshohet si anëtar i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës dhe të pastrimit të parave të gjeneruara prej saj. Ndaj Ballës është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ai vijon të jetë ende në kërkim.
Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi kompleksin “Ajman Park Resort” në Xhafzotaj dhe mbi kompaninë AMR sh.p.k. Kjo e fundit ka fituar së paku 186 milionë lekë (rreth 1.9 milionë euro) përmes kontratave publike nga Bashkia Shijak, si pjesë e tenderave për pastrimin e qytetit, tërheqjen e mbetjeve urbane dhe mirëmbajtjen e varrezave publike, si edhe një kontratë tjetër me të njëjtin objekt, në bashkëpunim me kompaninë ALBGARDEN sh.p.k., me vlerë rreth 33 milionë lekë (ose rreth 340 mijë euro).
Menaxhimi i mbetjeve, që vijon të realizohet nga AMR sh.p.k. si kontraktore e Bashkisë Shijak, në të kaluarën ka ngritur shqetësime mbi depozitimin e tyre në një vendgrumbullim të paligjshëm në zonën e Shëtelit, duke shkaktuar ndotje mjedisore përmes djegies së mbeturinave dhe më tej ndotje të tokës bujqësore.
Përpara se të shpallej në kërkim policor, Julian Balla ishte edhe presidenti i Klubit të Futbollit Erzeni, duke qenë një figurë e njohur në Shijak për aktivitetin e tij në biznes dhe sport. Pas operacionit të SPAK-ut, një pjesë e pasurive të lidhura me të u vendosën nën sekuestro preventive, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë.