“Mbro dhe Promovo”, një udhëtim fotografik në trashëgiminë natyrore e kulturore
Edicioni i pestë i konkursit kombëtar solli një rrugëtim të pasur me fotografi që promovojnë trashëgiminë natyrore e kulturore të vendit. Mes tyre, u veçua fotografia “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”, e cila do të prezantohet së shpejti si pjesë e ekspozitës në Parkun Arkeologjik Kombëtar Apolonia.

Vepra fituese “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”, realizuar nga Bujar Gashi. Foto: Shoqata ARGJIRO
Në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, në 12 shtator u hap edicioni i pestë i konkursit fotografik “Mbro & Promovo”, një nismë tashmë e konsoliduar e Shoqatës ARGJIRO që prej vitesh angazhon artistë të rinj dhe profesionistë në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë natyrore e kulturore të Shqipërisë.
Edhe këtë vit, konkursi solli në qendër të vëmendjes jo vetëm bukuritë e rralla të vendit, por edhe sfidat që lidhen me ruajtjen e tyre.
Fitues i këtij edicioni u shpall fotografi nga Kosova Bujar Gashi, me fotografinë “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”, një vepër që përfaqëson autenticitetin e natyrës shqiptare dhe sjell në fokus një nga mrekullitë më të çmuara të Alpeve tona.
Juria profesionale, e përbërë nga emra të njohur të fushës si Gent Shkullaku, Lara-Scarlett Gervais, Ornela Durmishaj, Ëandrille Potez, Amélie Lombardini-Morin, Sara Gurabardhi dhe Ilda Mara, përzgjodhi dhjetë finalistë të cilët sollën një gamë të gjerë tematikash që nga peizazhet e natyrës dhe trashëgimia arkitektonike deri te përjetësimi i momenteve intime të jetës kulturore shqiptare.
Përveç veprës fituese të Bujar Gashit, në listën e finalistëve u përfshinë edhe fotografitë e Abi Fushës, Marine Brissard, Virginie Elfiguigui, Marinela Pashaj, Erdit Asllanaj, Maria Balliu, Emi Divjaka, Renilda Cani dhe Blendi Kareco, duke krijuar një tablo të pasur të diversitetit natyror e kulturor të vendit.
Konkursi u zhvillua në kuadër të muajit të frankofonisë, duke tërhequr pjesëmarrjen e gjerë të të rinjve të rrjetit frankofon në Shqipëri, të cilët sollën përmes aparatit fotografik një përzierje të këndvështrimeve ndërkombëtare me identitetin shqiptar.
Fituesi i edicionit, Bujar Gashi, është një fotograf i formuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka ndjekur trajnime të specializuara në Angli dhe Francë, të fokusuara në fotografinë dokumentare dhe artistike. Ai është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe autor i katër ekspozitave, ndërsa punimet e tij janë ekspozuar në hapësira publike si Aeroporti i Prishtinës, por edhe në skena ndërkombëtare si “Expo Dubai 2021-22”, ku përfaqësoi Kosovën.
Fotografia fituese ka në fokus një pasuri natyrore siç është Lumi i Gashit, i shpallur “Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2017. Zona mbetet një pasuri e pazëvendësueshme për biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore të vendit, duke u dalluar për pyjet e virgjëra të ahut dhe pishës alpine dhe për florën e faunën e mbrojtur që strehohet në këtë habitat të rrallë.
Ekspozita me veprat finaliste qëndroi e hapur në Qendrën e Artit “Agimi” deri më 19 shtator dhe do të zhvendose drejt Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia, ku do të prezantohet në hapësirën e Trapezarisë gjatë gjithë muajit tetor. Ky udhëtim ekspozues synon ta bëjë më të gjerë kontaktin e publikut me artin e fotografisë dhe me mesazhin e fortë të mbrojtjes së natyrës e trashëgimisë.
Edicioni i pestë i “Mbro & Promovo” u realizua me mbështetjen e partnerëve Ambasada e Francës në Shqipëri, Agjencia e Industrisë Krijuese, Qendra e Artit Agimi dhe Parku Arkeologjik Apolonia, të cilët përmes këtij bashkëpunimi konfirmojnë rëndësinë që kultura, arti dhe ndërgjegjësimi mjedisor kanë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.