Organizatat mjedisore kundër projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec 

Një letër e nënshkruar nga organizata mjedisore ndërkombëtare paralajmëron rreziqe për biodiversitetin në Sazan dhe Zvërnec. Zhvillimet përkojnë me vizitën e fundit të investitorëve të lidhur me projektin.

41 organizata mjedisore nga 28 vende i janë drejtuar të premten me një letër zyrtare Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj, duke kërkuar pezullimin e çdo nisme ndërtimi në Ishullin e Sazanit për shkak të rrezikut ndaj llojeve të mbrojtura dhe trashëgimisë natyrore e kulturore të zonës. 

“Zhvillimi i propozuar në Ishullin e Sazanit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për habitate të mbrojtura dhe specie të rrezikuara, si dhe bie në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, thuhet në letrën e organizatave. 

Projekti është miratuar si “investim strategjik me procedurë të veçantë” dhe parashikon ndërhyrje ndërtimore në rreth 45 hektarë të ishullit. Ai është projektuar nga një kompani e lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump dhe përfshin ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse, përfshirë rrugë, sisteme kanalizimi dhe rritje të trafikut detar në një zonë ekologjikisht të ndjeshme.

“Ndërhyrje të tilla sjellin ndotje, zhurmë dhe ndriçim artificial, duke rrezikuar habitatet kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut”, thuhet më tej në letër.

Reagimi i organizatave vjen në të njëjtën periudhë kur investitorët e lidhur me projektin kanë vizituar Shqipërinë. Sipas raportimeve mediatike, ditët e fundit Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë qëndruar në Vlorë, ku janë zhvilluar takime të lidhura me planet e investimit turistik në Ishullin e Sazanit dhe zonat përreth.

Sazani rrethohet nga Parku Kombëtar Detar Karaburun – Sazan dhe gëzon statusin e Zonës Veçanërisht të Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun, ndërsa zona është pjesë e një Zone Kyçe për Biodiversitetin dhe Zone të Rëndësishme për Shpendët. Sipas të dhënave shkencore, aty strehohen dhjetëra specie të mbrojtura, përfshirë livadhet nënujore të Posidonias, të rëndësishme për ekosistemin dhe klimën.

Organizatat theksojnë se projekti dhe mënyra e miratimit të tij bien drejtpërdrejt në kundërshtim me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimi Evropian, veçanërisht pas hapjes së negociatave për Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. 

Sipas tyre, Qëndrimi i Përbashkët i Bashkimit Evropian për këtë kapitull kërkon që Shqipëria të përafrohet plotësisht me rregullat europiane për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit (acquis i BE-së), si dhe të sigurojë vendimmarrje transparente dhe gjithëpërfshirëse. biodiversitetit, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe qeverisjen transparente, duke kërkuar gjithashtu shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të miratuara me ndryshimet e fundit në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike.