Xhamia e Gjin Aleksit, monumenti i kulturës që ndërthur besimet në Delvinë
Xhamia e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës, e shekullit XVI, është një monument kulture ndërtuar mbi gjurmë më të hershme fetare. Ajo mbetet një nga dëshmitë më të rralla të ndërthurjes së besimeve dhe shtresëzimit historik në Shqipëri.
Pamje e përgjithshme e xhamisë. Foto: Media Amfora
Sapo hyn në fshatin Rusan të Delvinës, përballë të shfaqet një nga hapësirat më të veçanta të trashëgimisë kulturore në jug të vendit. Xhamia e Gjin Aleksit të mirëpret mes gjelbërimit, pranë një burimi uji, vendeve të pushimit dhe një rrapi të vjetër shekullor, duke krijuar një ambient që të fton të ndalesh dhe të qëndrosh.

Xhamia e Gjin Aleksit është Monument Kulture e Kategorisë së Parë, shpallur që në vitin 1963, dhe një nga objektet më të veçanta të arkitekturës fetare në Shqipëri. E ndërtuar në shekullin XVI, ajo mbart gjurmë të dukshme të shtresëzimit historik, që dallohen qartë si në strukturën e jashtme, ashtu edhe në detajet e brendshme.

E ndërtuar kryesisht me gur, me elemente që tregojnë ndërhyrje të periudhave të ndryshme, xhamia ruan një formë kompakte me kupolë dhe minare, ndërsa hyrja me harqe dhe kolona guri krijon një ndjesi të fortë qëndrueshmërie dhe kohe. Në brendësi, hapësira organizohet rreth sallës së faljes, e cila mbulohet nga kupola dhe ruan përmasa të balancuara.
Një nga elementet më dalluese është galeria e sipërme prej druri, e arritshme përmes një shkalle të brendshme, e përdorur tradicionalisht për faljen e grave. Kjo ndarje funksionale e hapësirës është ende e lexueshme dhe e dukshme në strukturën aktuale të objektit.

Në mure dhe në pjesën e sipërme të brendshme ruhen gjurmë të ndërtimit të hershëm, ndërsa në disa zona dallohen piktura murale dhe dekorime të shumta, që i japin hapësirës një karakter të veçantë. Tavani dhe elementët prej druri tregojnë për një ndërthurje të teknikave ndërtimore dhe restaurimeve ndër vite.
Një tjetër detaj që bie në sy janë ndriçuesit e varur, të dekoruar me mbishkrime fetare, që i japin ambientit një dimension simbolik dhe estetik. Po ashtu, në mure vërehen kamare dhe hapësira të vogla funksionale, që lidhen me përdorimin e saj ndër vite dhe ndikojnë edhe në akustikën e brendshme.

Sipas studiuesit Aleksandër Meksi, në librin “Xhamitë e Shqipërisë. Historia, arkitektura, shek. XV–XIX”, Xhamia e Gjin Aleksit përshkruhet si pjesë e një kompleksi me çezmë monumentale dhe katër tyrbe, ku salla e lutjeve me plan katror mbulohet me kupolë dhe lidhet me një portik në anën veriore.

Edhe sot, hapësira përreth xhamisë mbetet e gjallë dhe e përdorshme nga vizitorë dhe familjarë. Ambientet e hapura, vendet e pushimit dhe gjelbërimi e kthejnë këtë kompleks në një pikë qetësie, reflektimi dhe qëndrimi, ku ndërthuren historia, arkitektura dhe jeta e përditshme.