Komuniteti hebre në Vlorë gjatë shekullit XVI
Në një dalje mediatike, hulumtuesja Anna Cohen ka pohuar se në një periudhë historike hebrenjtë përbënin 90% të popullsisë së Vlorës. Edhe pse kjo është sigurisht një shifër e ekzagjëruar dokumentet osmane të vitit 1520 tregojnë se për disa dekada hebrenjtë e Vlorës kanë përbërë deri në 39% të popullsis së qytetit.
"Rruga e Hebrenjve" në Vlorë. Foto: Media Amfora
Në historinë e qytetit të Vlorës, periudha e fillimit të shekullit të XVI përfaqëson një etapë të veçantë demografike dhe ekonomike. Kjo periudhë karakterizohet nga ardhja dhe vendosja e një komuniteti të konsiderueshëm hebre, i cili ndikoi drejtpërdrejt në jetën urbane të qytetit. Kjo dukuri është dokumentuar në mënyrë të detajuar në regjistrat kadastralë osmanë të kohës.
Pas dekretit të Alhambras të vitit 1492, i cili urdhëroi dëbimin e hebrenjve nga Spanja, një pjesë e këtij popullsie u orientua drejt territoreve të Perandorisë Osmane. Sulltan Bajaziti II lejoi vendosjen e tyre në disa rajone të ndryshme, përfshirë Ballkanin dhe Shqipërinë, me shpresën se hebrenjtë do të ringrinin, përmes rrjetit të tyre të diasporës, tregtinë e vendit dhe të rajonit. Vlora, për shkak të pozicionit të saj gjeografik si port detar dhe lidhjeve tregtare me Italinë, u bë një nga destinacionet kryesore për hebrenjtë në arrati. Kështu në vitin 1506 Vlora numëronte 97 familje hebrenjsh. Numër ky që ishte i destinuar të rritej në mënyrë eksponenciale një dekadë e gjysmë më vonë.
Sipas regjistrit osman të vitit 1520, qyteti i Vlorës kishte një popullsi urbane të përbërë nga rreth 1367 familje. Nga ky numër, 531 familje (ose “hane”, pra vatra familjare me rreth pesë anëtarë) ishin regjistruar nga autoritetet osmane si hebrenj. Përveç këtyre vatrave familjare, në Vlorë regjistrat osman kanë shënuar edhe 69 hebrenj si beqarë. Këto shifra tregojnë se në atë periudhë specifike, hebrenjtë përbënin rreth 39 përqind të familjeve brenda zonës urbane të Vlorës. Ky nivel përfaqësimi e bënte Vlorën një ndër qendrat më të rëndësishme të banuara nga hebrenjtë në Ballkan, krahas Selanikut dhe Sarajevës.
Regjistrat osmanë të popullsisë dhe të taksave në Sanxhakun e Vlorës mes viteve 1519–1520 ofrojnë dëshmi të drejtpërdrejta për praninë e një komuniteti të madh hebre në qytet, i përbërë kryesisht nga hebrenj sefardit të ardhur kryesisht nga Spanja dhe Portugalia. Defterët regjistrojnë se 531 familjet hebraike ishin të organizuara në katërmbëdhjetë mëhallë, disa prej të cilave mbanin emrat e drejtuesve ose të kryefamiljarëve të tyre. Ndër emrat e dokumentuar në burimet osmane gjenden Mojsi Mezistrini; Josefi, biri i Moisiut; Matia, biri i Moisiut; Isaku, biri i Sinonias; Jahuda Isak, Nesimi, biri i Josefit, i identifikuar si mjek; Selemo Haron, etj, etj.
Gjithashtu nga këto regjistra dalin edhe familje dhe bashkësi hebrenjsh të ardhura nga Kalabria, Katalunia, Otranto dhe Moreja. Këto të dhëna dëshmojnë se komuniteti hebre i Vlorës nuk ishte homogjen, por përbëhej nga grupe me prejardhje të ndryshme mesdhetare, të vendosura në mëhallë të veçanta.
Edhe pse defterët nuk regjistrojnë profesionin e çdo kryefamiljari, burimet historike janë të njëzëshme se hebrenjtë e Vlorës luanin një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare të portit, duke zhvilluar shkëmbime të rregullta me Selanikun, brigjet italiane dhe qendra të tjera të Perandorisë Osmane, çka e bëri Vlorën një nga qendrat më të rëndësishme hebraike të Ballkanit gjatë gjysmës së parë të shekullit XVI.
Ardhja e këtij komuniteti solli ndryshime të dukshme në strukturën ekonomike të qytetit. Hebrenjtë në Vlorë u angazhuan kryesisht në zejtari, tregti dhe shërbime të ndryshme urbane. Ata morën pjesë aktive në tregtinë e kripës, e tekstileve dhe lëkurëve, duke shfrytëzuar rrjetin e tyre të kontakteve tregtare që shtrihej përtej kufijve të perandorisë, veçanërisht me portet italiane. Ky orientim ekonomik ishte i lidhur me natyrën dhe zhvillimin e tyre si popullsi urbane. Ata nuk u angazhuan pothuajse kurrë në sektorin e bujqësisë apo të pronësisë së tokës në fshatrat përreth.
Në aspektin administrativ dhe social, komuniteti hebre në Vlorë gëzonte një shkallë autonomie, e cila ishte karakteristike për sistemin osman të miletit. Ata kishin institucionet e tyre fetare, si sinagogat, dhe organizonin jetën e tyre të brendshme sipas ligjeve dhe traditave të tyre, gjurmët arkeologjike dhe toponimike të së cilës janë ende të pranishme sot në terren. Bashkëjetesa me popullsinë vendase të krishterë dhe myslimane ishte e rregulluar nga kuadri ligjor osman. Nuk ka të dhëna historike që të sugjerojnë konflikte të mëdha ndëretnike apo ndërfetare në këtë periudhë. Përkundrazi, bashkëveprimi në treg dhe në jetën e përditshme tregon për një integrim funksional të tyre në jetën e qytetit.
Megjithatë, ky lulëzim nuk zgjati. Në gjysmën e dytë të shekullit të XVI, Vlora u bë skenë e konflikteve të vazhdueshme ushtarake midis Perandorisë Osmane dhe Republikës së Venedikut. Bombardimet detare, epidemitë periodike të murtajës, malarjes, kolerës dhe pasiguria ekonomike e bënë jetën në port gjithnjë e më të vështirë. Në këtë kontekst, pjesa më e madhe e komunitetit vendosi të zhvendosej drejt qendrave më të qëndrueshme si për shembull Beratit, për shkak të pozicionit të sigurt në brendësi, dhe mbi të gjitha Selanikut, i cili po shndërrohej në metropolin kryesor hebre të Ballkanit.
Pasojat demografike ishin të menjëhershme. Regjistrat e shekullit të XVII dhe shënimet e Evlija Çelebiut dëshmojnë një rënie drastike: nga 531 familjet e vitit 1520, komuniteti ishte reduktuar tashmë në pak dhjetëra familje. Megjithatë, trashëgimia e tyre mbeti e gjallë në zhvillimin e zanateve dhe në fizionominë urbane që Vlora kishte përvetësuar gjatë dekadave të bashkëjetesës.
Periudha e shekullit të XVI mbetet si një dritare kohore kur Vlora kishte një strukturë popullsie mjaft të larmishme. Bashkëjetesa e përmendur, e mbështetur në ligjet e perandorisë, lejoi që ky qytet të funksiononte si një nyje e rëndësishme për tregtarët dhe zejtarët hebrenj për një kohë të caktuar. Pas largimit të tyre, qyteti vijoi udhëtimin e tij historik nën ndikimin e ndryshimeve të reja demografike dhe politike që karakterizuan shekujt në vijim. Historia e hebrenjve në Vlorë përmbyllet si një kapitull i rëndësishëm që kontribuoi në mozaikun e gjerë të historisë së këtij qyteti. Kontribut që asnjë debat modern nuk mund të deformojë.