Shuhet Rexhep Qosja, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit shqiptar

Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta më 23 prill në Prishtinë, ndërsa u varros në një ceremoni private. Ikja e tij ka nxitur reagime në Shqipëri dhe Kosovë, ku vlerësohet si një nga figurat më ndikues të mendimit, letërsisë dhe debatit kombëtar shqiptar.

Është ndarë nga jeta më 23 prill 2026 në moshën 89-vjeçare në Prishtinë akademiku Rexhep Qosja, ndërsa varrimi u zhvillua në rreth të ngushtë familjar, sipas dëshirës së tij.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja”. 

Njoftimi u bë publik nga nipi i tij, Valjet Rexhepi, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku konfirmohet se ceremonia u zhvillua pa praninë e publikut dhe pa organizime zyrtare.

Në të njëjtin reagim, familja thekson se kjo ishte një zgjedhje e vetë akademikut dhe kërkon respektimin e privatësisë.

“Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, shkoi nipi i tij Valjet Rexhepi.

Rexhep Qosja ishte ndër intelektualët që nuk synoi të ishte neutral. Në dekada aktiviteti akademik dhe publik, ai ndërtoi një profil që sfidonte narrativat dominuese, nga historia e letërsisë shqipe, te mënyra si artikulohet çështja kombëtare.

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosja, figura politike dhe institucionale në Kosovë dhe Shqipëri e cilësuan atë si një nga shtyllat e mendimit akademik shqiptar, duke vlerësuar kontributin e tij në kulturë dhe identitet kombëtar.

Mesazhe ngushëllimi erdhën nga drejtues institucionesh dhe liderë politikë, të cilët theksuan se trashëgimia e tij intelektuale do të mbetet referencë për brezat e ardhshëm dhe pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.

Kush ishte Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (1936-2026) ishte historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar dhe publicist, një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë moderne.

I lindur në Vuthaj, ai u formua në Prishtinë dhe Beograd, ku edhe doktoroi për letërsinë shqipe. Për dekada ishte pjesë e Institutit Albanologjik dhe Universitetit të Prishtinës.

Autor i mbi 30 veprave, ai trajtoi historinë e letërsisë, kulturën dhe çështjet kombëtare, duke mbetur një nga zërat më ndikues dhe njëkohësisht më të debatueshëm në hapësirën shqiptare.