Shpifja në Kodin Penal, organizatat kundër modelit të pjesshëm

Modeli i dekriminalizimit të pjesshëm të shpifjes, i propozuar nga qeveria, ka nxitur kundërshtime nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile. Ato argumentojnë se kushtëzimi i mbrojtjes ligjore me regjistrimin e gazetarit krijon standarde të dyfishta dhe nuk garanton mbrojtjen e shprehjes në interes publik.

Organizata të medias dhe shoqërisë civile u mblodhën më 27 janar, në Tiranë, në prag të seancës plenare të Kuvendit, për të shprehur kundërshtimin ndaj propozimit të qeverisë që parashikon përjashtimin nga ndëshkimi penal për shpifjen vetëm për gazetarët e regjistruar.

Sipas organizatave, modeli i propozuar e lidh mbrojtjen ligjore të shprehjes me statusin administrativ të gazetarit dhe jo me interesin publik të fjalës, duke krijuar pabarazi mes aktorëve që kontribuojnë në debatin publik. Në këtë mënyrë, aktivistët, organizatat e shoqërisë civile, sinjalizuesit dhe qytetarët që flasin për çështje me interes publik mbeten të ekspozuar ndaj ndjekjes penale.

Debati është ndezur në kuadër të paketës së ndryshimeve në Kodin Penal, të miratuara më 21 janar nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, të cilat parashikojnë heqjen e ndëshkimit penal për shpifjen vetëm për gazetarët e regjistruar, ndërsa fyerja vijon të mbetet vepër penale. Propozimi i qeverisë është mbështetur si një hap drejt përmirësimit të klimës për median, por është kritikuar për mungesë gjithëpërfshirjeje.

Organizatat theksojnë se një dekriminalizim i pjesshëm rrezikon të ruajë efektet frikësuese ndaj shprehjes publike dhe të nxisë vetëcensurën, duke dobësuar rolin mbikëqyrës të shoqërisë civile dhe medias në një sistem demokratik.

Reagimi i sotëm pason deklaratën e përbashkët të publikuar një ditë më parë nga organizata vendase dhe ndërkombëtare të medias, të cilat kërkuan rishikimin e reformës për të garantuar dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.