Takime sensibilizuese për gazetarin Sami Curri, një javë pas sulmit ngjarja ende e pazbardhur

Organizatat e medias dhe përfaqësues të diplomacisë së huaj në vendin tonë zbritën në Bulqizë për të mbështetur gazetarin Sami Curri dhe për të kërkuar reagim nga autoritetet vendore pas djegies së makinës së tij. Megjithatë, një javë pas ngjarjes dhe pavarësisht takimeve me policinë dhe prokurorinë, hetimet nuk kanë dhënë ende rezultat.

Organizatat e medias vendase dhe përfaqësues ndërkombëtarë zhvilluan të hënën takime në Bulqizë me gazetarin Sami Curri dhe më tej me përfaqësues të Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës, pas djegies së automjetit të tij në rrethana të dyshuara si intimidim për shkak të detyrës, duke kërkuar hetim të plotë të rastit dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve.  

“Ne e shohim veprimin si një sulm të drejtpërdrejtë për punën dhe raportimin që ai bën”, tha Blerjana Bino, përfaqësuese në Shqipëri e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”, 1 javë pas zjarrvënies të dyshuar në automjetin e gazetarit lokal, Sami Curri.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e medias “Bulqizaime.al”, morën pjesë përfaqësues të organizatave të medias, si Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, SCiDEV, BIRN Albania dhe Amfora.al, si edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Holandës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, me synimin për të shprehur solidaritet me gazetarin dhe për të rritur vëmendjen ndaj sigurisë së gazetarëve lokalë. 

Pjesëmarrësit u ndalën në redaksinë e medias lokale, ku ofruan mbështetje dhe diskutuan mbi sfidat e raportimit në terren, përfshirë presionet dhe rreziqet që shoqërojnë mbulimin e çështjeve me interes publik. 

Duke e konsideruar ngjarjen të lidhur me ushtrimin e profesionit të tij, Bino nënvizoi se rasti duhet parë në kontekstin e presioneve ndaj gazetarisë lokale. 

“E dënojmë sulmin që i është bërë javën e kaluar duke ju djegur makina”, u shpreh Blerjana Bino, duke kërkuar hetim të plotë të rastit. 

Përfaqësuesi i Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, kërkoi nga autoritetet një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të ngjarjes, duke theksuar nevojën për garantimin e kushteve të sigurta për gazetarët lokalë, të cilët përballen me sfida të shumta në ushtrimin e profesionit. 

Pas takimit në redaksinë e Media “Bulqiza Ime”, përfaqësuesit e organizatave dhe përfaqësuesit e diplomacive të huaja zhvilluan një takim me përfaqësuesit e Policisë dhe të Prokurorisë së Dibrës, ku u diskutua mbi ecurinë e hetimeve dhe hapat e ndërmarrë deri më tani për zbardhjen e ngjarjes. 

Autoritetet theksuan se po punojnë maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes dhe bënë me dije se pritet akt-ekspertiza për përcaktimin e shkakut final të djegies, ndërsa janë analizuar pamjet e kamerave të sigurisë ku ka dyshime për lëvizjet në orën e ngjarjes dhe janë marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni për rastin. 

Por pavarësisht deklaratave mbi ecurinë e hetimeve dhe miratimit të qarkores nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, për trajtimin me përparësi të rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve, ende nuk ka një rezultat konkret për zbardhjen e ngjarjes, kur ka kaluar një javë prej saj. 

Gjatë takimit me përfaqësues të policisë dhe prokurorisë Dibër. Foto: Scidev

Ndërsa më herët gjatë takimit në redaksinë e “Bulqizaime.al”, një media lokale e themeluar nga vetë gazetari Sami Curri, u diskutua mbi sfidat që has gazetaria në terren, veçanërisht kur trajton çështje të ndjeshme, si qeverisja vendore, industria minerare, kushtet e punës dhe ndikimi në mjedis. 

Pjesëmarrësit theksuan se këto tema shpesh shoqërohen me presione të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve, ndërsa rasti i fundit u cilësua si një tregues i rrezikut me të cilin përballen mediat lokale në ushtrimin e profesionit. 

I pranishëm në takim, drejtuesi i Medias Amfora.al, Geri Emiri, e cilësoi ngjarjen si një përshkallëzim të rrezikshëm të presioneve ndaj gazetarisë lokale, duke theksuar se rasti tregon një kalim nga kërcënimet verbale drejt akteve konkrete fizike. 

“Ngjarja që ka ndodhur me kolegun Sami Curri është shumë e rëndë sepse është kaluar një vijë e kuqe për gazetarinë lokale kryesisht, ku gazetarët që përballen çdo ditë me presione, me ofendime, me shantazhe, tani nuk mbetet më në kufirin e fjalëve, por është kaluar në akte të mirëfillta fizike”, tha Emiri. 

Duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe zbatim të mekanizmave ekzistues, Emiri theksoi rëndësinë e trajtimit të rastit në përputhje me ligjin dhe me standardet evropiane.

“Duhet një reagim i menjëhershëm nga ana e autoriteteve, por jo vetëm në kuadër të zbatimit të ligjit, por nëse flasim për integrimin në Bashkimin Evropian duhet që të gjitha direktivat, të gjitha ato që janë procedura, protokolle të miratuara nga Prokuroria e Republikës së Shqipërisë, qarkoret dhe Policia e Shtetit të vendosen me urgjencë në zbatim dhe të zbardhet ky rast me qëllim parandalimin e të gjithë atyre që do të guxojnë të sulmojnë gazetarët me qëllim intimidimin e fjalës së lirë”, tha ai në fjalën e tij. 

Gazetari Vladimir Karaj, nga “BIRN Albania”, vlerësoi punën e kolegut Curri në raportimin e çështjeve që prekin komunitetin lokal në Bulqizë, duke theksuar se ai ka qenë vazhdimisht nën presion për shkak të raportimit të tij, ndërsa ngjarja e fundit shihet si kulmi i këtyre presioneve të vazhdueshme.  

Automjeti i gazetarit Sami Curri u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 26 prillit në Bulqizë, ndërsa ishte i parkuar pranë banesës së tij, në një ngjarje që po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme. Sipas të dhënave paraprake, rasti dyshohet të jetë i lidhur me aktivitetin e tij profesional, ndërsa vetë gazetari e ka cilësuar si një mesazh intimidimi për shkak të raportimeve të tij në terren. 

Përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Holandës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë e zhvilluan takimin edhe në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit dhe e cilësuan rastin shqetësues dhe theksuan se gazetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin pa frikë dhe ndërhyrje. Ata kërkuan hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes, duke e konsideruar atë një test për sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e standardeve të lirisë së medias në vend. 

Gazetari Sami Curri i falënderoi pjesëmarrësit në takim për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e zbardhjes së plotë të rastit, duke e lidhur atë jo vetëm me drejtësinë personale, por edhe me sigurinë e gazetarëve në tërësi. 

“Zbardhja e rastit është e domosdoshme jo vetëm për drejtësi, por edhe për të dhënë një mesazh të qartë se akte të tilla nuk mund të tolerohen”, tha ai.