Raporti i SPAK: Rriten rastet e hetimeve për korrupsion dhe krim të organizuar
SPAK publikoi raportin për vitin 2025, ku vihet re rritje e rasteve të hetimeve për korrupsion dhe krim të organizuar krahasuar me vitin e mëparshëm. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 871 procedime penale, ndërsa 197 persona janë dënuar nga gjykata.
Pamje ilustruese nga një sallë gjyqi. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar publikoi të martën raportin e punës për vitin e kaluar, ku ndër të tjera evidentohet vazhdimi i hetimeve ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion.
“SPAK ka vijuar hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, duke regjistruar 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim”, thuhet në njoftimin e institucionit të shpërndarë për mediat.
Sipas SPAK-ut, volumi i hetimeve penale është rritur krahasuar me vitin 2024. “Gjatë vitit 2025 janë hetuar 871 procedime penale, nga të cilat 294 raste të reja dhe 577 të mbartura nga viti 2024”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, tha se raporti pasqyron përpjekjet e institucionit në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën”, është shprehur kreu i institucionit.
Sipas të dhënave të raportit të SPAK-ut, nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 18 persona janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Sipas raportit, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2025 arriti në rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro janë asete të sekuestruara, ndërsa 1.91 milionë euro janë konfiskuar me vendim gjykate.
Në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit Tether (USDT), me një vlerë ekuivalente prej rreth 12.4 milionë euro.
Raporti evidenton gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë.
Gjatë vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë 66 vendime dënimi me 197 persona të dënuar, nga të cilët 108 për vepra që lidhen me korrupsionin dhe 89 për krim të organizuar.
Partnerët kryesorë përfshijnë “Eurojust”, “Europol” dhe Interpol, si dhe autoritete të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të rajonit.