SPAK: Korrupsioni shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, raportoi në Komisionin e Ligjeve se, në raste të caktuara, korrupsioni shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike. Gjatë fjalës në komision ai theksoi gjithashtu se funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por as hetimi penal të kthehet në arsye për paragjykim.
Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore. Foto: SPAK.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, raportoi në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025, duke vlerësuar se, në raste të caktuara, korrupsioni nuk është vetëm shkelje individuale, por shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike.
“Kjo tregon se korrupsioni nuk është vetëm shkelje individuale. Në raste të caktuara ai shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike”, tha kreu i SPAK gjatë mbledhjes së komisionit të premten.
Sipas raportit vjetor, korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, që përfshin funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës policie. Analiza e riskut identifikon si fushat që kërkojnë vëmendje të shtuar korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, shkeljen e barazisë në tenderët publikë, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm dhe lidhjen e disa rasteve të korrupsionit me krimin e organizuar.
Raporti tregon se gjatë vitit 2025 aktiviteti hetimor në fushën e korrupsionit është rritur. Çështjet e reja për korrupsion u rritën me rreth 18 për qind, nga 186 në 220, ndërsa çështjet e përfunduara u rritën me 12 për qind, nga 139 në 156, krahasuar me një vit më parë.
Gjithashtu, SPAK dërgoi në gjykatë 24 procedime me 147 të pandehur për vepra penale korrupsioni që lidhen me zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët, si edhe 10 procedime me 13 të pandehur për vepra korrupsioni që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë. Gjatë vitit 2025 u regjistruan gjashtë procedime të reja ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, ndërsa 16 persona u vendosën nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit, 18 u dërguan në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 ish-zyrtarë të lartë u dënuan me vendim të formës së prerë.
Raporti thekson gjithashtu se lufta kundër korrupsionit duhet të zhvillohet duke respektuar standardet kushtetuese dhe prezumimin e pafajësisë.
“Funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por edhe hetimi penal nuk mund të përbëjë arsye për paragjykim. Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ky standard kushtetues është i njëjtë për çdo person”, tha kreu i SPAK.
Në pjesën që trajton sfidat e institucionit, raporti vlerëson se hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta mbetet një nga sfidat kryesore të SPAK-ut. Raporti evidenton gjithashtu nevojën për ndërhyrje ligjore në disa fusha për të garantuar cilësinë dhe vijimësinë e hetimeve, ndërsa thekson se SPAK do të vijojë hetimet ndaj korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe goditjen e pasurive me origjinë kriminale.