Trashëgimia kulturore, organizatat kërkojnë dënime më të ashpra në Kodin e Ri Penal
Organizatat në mbrojtje të trashëgimisë dhe kulturës i propozuan ministrit të ri të drejtësisë dënime më të rënda dhe gjoba të ashpra në Kodin e Ri Penal, për garantimin e ruajtjes së pasurisë kombëtare.

Ish-Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë prezantimit të draftit përfundimtar të Kodit të Ri Penal. Foto: Ministria e Drejtësisë
Rrjeti kombëtar “Cultur-AL” i ngritur nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare dhe Qendra ‘Artivista’ me mbështetjen e Bashkimit Evropian, i ka dërguar një propozim Ministrit të Drejtësisë, që në Kodin e Ri Penal të përfshihen dispozita të posaçme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Legjislacioni aktual penal shqiptar nuk e trajton në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si një kategori e veçantë e mbrojtur nga e drejta penale. Kjo për shkak se Kodi Penal nuk e përkufizon qartë konceptin e ‘trashëgimisë kulturore’ dhe nuk e trajton dëmtimin apo keqpërdorimin e saj si një rrezik penal i veçantë, i cili kërkon mbrojtje të posaçme”, shkruajnë 14 organizatat e rrjetit në propozimin drejtuar Ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari.
Sipas organizatave, mungesa e një përkufizimi të qartë për trashëgiminë kulturore në Kodin Penal bën që të mos ekzistojë një sistem i plotë ndëshkues, i cili të garantojë dënime efektive dhe proporcionale për veprat që e cenojnë atë. Aktualisht, disa dispozita gjenden vetëm në ligje administrative, si Ligji për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, por këto mbështeten kryesisht te gjobat, çka e kufizon mbrojtjen kur dëmi është serioz, i pakthyeshëm ose i kryer me qëllim kriminal.
Në draftin e ri të Kodit Penal parashikohen disa nene që lidhen me kulturën dhe trashëgiminë, por ato janë të shpërndara në dispozita të ndryshme dhe nuk formojnë një kapitull të posaçëm. Sipas organizatave, kjo e bën zbatimin të fragmentuar dhe më pak efektiv, ndryshe nga praktikat në sistemet penale më të avancuara.
“Kjo ndarje e fragmentuar e dispozitave pengon një zbatim të unifikuar dhe të qëndrueshëm të ligjit penal në praktikë. Për më tepër, mungon një sistem klasifikimi i saktë i veprave penale sipas rrezikshmërisë juridike që paraqesin ndaj trashëgimisë kulturore, siç janë: shkatërrimi me dashje, trafikimi i sendeve me vlerë kulturore, ndërhyrjet e paautorizuara në objekte të mbrojtura apo keqpërdorimi institucional”, thuhet në propozim.
Përdorimi i gjobës dhe dënimit me burg për veprat që prekin trashëgiminë kulturore, sipas organizatave, është i domosdoshëm, pasi këto vepra nuk cenojnë vetëm pasurinë materiale, por edhe identitetin historik, kulturor dhe kombëtar të shoqërisë.
‘Gjobat shërbejnë si mjet proporcional për shkeljet më të lehta, ndërsa burgimi është i justifikuar për rastet e rënda si dëmtimi, shkatërrimi apo trafikimi i objekteve të trashëgimisë’, thuhet në propozim.
Përdorimi i kombinuar i gjobës dhe burgimit shihet si mënyra më efektive, sipas rrjetit, për të balancuar parandalimin ekonomik me ndëshkimin penal ndaj shkelësve të trashëgimisë kulturore. Ata theksojnë se vetëm gjoba shpesh nuk mjafton, pasi fitimet e paligjshme janë më të larta, ndërsa vetëm burgimi nuk adreson motivin financiar që nxit këto vepra.
“Bashkëvendosja e gjobës dhe burgimit krijon një mekanizëm të dyfishtë mbrojtës: gjoba ndëshkon aspektin ekonomik, ndërsa burgimi sanksionon rrezikshmërinë shoqërore, duke bërë që dënimi të jetë më i drejtë, proporcional dhe me fuqi më të madhe parandaluese”, propozon rrjeti.
Aktualisht, kuadri penal konsiderohet i paplotë, pasi nuk garanton mbrojtje efektive të trashëgimisë kulturore dhe lë hapësirë për mosndëshkueshmëri, ndërsa mungojnë edhe procedura të specializuara hetimore e institucione të trajnuara në këtë fushë.
Trashëgimia kulturore vlerësohet nga rrejti si pjesë thelbësore e identitetit dhe historisë kombëtare, si pasuri e përbashkët që kërkon mbrojtje me përgjegjësi të lartë ligjore dhe institucionale.
“Përfshirja e dispozitave penale specifike në Kodin Penal për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është e domosdoshme për të siguruar parandalimin efektiv dhe ndëshkimin e veprimeve që dëmtojnë, shkatërrojnë apo trafikojnë këtë pasuri të paçmueshme”, theksohet nga rrjeti.
Sipas organizatave, futja e dispozitave të posaçme në Kodin Penal është e domosdoshme për të garantuar parandalim efektiv dhe ndëshkim të qartë ndaj veprimeve që cenojnë trashëgiminë kulturore, ndërsa mbrojtja penale e saj shihet si element kyç për ruajtjen e identitetit historik e kulturor dhe për zhvillimin e qëndrueshëm kulturor e turistik të vendit.
Rrjeti nxjerrë në pah faktin se vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian kanë parashikuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si vepër penale të veçantë në Kodin Penal, duke përfshirë masa të ashpra ndëshkimore dhe sanksione që reflektojnë rëndësinë e saj të jashtëzakonshme për shoqërinë.
“Kjo qasje siguron që dëmtimi apo shkatërrimi i pasurive kulturore të trajtohet si një krim i rëndë dhe të mos mbetet vetëm në kompetencën e rregullimeve administrative apo vendimeve qeveritare si VKM, të cilat shpesh kanë efekt më të kufizuar dhe nuk garantojnë një parandalim dhe ndëshkim efektiv”, shpjegohet më tej në propozim.
Organizatat propozojnë futjen e dispozitave penale në Kodin Penal, ku dënimet të përfshijnë edhe gjoba proporcionale me vlerën e dëmit. Sipas tyre, kjo është mënyra e domosdoshme për të garantuar përgjegjësi dhe respekt ndaj trashëgimisë kulturore, duke dërguar një mesazh të qartë për mbrojtjen e saj dhe përforcuar zbatimin ligjor në mënyrë të qëndrueshme.
Organizatat sjellin modele të ngjashme që ekzistojnë edhe në vendet e BE-së, ku në Spanjë Kodi Penal ka kapituj të veçantë për veprat kundër trashëgimisë historike, në Francë dënimet shkojnë deri në 7 vjet burg dhe 150 mijë euro gjobë, ndërsa në Itali parashikohet një kapitull i dedikuar për mbrojtjen e saj.
Organizatat theksojnë se situata aktuale e bën mbrojtjen e trashëgimisë edhe më urgjente.
“Në kohën në të cilën jetojmë, trashëgimia kulturore në Shqipëri është shumë e rrezikuar, ndërkohë që synimi dhe veprimet e qeverisë shqiptare tregojnë një fokus të veçantë në promovimin e turizmit për rritjen e ekonomisë shqiptare, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, e promovuar qartazi edhe në faqen e parë të kreut të qeverisë, përbën një nevojë jetësore”, shkruan rrjeti.
Organizatat vërejnë se, pavarësisht mungesave financiare dhe njerëzore, mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të forcohet dhe të shihet si prioritet kombëtar, duke u reflektuar qartë edhe në Kodin Penal.
Organizatat propozojnë një nen të posaçëm në Kodin Penal për dëmtimin e trashëgimisë kulturore.
“Dëmtimi, shkatërrimi, degradimi, vjedhja, trafikimi, ndërhyrja pa autorizim apo çdo veprim tjetër që cenon objektet e trashëgimisë kulturore materiale ose jomateriale, të shpallura ose në proces shpalljeje, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet dhe me gjobë deri në 5,000,000 lekë”, propozohet nga organziatat.
Përveç kësaj, parashikohet rritje e dënimeve kur shkeljet kryhen nga zyrtarë publikë, në grup apo në mënyrë të përsëritur, si dhe masa më të ashpra për objektet e mbrojtura ndërkombëtarisht, përfshirë ato në listën e UNESCO-s. Gjykata, në çdo rast, mund të urdhërojë rikthimin e objekteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.
Organizatat mes të cilave ëshë bashkuar edhe Qendra Amfora, theksojnë se propozimi synon të plotësojë boshllëkun ligjor në mbrojtjen penale të trashëgimisë, duke e përafruar Shqipërinë me standardet evropiane dhe rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror.
Organizatat që nënshkruan kërkesën në emër të rrjetit “Cultur-AL”:
Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare;
Qendra Artivista;
Qendra Kulturore Mediatike Antigonea;
Qendra Amfora;
Qendra AMAD;
Qendra POEC;
Albanian Guild of Bartenders;
North Green Association;
Vjosa Explorer;
Shoqata INAC;
Grupi vendor i veprimit Pro Përmet;
Civic Engagement Institute;
Qendra KAZUS;
Shoqata e Natyrës dhe Turizmit Bulqizë.