Bido sulmon drejtoreshën e BIRN Albania dhe shtrembëron deklaratat e saj, reagojnë organizatat 

Deklaratat e deputetit socialist Ardit Bido ndaj drejtoreshës së BIRN Albania, Kristina Voko, kanë shkaktuar reagime nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile. Sipas tyre, deputeti ka shtrembëruar qëndrimet e saj mbi të drejtat e pakicave në media, duke e lidhur padrejtësisht me kundërshtimet ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe duke përdorur gjuhë linçuese ndaj saj.

Screenshot nga video e nisjes së komisionit parlamentar

Deputeti socialist Ardit Bido sulmoi të mërkurën drejtoreshën e “BIRN Albania”, Kristina Voko, duke e cilësuar edhe si,”Promotoren kryesore të sulmit ndaj projektit të Zvërnecit”, një deklaratë që nxiti reagime nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile në Shqipëri dhe në ato ndërkombëtare.

“Kjo është drejtoresha e BIRN Albania. Kristina, greke, promotorja kryesore e sulmit ndaj projektit të Zvërnecit, pasdite shan projektin e paradite na kërkon që mediat shtetërore dhe private shqiptare të japin emisione në greqisht”, shkroi deputeti socialist Ardit Bido, në një postim në rrjetin e tij social Facebook. 

Bido nxori nga konteksti pjesëmarrjen e Vokos në një komision parlamentar – ku ai vetë ishte në cilësinë e sekretarit – duke e sulmuar mbi elemente identitare dhe duke shtrembëruar faktet mbi rolin e saj dhe të medias që ajo drejton në raport me protestat publike kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit.

“Ky postim nuk është thjesht një polemikë politike. Ai përbën linçim publik ndaj drejtueses së një organizate të pavarur që punon në fushën e medias, transparencës dhe llogaridhënies publike”, reaguan organizatat e shoqërisë civile. 

“Përmes shtrembërimit të një diskutimi të zhvilluar në Kuvend, postimi e paraqet një ndërhyrje legjitime dhe të bazuar në ligj si akt të dyshimtë, antikombëtar apo të lidhur me interesa të huaja”, shpjegoi ai më tej.

Kristina Voko foli më 8 qershor gjatë dëgjesës së organizatave të shoqërisë civile në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku po diskutoheshin raportet vjetore të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Gjatë fjalës së saj, Voko ngriti shqetësime për zbatimin e detyrimeve ligjore të transmetuesit publik ndaj pakicave kombëtare, duke theksuar se RTSH-ja duhet të ofrojë më shumë informim dhe përmbajtje për këto komunitete.

“Shqipëria ka detyrime ligjore dhe strategjike për përfshirjen e pakicave në media. Problemi nuk është vetëm gjuha e transmetimit, por edhe mungesa e raportimit për çështjet që prekin komunitetet pakicë”, deklaroi Voko gjatë dëgjesës me organizatat e shoqërisë civile mbi raportet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë AMA-n dhe RTSH-në.

Megjithëse ajo foli për të drejtat e përfaqësimit të pakicave kombëtare në media sipas përcaktimeve ligjore, deputeti Bido e linçoi atë publikisht, duke e sulmuar mbi elemente identitare dhe duke aluduar mbi rolin e saj në raportimin e pavaruar të medias “Reporter.al“, pjesë e BIRN Albania – që është një media investigative e fokusuar tek korrupsioni, drejtësia, të drejatat e njeriut dhe çështjet me interes publik. 

Përmes postimit të tij, deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun Vlorë, Ardit Bido, e cilësoi Vokon si promotore të sulmit ndaj projektit turistik të Zvërnecit, ndërkohë që media jofitimprurëse e drejtuar prej saj ka raportuar në mënyrë të pavarur mbi zhvillimet e protestës dhe për projektin.

Në postimin e tij, Bido e paraqiti ndërhyrjen e Vokos si një kërkesë për transmetimin e programeve në gjuhën greke edhe nga mediat private – megjithëse ajo u fokusua tek të drejtat e pakicave në tërësi. Reagimi i deputetit u kundërshtua nga organizata të shoqërisë civile, të cilat e cilësuan postimin si një shtrembërim të debatit të zhvilluar në Kuvend.

“Ky postim nuk është thjesht një polemikë politike. Ai përbën linçim publik ndaj drejtueses së një organizate të pavarur që punon në fushën e medias, transparencës dhe llogaridhënies publike”, shkruhet në deklaratën e tyre – me të cilën u bashkua edhe Qendra Amfora.

Sipas organizatave, diskutimi i zhvilluar në Komisionin Parlamentar kishte të bënte me detyrimet ligjore të RTSH-së për informimin dhe përfaqësimin e pakicave kombëtare, ndërsa paraqitja e këtij debati si kërcënim ndaj interesit kombëtar është, “e pasaktë, e rrezikshme dhe diskriminuese”. 

Deputeti vlerësoi se RTSH i ka përmbushur këto detyrime përmes programeve për pakicat, duke përmendur emisionet e transmetuara ndër vite nga Radio Gjirokastra dhe RTSH 2. Ndërsa Bido e paraqiti debatin si një çështje që lidhet me zgjerimin e programeve në gjuhët e pakicave, organizatat e medias dhe shoqërisë civile këmbëngulin se diskutimi i zhvilluar në komision kishte të bënte me zbatimin e detyrimeve ekzistuese të transmetuesit publik dhe përfaqësimin e pakicave në media.

Organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje deputetit Ardit Bido të tërheqi postimin dhe të kërkojë ndjesë publike, duke argumentuar se pjesëmarrja në një proces parlamentar nuk mund të përdoret si material për sulme personale, etnike apo linçim publik. 

Ato i kanë kërkuar gjithashtu Kuvendit të Shqipërisë, kryetares së Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të distancohen nga çdo gjuhë që shënjestron përfaqësues të medias, shoqërisë civile apo qytetarë mbi bazë etnie, gjuhe, origjine ose qëndrimi kritik. 

Gjithashtu Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i kërkoi deputetit të tërheqi deklaratat e publikuara në rrjetet sociale dhe të kërkojë falje publike, duke i cilësuar ato si deformim të deklaratave të Kristina Vokos dhe sulm të papranueshëm ndaj medias.

“Znj. Voko ka ngritur një debat që lidhet me zbatimin e dispozitave ligjore dhe standardeve për programet në gjuhët e pakicave në median publike”, shkruhen në reagimin e AGSH-së. 

Organizatat e medias gjithashtu i bënë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që të vlerësojë këtë rast në kuadër të kompetencave të tij ligjore, duke marrë në konsideratë përdorimin e përkatësisë etnike si mjet shënjestrimi, delegjitimimi dhe linçimi publik nga një përfaqësues i zgjedhur.

Organizatat nënshkruese të deklaratës:

  1. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  2. Fondacioni Së Bashku
  3. Qëndresa Qytetare
  4. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
  5. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  6. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  7. Citizens.al
  8. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  9. Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  10. Faktoje.al
  11. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive (INAC)
  12. Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AËA)
  13. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners)
  14. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
  15. Qendra Amfora
  16. Civil Rights Defenders Shqipëri
  17. Lëvizja Europiane Shqipëri (EMA)
  18. Akademia e Studimeve Politike (ASP)
  19. Qendra “Aleanca Gjinore per Zhvillim” (GADC)
  20. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
  21. Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm – All Green Centre
  22. Shoqata Together for Life (TFL)
  23. Qendra ResPublica 
  24. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
  25. Qendra “Education for Change” 
  26. Shoqata “Përtej Barrierave”
  27. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF)
  28. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
  29. Të Ndryshem & Të Barabartë
  30. Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
  31. Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri
  32. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AËEN)
  33. Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF).