Nga errësira në dritë: Dy restauratorë përballë ikonave shekullore të Beratit

Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Berat, dy specialistë me mbi 20 vite përvojë punojnë me durim për t’i rikthyer qytetit ikonat shekullore, pjesë e trashëgimisë kulturore. Përballë qindra veprave në pritje, puna e tyre mbetet një garë e heshtur me kohën për të ruajtur pasurinë e një qyteti të mbrojtur nga UNESCO.

Në zemër të Beratit, brenda Kompleksit të Qendrës Mesjetare, mes Xhamisë Mbret dhe Teqesë së Helvetinjve, duket sikur koha ka mbetur pezull. Pranvera i ka dhënë ngjyra peizazhit, ndërsa drita përkëdhel ëmbël muret e vjetra të godinave të trashëgimisë kulturore të një qyteti mbi 2400 vjeçar.

Në një godinë të vogël njëkatëshe, me mure të gurta dhe një hyrje të thjeshtë që mezi bie në sy, Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit ruan brenda një botë tjetër. Shkallët e konsumuara nga koha dhe dera gjysmë e hapur të çojnë në një hapësirë ku, në heshtje, dy specialistë restauratorë prej më shumë se 20 vitesh punojnë me kujdes mbi ikona, duke i rikthyer nga magazinat ku kanë “fjetur” për vite me radhë drejt dritës dhe ekspozimit.

“Momentalisht jemi duke bërë pastrimin komplet nga verniku i degraduar… dhe del imazhi i ikonës”, tha restauratori Miltiadh Bibo, ndërsa me kujdes vijon punën mbi sipërfaqen e saj, duke zbuluar ngadalë ngjyrat e fshehura prej kohës.

Çdo ndërhyrje kërkon kohë, përqendrim dhe një vëmendje të imtë ndaj detajeve, pasi çdo ikonë mbart historinë dhe vlerën e saj unike. Në këtë proces të gjatë, puna ecën ngadalë, me qëllimin për t’i rikthyer veprat në dritë dhe për t’i bërë sërish pjesë të kujtesës së qytetit.

“Pak a shumë e analizojmë, do ta shikojmë nga të gjitha anët çfarë problemesh ka dhe pastaj bëhet ndërhyrja në ikonë’,  shpjegoi restauratori tjetër, Altin Tabaku, për Median Amfora.

Berati, i shpallur “qytet muze” që prej vitit 1961 dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2008, mbart një pasuri të rrallë kulturore që shtrihet në çdo cep të tij. Në këtë qytet, ku historia ruhet jo vetëm në arkitekturë, por edhe në artin kishtar, funksionon prej dekadash laboratori i restaurimit që i ka rezistuar kohës.

Një pjesë e mirë e ikonave të restauruara përfundojnë në Muzeu Kombëtar Onufri, i vendosur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Kala, ku ekspozohen vepra të mjeshtrave më të njohur të ikonografisë shqiptare, si Onufri dhe pasuesit e tij.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit. Foto: Media Amfora

Aktualisht në laborator po i nënshtrohen restaurimit dy ikona të rëndësishme, siç është ikona e Krishtit Pantokrator dhe ajo e Profetit Ilia, të cilat kanë pësuar dëmtime nga koha dhe kushtet e ruajtjes. Çdo ndërhyrje kërkon një analizë të detajuar për të kuptuar gjendjen e veprës dhe mënyrën e restaurimit.

“Pasi është parë nga ana e drurit, çfarë problemesh ka nga ana e vernikut, është grundi, problemet që mbart”,  shpjegoi restauratori Miltiadh Bibo për Median Amfora.
Procesi nuk ndalet vetëm te pastrimi, por kalon në disa faza të njëpasnjëshme, deri në momentin kur ikona arrin të rikthejë imazhin e saj të plotë.

“Pasi rregullohen të gjitha këto, konsolidohen, është faza e fundit që bëhet pastrimi i vernikut. Për të dalë imazhi në dritë”,  shtoi më tej Bibo. Në laborator trajtohen edhe ikona të tjera me vlera të rëndësishme historike, ku çdo rast kërkon një qasje të veçantë dhe materiale të përshtatura sipas gjendjes së veprës.

“Materialet janë të ndryshme, çdo ikonë kërkon materialin e saj”, shpjegoi restauratori tjetër, Altin Tabaku.
Ai thekson se çdo ndërhyrje bëhet me kujdes maksimal, për të ruajtur autenticitetin e ikonës dhe për të shmangur çdo dëmtim të mundshëm.
“Do bëhen eksperimente pa e dëmtuar imazhin e veprës”,  u shpreh Tabaku.

Brenda laboratorit, hapësira mbushet me ikona të vendosura kudo, mbi tavolina pune dhe përgjatë mureve, secila me ngjyrat dhe gjurmët e kohës që mbart. Drita bie drejtpërdrejt mbi sipërfaqet e tyre, duke nxjerrë në pah kontrastin mes pjesëve të errësuara dhe atyre që kanë rifituar shkëlqimin.

Në mes të kësaj atmosfere, dy restauratorët, të veshur me përparëse të bardha, ngjajnë si kirurgë, të përqendruar në çdo lëvizje, ndërsa punojnë me mjete të imta dhe ndërhyjnë me kujdes në detaje që mezi dallohen me sy të lirë. Heshtja në ambient thyhet vetëm nga ritmi i ngadaltë i punës, ndërsa çdo ikonë kalon nëpër duart e tyre si një histori që rikthehet gradualisht në jetë.

Ikonat që restaurohen në këtë laborator i përkasin periudhave të ndryshme, ku një pjesë e tyre datojnë që nga shekulli VIII, duke mbartur vlera të rralla historike dhe artistike.

Në fondin e ikonave të drejtorisë përfshihen edhe punime të mjeshtrave të njohur të ikonografisë shqiptare, si Onufri, Konstandin Zografi, si dhe përfaqësues të familjes Çetiri dhe Shpatarakët, të cilët kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e artit kishtar në vend. Çdo ikonë mbart jo vetëm vlera artistike, por edhe elemente që dëshmojnë teknikën, stilin dhe ndikimet e kohës kur janë realizuar.

Procesi i pastrimit të ikonave nga verniku i degraduar, një ndër fazat më delikate të restaurimit. Foto: Media Amfora

Pavarësisht kësaj pasurie të madhe, ritmi i restaurimit mbetet i kufizuar. Çdo vit, në laborator restaurohen mesatarisht rreth 10 ikona, ndërsa në raste të veçanta, kur ndërhyrja është më komplekse, ky numër mund të jetë edhe më i ulët, për shkak të kohës dhe kujdesit që kërkon çdo proces.

“Janë rreth 10 ikona në vit, duke punuar. Kjo nuk është e thënë që çdo vit duhen bërë 10 ikona, pasi janë problemet e ndryshme që mund të venë dhe pesë në vit”,  shpjegoi restauratori Bibo.
Ai thekson se kompleksiteti i ndërhyrjes ndikon drejtpërdrejt në kohën e restaurimit, duke e bërë çdo proces të ndryshëm nga tjetri.
“Kjo ka një problem të theksuar dhe mezi kërkon një punë tu pastruar… kërkon më tepër punë”, shtoi më tej Bibo.

Ndërkohë, përballë këtij ritmi pune, numri i ikonave që presin restaurim mbetet i lartë.
“Është një punë që do shumë kohë… mund të vejë edhe dy-tre muaj”, u shpreh restauratori Altin Tabaku.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat disponon një fond të pasur ikonash, të mbledhura ndër vite nga kisha të ndryshme të vendit. Një pasuri e tillë përfaqëson jo vetëm vlera të mëdha historike dhe artistike, por edhe një përgjegjësi të vazhdueshme për ruajtjen dhe restaurimin e tyre. Përballë këtij numri të konsiderueshëm, puna në laborator merr përmasa të mëdha, ndërsa procesi i restaurimit kërkon kohë dhe përkushtim maksimal.

Me vetëm dy specialistë në dispozicion, çdo ndërhyrje bëhet pjesë e një pune të gjatë dhe të kujdesshme, për të përballuar nevojat gjithnjë në rritje. Megjithatë, përtej atyre që janë aktualisht në proces, mbetet një numër i madh veprash që presin të rikthehen në dritë.

“Është e mira që të ketë dhe dy-tre më tepër specialist sepse përveç këtyre ka dhe më shumë ikona që janë me vlerë edhe më të madhe, por që kërkojnë shumë punë”, shpjegon Miltiadh Bibo.
Në këto kushte, puna në laborator mbetet një sfidë e përditshme, ku çdo ikonë kërkon kohën dhe vëmendjen e saj, ndërsa ritmi i restaurimit nuk mund të ndjekë gjithmonë nevojat reale.

Përtej punës në laborator, restauratorët angazhohen edhe në restaurimin e afreskeve dhe pikturave murale në kishat e zonës së Beratit, duke e shtrirë punën e tyre edhe jashtë këtij ambienti. Ndërhyrjet në terren kërkojnë të njëjtin përkushtim dhe kujdes, por shpesh përballen me kushte më të vështira dhe procese edhe më të ndërlikuara. Kjo e bën punën e tyre një angazhim të vazhdueshëm, ku çdo projekt kërkon kohën dhe vëmendjen e duhur, qoftë brenda laboratorit apo në monumentet ku ndërhyjnë drejtpërdrejt.

“Është një punë që do durim, po nuk pate durim nuk bën dot asgjë kjo është e gjitha”, përfundoi restauratori Altin Tabaku.

Mes heshtjes së laboratorit, erës së dyllit dhe dezinfektuesve, dhe ngjyrave që rikthehen ngadalë mbi sipërfaqet e ikonave, restauratorët mbeten të përqendruar në punën e tyre të imtë, duke i dhënë jetë veprave që kanë kaluar shekuj. Nga kjo hapësirë e vogël në zemër të Beratit, ikonat nisin rrugëtimin drejt Muzeut Kombëtar Onufri, duke u bërë pjesë e një trashëgimie që vazhdon të jetojë mes historisë, besimit dhe kujtesës së qytetit.