Valutë e padeklaruar në Rinas, nën hetim 45-vjeçarja

Një shtetase kineze është proceduar penalisht pasi u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria me një shumë të konsiderueshme euro dhe dollarë të padeklaruar, gjatë kontrolleve në pikën e kalimit kufitar të Rinasit.

Një 45-vjeçare me shtetësi kineze është proceduar penalisht të premten nga Policia Kufitare e Rinasit, pasi gjatë kontrollit në dalje të vendit iu gjetën 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, të cilat ajo synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar sipas ligjit.


“Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar të shumave të konsiderueshme të parave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas autoriteteve, rasti u evidentua si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje dhe dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi.
“Gjatë kontrollit në vijën e dytë, shtetases A. W., 45 vjeçe, me shtetësi kineze iu gjetën 61 755 euro dhe 10 000 dollarë amerikanë, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar konform ligjit”, njofton policia në njoftimin për shtyp gjatë mesditës së 23 janarit.


Në përfundim, shuma e parave u sekuestrua, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 45-vjeçaren.
Autoritetet kanë evidentuar raste të ngjashme edhe në Portin e Durrësit, në kuadër të kontrolleve kufitare për parandalimin e paligjshmërive.