Dyrrahu dhe Shenjtorët e tij: Krishtërimi i hershëm në Adriatik 

“Nga Jeruzalemi e përreth deri në Iliri, e kam përmbushur predikimin e Ungjillit të Krishtit” (Romakët 15:19). Me këto fjalë, Shën Pali i vendos trevat ilire brenda horizontit më të hershëm të mesazhit të krishterë, duke e përfshirë rajonin e Adriatikut dhe qytete si Dyrrahu në kujtesën apostolike të zgjerimit të parë të krishterimit.

Referenca e Shën Palit ndaj Ilirisë merr kuptim konkret kur flet për gjeografinë e Ballkanit Perëndimor. Dyrrahu, një nga portet më të rëndësishme të Ilirisë, shtrihej në pjesën perëndimore të Via Egnatia-s, rrugë perandorake që lidhte brigjet e Adriatikut me provincat lindore të Perandorisë Romake. Ky pozicion e bënte qytetin dhe rrethinat e tij një pikë natyrore kontakti për ide të reja, ndër to edhe përhapjen e besimit të krishterë.

Predikuesi i parë i krishterimit në Iliri ishte vetë Apostull Pali. Në letrën drejtuar në veprën Romakët (15:19), ai pohon se predikimi i tij kishte arritur deri në Iliri, çka dëshmon se krishterimi kishte depërtuar në Ballkanin Perëndimor qysh në shekullin I pas Krishtit. Pavarësisht debatit historiografik nëse Pali vizitoi Dyrrahun, del e qartë se misioni i tij hodhi themelet e krishterimit në Iliri dhe gjithashtu përgatiti terrenin për formimin e bashkësive të besimtarëve në qendrat urbane ilire. Sipas disa traditave gojore, emri i Shën Palit lidhet me Bisht Pallën, në veri të Durrësit, si vend ku ai predikoi ose pushoi gjatë udhëtimeve të tij apostolike.

Kisha e parë në Durrës besohet se u themelua rreth vitit 58 nga peshkopi i parë, Shën Çezari. Ai udhëhoqi një bashkësi rreth 300 besimtarësh. Sipas traditës kishtare, Shën Çezari ishte nxënës i Shën Palit, i cili e dërgoi atë për të drejtuar kishën e Dyrrahut. Pas tij, drejtimin e kishës e mori Shën Apoloni. Më pas shfaqet figura e Shën Astit, peshkopi i radhës i Dyrrahut, i cili jetoi në fund të shekullit I dhe fillim të shekullit II pas Krishtit. Ai predikoi hapur krishterimin në Dyrrah dhe rrethinat e tij, në një periudhë të vështirë për të krishterët në Iliri, kur perandori kishte urdhëruar përndjekjen e tyre (Illyricum Sacrum, vëll. VII, Shkodër, 2019). 

Në Dyrrah, autoritetet qytetare i dorëzuan Shën Astin dekurionit Agrikola. Edhe pse ky i fundit u përpoq ta bindte të hiqte dorë nga doktrina e krishterë, Asti mbeti i patundur në besimin e tij. Ai u torturua dhe u kryqëzua pranë mureve të qytetit. Sipas traditës, trupi i tij u lye me mjaltë për të tërhequr grerëzat, duke ia shtuar vuajtjet. Pas disa orësh, ai ndërroi jetë dhe u varros fshehtas nga të krishterët vendas. Gjatë Mesjetës, shumë kisha në trevat shqiptare iu kushtuan Shën Astit. Një traditë tjetër pohon se trupi i tij u varros në qendër të Amfiteatrit të Durrësit rreth shekullit IV, si simbol i triumfit të krishterimit mbi paganizmin në Iliri. Festa e tij kremtohet më 6 Korrik, dhe ai u shpall mbrojtësi dhe pajtori i qytetit të Durrësit. Sot, kisha pranë Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), e pagëzuar në nder të tij, u inaugurua në vitin 1994.

Me martirizimin e Shën Astit në vitin 98, një kapitull i gjatë përndjekjesh ndaj të krishterëve vazhdoi deri në vitin 313 pas Krishtit. Megjithatë, kisha lokale e Dyrrahut u forcua vit pas viti dhe u vizitua nga figura të rëndësishme të krishterimit të hershëm. Rreth Verës – Vjeshtës së vitit 108, Shën Injaci i Antiokisë qëndroi për disa ditë në Dyrrah gjatë rrugëtimit të tij drejt Romës. Rreth shtatëdhjetë vjet më vonë, për t’i shpëtuar përndjekjeve në Smirnë (Izmir, Turqi), Shën Ireneu, filozof dhe peshkop i shquar i botës së krishterë, qëndroi përkohësisht në Dyrrah. Besohet se ai u ndihmua nga bashkësia lokale përpara se të largohej drejt Lionit në Gali (Francë), ku prania romake ishte më e dobët.

Në përmbyllje, historia e hershme e krishterimit në Dyrrah pasqyron njëkohësisht premtimin dhe rrezikun e besimit në Ballkanin Perëndimor romak. Sot, Durrësi bart trashëgiminë e kësaj periudhe të hershme të krishterë. Vende si Bisht Palla dhe muret e lashta të qytetit u kujtojnë banorëve dhe vizitorëve lidhjen e qytetit me apostujt dhe martirët që formësuan historinë e tij shpirtërore. Nga misioni apostolik i Shën Palit deri te dëshmia e patundur e Shën Astiut, qyteti u shndërrua në një nyje kyçe të përhapjes së krishterimit.

Periudha midis 177-395, e njohur si damnatio memoriae, e pa Dyrrahun dhe bashkësinë e tij të krishterë të vuajnë përpjekje sistematike për t’u fshirë nga kujtesa publike. Besimtarët u ndëshkuan për përkatësinë e tyre fetare dhe qyteti përjetoi dekada shtypjeje shpirtërore e shoqërore. Megjithatë, përkushtimi i të krishterëve të Durrësit ruajti kujtesën e martirëve dhe udhëheqësve të tyre, duke i lejuar besimit të mbijetojë dhe të lulëzojë në shekujt pasues. Sot, Durrësi qëndron si një dëshmi e gjallë e qëndresës së bashkësisë së tij të krishterë dhe e ndikimit të qëndrueshëm të shenjtërve të tij të hershëm në botën adriatike.