Kur ideologjia shpërfilli fenë: Klerikët nën propagandën komuniste
Në periudhën e regjimit komunist, besimi fetar nuk ishte thjesht çështje shpirtërore, por një terren i shërbyer për propagandë dhe dezinformim ndaj popullit shqiptar. Edhe nëse në fillimet e diktaturës komuniste persekutimi kundër besimit fetar ishte i dobët, dalëngadalë, pushteti i kohës arriti të mbledhë informacione dhe mendime politike të manipulara për të dezinformuar popullin shqiptar për fenë.
Shembja e xhamisë së Zajmit Burimi: Gerhard Mema
Që me ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet më 29 Nëntor 1944, klerikët e feve të ndryshme nisën të persekutoheshin nga regjimi komunist.
Edhe pse Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, e miratuar më 11 Janar 1946, garantonte të drejtën për ushtrimin e besimit fetar, në praktikë fetarët përballeshin me kufizime të rrepta dhe presion të vazhdueshëm.
Shumë nxënës, punonjës dhe priftërinj shqiptarë u detyruan të largoheshin nga institucionet fetare dhe të përqendroheshin në punë ose aktivitete të tjera të lejuara nga shteti, duke u shkëputur nga komunitetet e tyre dhe traditat shpirtërore.
Klerikët e huaj që ushtronin shërbesat e tyre në Shqipëri u detyruan të largoheshin drejt vendeve si Italia, Greqia dhe Turqia, duke e dobësuar ndjeshëm prezencën e fesë në vend. Përveç largimeve, shumë institucione fetare u mbyllën ose u shndërruan në objekte jo-fetare, si palestra, teatro, magazina apo kafene, duke e bërë të pamundur praktikimin e besimit në mënyrë të hapur.
Kjo fushatë sistematike për persekutim dhe mbyllje të institucioneve fetare synonte jo vetëm të dobësonte autoritetin e klerikëve, por edhe të krijonte një narrativë propagandistike ku feja paraqitej si pengesë për progresin dhe unitetin e popullit shqiptar.
Dy dekada më pas, në 1967, gjimnazistët e shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës, shprehën ndaj Enver Hoxhës me një letër urrejtjen mbi ushtrimin e feve të ndryshme në Shqipëri.

Sipas propagandës komuniste, xhamitë, kishat, teqetë dhe monumente të tjera fetare u shndërruan në objekte kulturore ose u shkatërruan ose u shndërruan në ambjente të jetës së përditshme, si pallate sporti, kafene, teatro, magazina ose kinema. Disa nga shembujt që mund të permendim ju ndodhën konvertimit të xhamisë së madhe të Durrësit, kishës qëndrore të Shkodrës, kishës së Shën Thanasit në Karavasta dhe shumë institucione të tjera.
Kjo fazë mbylljeje e institucioneve të ndryshme fetare i shërbeu popullit shqiptar ne desinformim, sepse propaganda e kohës e paraqiste transformimin e tyre si një proces “çlirimi” nga ndikimi i fesë, duke i ripërdorur hapësirat fetare për funksione kulturore dhe shoqërore, çka synonte të normalizonte gradualisht mungesën e praktikës fetare në jetën publike.
Përveç fushatave të ndryshme për mbylljen e institucioneve të ndryshme fetare, vazhdimit të persekutimeve ndaj klerikëve fetarë, propaganda komuniste, me anë të burimeve mediatike, letrare dhe vizuale vazhdonte të manipulonte mentalitetin e shqiptarëve, duke shfaqur filma, dokumentarë, dhe vepra propagandistike kundër besimit fetar.
Njëra prej këtyre dokumentarëve, titulluar E vërteta mbi fenë (1974) e regjisorit Ilo Pando, tregon rolin e besimit fetar në historinë e Shqipërisë nga viti 1912-1967. Ky dokumentar shërbeu si alarmi i parë për ndryshimin e statusit të fesë në kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë.
Për shembull, dokumentari përmend raste të ndryshme të bashkëpunimit të klerëve fetarë në Shqipëri me pushtues dhe politikanë të periudhës së Zogut, që varfëruan dhe poshtëruan nivelet e ulëta të shoqërisë shqiptare.
Gjithashtu, dokumentari vazhdon se si klerët fetarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, klerikët e krishterë dhe myslimanë si Patër Anton Harapi, At Vinçens Prendushi, Don Shtjefën Kurti dhe me rradhë bashkëpunuan me pushtuesit italianë dhe më vonë me gjermanët për të sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë.
Por e vërteta nuk qëndron këtu dhe ka pasur shumë polemika që bashkëpunimi midis klerëve të feve të ndryshme në Shqipëri dhe pushtueve nazifashistë ka qënë e rrallë.

Një rast tjetër u shfaq nëpër filmat artistikë shqiptarë. Në filmin Kapedani (1972), një nga momentet interesante qe pjea ku xha Sulo pyet një qytetar të Tiranës për xhaminë e Et’hem Beut, që u ruajt si monument kulture. Dialogu mes tyre vijon kështu:
- Ore çun, xhami është kjo?
- Po pse more xhaxho? Si të duket ty? S’të ngjan si xhami, hë?
- Dhe e njoha si xhami, prandaj po çuditem edhe unë.
Qytetari qesh. Pastaj, xha Suloja vazhdon:
- Ore po qenkeni prapa nga dynjaja juve tiranasit! Neve atje i kemi prishur me kohë.
- Ahh… këtë nuk e prishim ne. Bile e kemi me kimet. Kjo ruhet nga shteti se është e vjetër.
- Edhe unë jam me të. Kështu them edhe unë…
Rasti i kësaj skene interesante dhe propagandistike përçmoi vëmendjen e popullit për braktisjen e besimit fetar dhe rikthimit të jetës së përditshme gjatë periudhës socialiste në Shqipëri.
Kjo skenë, megjithëse e ndërtuar me tone humori, përçon një mesazh të qartë ideologjik: përmes ironisë, shkatërrimi i objekteve fetare paraqitet si shenjë e “përparimit” socialist, ndërsa ruajtja e Xhamisë së Et’hem Beut justifikohet vetëm si monument kulture dhe jo si hapësirë e gjallë besimi.
Në këtë mënyrë, publiku udhëhiqej të perceptonte fenë si një mbetje të së kaluarës, të tejkaluar nga realiteti i ri socialist.
Nuk është e rastësishme që filmi Kapedani u vlerësua nga Enver Hoxha, pasi ai përforconte me mjete të buta propagandistike narrativën zyrtare të shtetit ateist: feja nuk sulmohej drejtpërdrejt, por relativizohej dhe paraqitej si diçka folklorike e jo e domosdoshme për shoqërinë socialiste.
Përveç përdorimit të medias filmike, fushatave kundër institucioneve fetare dhe posterave propaganditstike për zgjerimin e propagandës kundër besimit fetar, u fabrikuan edhe histori mbi “operacionet” e Sigurimit kundër meshave dhe lutjeve të fshehta. Një rast tragjik është ai i Dom Shtjefën Kurtit në Kurbin.
Pas lirimit nga burgu i Burrelit në vitin 1963, ai qëndroi disa muaj në Rrashbull të Durrësit dhe më pas shërbeu si prift në famullinë e Gurëzit në Kurbin.
Pas mbylljes së institucioneve fetare më 1967, mbeti pa punë dhe u detyrua të punonte në Ndërmarrjen Bujqësore të Kurbinit, nën mbikëqyrje të vazhdueshme të Sigurimit. Në vitin 1970 u arrestua në Gurëz, me akuzën absurde se kishte kryer shërbime fetare të fshehta, duke pagëzuar një fëmijë.
Shtypi i kohës përhapi dezinformacion për një “grup armiqësor” në zonën e Gurëzit.
Pas pushkatimit të tij dhe dënimeve të bashkëpunëtorëve, lajmi u përhap edhe jashtë vendit. Një grua katolike u arratis përmes Jugosllavisë drejt Italisë për ta denoncuar rastin te autoritetet italiane.
Më pas, Papa Vojtila vizitoi Puljan, duke dënuar regjimin shqiptar, ndërsa nga presioni botëror dhe mediatik, Radio Tirana pranoi zyrtarisht ekzekutimin. Ngjarja u bë simbol i persekutimit fetar dhe i manipulimit propagandistik të realitetit në Shqipërinë e asaj periudhe historiko-politike.
Në përgjithësi, pas vitit 1990, propaganda e diktaturës komuniste kundër besimit fetar u zhduk, për shkak të ndryshimeve politike që ndodhën në Europën Lindore dhe Qëndrore, por edhe në Shqipëri, ku rënia e regjimit komunist solli rikthimin gradual të lirisë së besimit dhe hapjen e institucioneve fetare të mbyllura prej dekadash.
Me ndryshimet demokratike në Shqipëri, u rishikua roli i fesë në shoqëri dhe u zbuluan dokumente arkivore që dëshmonin përmasat reale të persekutimit ndaj klerikëve dhe besimtarëve.
Ky proces ndihmoi në çmitizimin e narrativave propagandistike të periudhës komuniste dhe në rindërtimin e një kujtese historike më të balancuar.
Megjithatë, pasojat e dezinformimit ideologjik vazhduan të ndihen për vite me radhë në mentalitetin shoqëror, duke e bërë të domosdoshme studimin kritik të burimeve mediatike, letrare dhe filmike të asaj kohe për të kuptuar kontrastin midis propagandës zyrtare dhe realitetit të përjetuar nga komunitetet fetare në Shqipëri.