Pseudo-Dionisi i Areopagut: Të gjithë njerëzit janë të bukur
Ai është mendimtari më misterioz i mesjetës. Edhe pse identiteti i tij i vërtetë është i panjohur për ne sot, Pseudo-Dionisi i Areopagut është një nga figurat me ndikimin më të jashtëzakonshëm tek rilindasit evropianë.
Statujë e antikitetit grek. Burimi: Pexels
Në hartën e madhe të mendimit të krishterë dhe filozofisë së vonë antike, emri Pseudo‑Dionisi Areopagiti duket një paradoks i thellë: Një autor pa identitet të sigurt personal, por me ndikim historik që ndriçon proceset më komplekse të bashkimit mes filozofisë pagane dhe teologjisë kristiane.
Ai është një figurë që ekziston mes dokumentave dhe legjendës, mes një emri me profil të lartë apostolik dhe misterit të një mendimtari anonim që shkroi rreth vitit 500 pas Krishtit.
Veprat që mbajnë emrin e tij, të njohura si ‘Corpus Dionysiacum’ ose ‘Corpus Areopagiticum’, e ndikuan fort jetën mesjetare të paktën deri në periudhen e Rilindjes Evropiane, duke ndikuar mendimtarë të rëndësishëm dhe duke formësuar tradita të tëra mistike.
Emri i tij vjen nga një personazh biblik i përmendur shkurt tek veprat e apostujve, një athinas i konvertuar nga Shën Pali pasi ky i fundit dëgjoi predikimin mbi “Zotin e panjohur” (Vep. Apo. 17:23). Tekstet që sot i atribuohen Dionisit të Areopagut janë shkruar shumë kohë më vonë, ndaj ky referim mbetet i dyshimtë.
Studiuesit modernë e quajnë autorin “Pseudo‑Dionisi” pikërisht për të treguar se ai përdori një pseudonim me qëllim të lidhte idetë filozofike dhe teologjike që po zhvillonte, me autoritetin apostolik të kishës së hershme.
Kështu ai u paraqit si një mendimtar apostolik, edhe pse gjuha dhe konceptet e tij tregojnë qartë ndikimin e filozofëve të mëdhenj neoplatonikë si Proklusi, e cila sugjeron se autori jetoi në fund të shekullit të pestë apo fillim të shekulli të gjashtë.
Nuk dihet pra me siguri kush ishte saktësisht ky autor, por shumë interpretime moderne sugjerojnë se ai mund të ketë qenë një murg me origjinë siriane, i integruar mirë në botën intelektuale të kohës, ku mendimi grek dhe tradita kristiane bashkëjetonin dhe shpesh ndikonin njëri-tjetrin.
Ai përshkruan në tekstet e tij një kozmos i cili është i ndërtuar me një strukturë rreptësisht hierarkike ku në sferën e lartë qëndron Hyji, më pas ëngjëjt dhe më poshtë njerëzit dhe kafshët.
Ky përshkrim do të bëhej themeli i mendimit filozofik dhe mistik për një sërë mendimtarësh gjatë epokës së Rilindjes evropianë si Piko Della Mirandola, Johanes Tritemius, Xhon Dee, etj.
Në qendër të filozofisë së Pseudo‑Dionisit qëndron përpjekja për të bashkuar neoplatonizmin me teologjinë kristiane. Tradita neoplatonike, e zhvilluar mes Athinës dhe Aleksandrisë dhe e përfaqësuar nga Platoni, Plotini, Porfiri, ofronte një kuptim të thellë të Njëshit (Hyjit) si shkak themelor të gjithësisë.
Pseudo‑Dionisi e huazon këtë metafizikë dhe e ristrukturon duke e vendosur brenda kornizës së krishterë.
Për të, Zoti është i pakapshëm dhe i papërkufizueshëm nga konceptet njerëzore; çdo emër apo mbiemër që i atribuohet Atij është vetëm një analogji, pra një krahasim me diçka që ne njohim.
Ky është një kufizim i madh sepse çdo përpjekje e tillë për t‘u qasur drejt të kuptuarit të Atij që tejkalon gjuhën dhe mendimin njerëzor në këtë mënyrë, në fund dështon.
Kjo qasje më pas do të bëhet thelbësore për teologjinë apofatikë ose “teologji negative”, sipas së cilës ne e kuptojmë Hyjin më mirë duke shpjeguar atë që Hyji nuk është.
Kjo praktikë e çon mendimin përtej çdo emërtimi pozitiv, drejt një “misteri” ku mendja dhe gjuha bien në heshtje. Nga heshtja më pas përvoja, e vetmja përmes të cilës ne mund të afrohemi me të vërtetën me Zotin.
Mes njeriut dhe Zotit qëndron hierarkia, pra një seri qëniesh të cilat sipas fuqisë dhe përsosmërisë së tyre, ndodhen më larg ose më afër Zotit.
Njeriu është e vetmja qënie e cila mund ta kapërcejë hierarkinë dhe të arrijë apoteozën, pra deifikimin, bashkimin me Zotin. Në fakt për Dionisin ky është shpëtimi i vërtetë që ofron krishterimi: shpëtim përmes bashkimit me Zotin.
Kjo e bën njeriun një qënie të privilegjuar e cila për tu ndjerë e plotësuar duhet të kuptojë thirrjen e vet të vërtetë. Gjithsesi Dionisi e kupton se njeriu në njëfarë mënyrë aktualisht nuk e ka këtë vetëdije. Që t’a zotëroj, ai duhet të kalojë një proces të trefishtë që parasheh purifikimin përmes rregullit, ndriçimin përmes dijes dhe unitetit shpirtëror përmes punës.
Hierarkia pra ka një rëndësi themelore në univers. Ajo është struktura që ruan kozmosin nga kaosi. Çdo cënim i saj do të prishte harmoninë. Si pasojë hierarkia mund të kapërcehet por nuk mund të shbëhet tërësisht.
Kjo duhet të ndodhë edhe në shoqëri, e cila për Dionisin duhet të mbështetet mbi hierarkinë ligjore (shteti) për të sunduar kaosin nga i cili rrezikohet vazhdimisht populli. Që kjo hierarki ligjore të jetë funksionale, duhet që të ketë në krye Zotin, i cili është i Miri, i Bukuri, I Pafundmi dhe Themeli i çdo shoqërie të shëndetshme.
Për Dionisin, ashtu si edhe për Shën Agustinin, nuk ekziston e keqja dhe e shëmtuara. Aq më të ekzistojnë tek njeriu. Ky i fundit është gjithmonë i bukur dhe kërkon gjithmon të mirën pavarësisht se nga padija apo nga inercia bie gabimisht dhe në ligësi.
Njeriu është krijesë e Zotit, të Mirës dhe të Bukurës më të lartë. “Dhe nga kjo Bukuri (Zoti) të gjitha qëniet kanë marrë dhuratën për të qenë të Bukur, të gjithë sipas mënyrës së vetë, pa përjashtim.” – shkruan ai.
Pseudo-Dionisi do të ndikojë thellësisht filozofinë e Xhon Skot Erigena, Thoma Akuinit dhe Rilindjes evropiane. Një ushtri e madhe filozofësh, u ndikuan thellësisht nga konceptet dhe humanizmi i tij.