Policia kufizon komunikatat, organizatat e medias ngrenë shqetësime për lirinë e informimit
Policia e Shtetit ka vendosur të kufizojë komunikatat e përditshme për ngjarjet në vend, duke kaluar në një model të ri komunikimi me konferenca mujore dhe informim të centralizuar. Organizatat e medias e kundërshtojnë vendimin, duke paralajmëruar se reduktimi i informacionit zyrtar cenon transparencën dhe lirinë e informimit.
Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në konferencë për shtyp. Foto: 'Screenshot' nga video e transmetuar.
Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën ndryshimin e mënyrës së komunikimit me median dhe publikun, duke kufizuar komunikatat e përditshme të drejtorive vendore duke kaluar në një model të ri informimi me konferenca mujore, statistika periodike dhe reagime për ngjarje me impakt të lartë, vendim që solli reagime nga organizatat e medias, të cilat paralajmëruan se kufizimi i informacionit zyrtar cenon transparencën dhe lirinë e informimit.
“Policia e Shtetit do të zbatojë një formë të re komunikimi, më të përgjegjshme, më të strukturuar dhe në përputhje me modelet më të mira evropiane”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë një deklarate për mediat mbi mënyrën e re të komunikimit të institucionit me publikun dhe gazetarët.
Kreu i Policisë argumentoi se ndryshimi vjen pas shqetësimeve të qytetarëve për ndikimin që, sipas tij, krijon publikimi i vazhdueshëm i lajmeve kriminale dhe mënyra se si përcillen ngjarjet në kronikën e zezë.
“Ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë”, deklaroi Hita.
Sipas modelit të ri të komunikimit, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin do të publikohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa drejtuesit vendorë do të zhvillojnë konferenca mujore për rezultatet dhe problematikat në qarqe. Për ngjarjet me impakt të lartë publik apo operacionet e rëndësishme policore, informacioni do të jepet përmes kanaleve zyrtare dhe deklarimeve nga vendngjarja.
Pas vendimit reaguan organizatat e medias, të cilat shprehën shqetësim se reduktimi i komunikimeve të përditshme rrezikon të kufizojë aksesin e gazetarëve në informacion me interes publik dhe të rrisë centralizimin e komunikimit institucional.
“Kufizimi i informacionit apo centralizimi i tepruar i komunikimit institucional mund të krijojë vështirësi për raportimin e pavarur dhe për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar”, shkroi Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) në një reagim në rrjetet sociale.
Organizata theksoi se në një shoqëri demokratike janë redaksitë dhe mediat ato që vendosin në mënyrë të pavarur mbi trajtimin editorial të zhvillimeve dhe kërkoi që çdo model i ri komunikimi të ndërtohet në dialog me komunitetin e gazetarëve.
“Ne besojmë se bashkëpunimi korrekt dhe transparent mes institucioneve dhe medias është thelbësor për forcimin e besimit publik”, deklaroi AGSH.
Më kritik reagoi , Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) , i cili e cilësoi vendimin si kufizues për informimin publik dhe ngriti shqetësim për pasojat që mund të sjellë në raportimin e kronikës.
“Urdhëri ndalues i publikimit të komunikatave ditore të drejtorive të qarqeve të Policisë së Shtetit është një vendim çensurues për informimin dhe dijeninë publike”, shkruhet në deklaratën e UGSH.
Sipas unionit, përqendrimi i informacionit zyrtar në nivel qendror redukton mundësinë e raportimit në kohë dhe krijon burokraci informuese për gazetarët e terrenit.
“UGSH shprehet kundër këtij vendimi dhe sugjeron që, pa humbur kohë, të negociohen masa rregulluese pa cenuar lirinë për informim”, deklaroi organizata, duke kërkuar konsultim me komunitetin e reporterëve dhe organizatat e medias për praktikën e re të komunikimit.