Pezullimi i fondeve për bujqësinë, komisionerja e BE: Shqipëria të tregojë kujdes 

Fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë mbeten të pezulluara, ndërsa hetimet e SPAK për abuzime dhe kërkesat e opozitës për transparencë vijojnë. Komisionerja Marta Kos theksoi se menaxhimi i tyre duhet të jetë i rreptë dhe i përgjegjshëm, pasi ato janë para të taksapaguesve evropianë.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur me tone të drejtpërdrejta mbi sfidat e Shqipërisë me korrupsionin dhe menaxhimin e fondeve të BE-së, duke komentuar nga Brukseli, kur u pyet për pezullimin e fondeve të programit IPARD II. 

Në intervistën për ‘Deutsche Welle’ Kos u përgjigj mbi rrezikun e përsëritjes së abuzimeve me fondet e bujqësisë, një plagë e njohur e së kaluarës me programin që çoi në ngrirjen e fondeve.

“Duhet shumë kujdes. Janë paratë e taksapaguesve evropianë”, tha komisionerja. 

E pyetur nëse Shqipëria është e aftë të menaxhojë fondet e ardhshme, Kos është shprehur e rezervuar, por optimiste. 

“Jam e sigurt, por duhet të jemi të kujdesshëm. Janë paratë e taksapaguesve evropianë dhe unë jam përgjegjëse për ta”, tha komisionerja, duke rikujtuar detyrimin e BE-së për mbikëqyrje strikte.

Programi IPARD, që synon të mbështesë bujqësinë dhe zhvillimin rural përmes fondeve të Bashkimit Evropian, është përfshirë në një prej skandaleve më të mëdha financiare të viteve të fundit në Shqipëri. 

Në fazën e dytë të tij, IPARD II, auditimet evropiane zbuluan shkelje serioze në procedurat e përzgjedhjes së përfituese dhe dyshime për favorizime që lidhen me politikën dhe krimin. 

Amfora ka trajtuar çështjen me një investigim për përfituesit e fondit IPARD, duke evidentuar mospërputhje dhe lidhje të mundshme politike dhe kriminale, si dhe me raportime të vazhdueshme mbi zhvillimet e hetimeve dhe proceset institucionale. 

 Çështja ka kaluar në SPAK, i cili po heton dyshimet për abuzime me fondet, përfshirë manipulime të mundshme të dokumentacionit, projekte të fryra dhe skema konflikti interesi. 

Opozita ndërkohë ka kërkuar një hetim të plotë parlamentar, duke e akuzuar qeverinë se ka lejuar krijimin e një “rrjeti klientelist” rreth programit.

Në qendër të debatit mbetet fakti se pezullimi i fondeve prek drejtpërdrejt fermerët dhe investimet rurale, ndërsa BE ka sinjalizuar se hapja e ciklit të ri të financimeve do të varet nga rezultatet e hetimeve dhe përmirësimet në menaxhimin e fondeve.

E pyetur rreth zhvillimeve më të fundit në vendin tonë komisionerja theksoi në intervistë se janë bërë përparime veçanërisht në rritjen e efikasitetit të institucioneve antikorrupsion.